"Është tepër sensitive": Pse AAK mbeti ‘pa gojë’ dhe u bë enigmatike pasi pa propozimin franko-gjerman? - NACIONALE

"Është tepër sensitive": Pse AAK mbeti ‘pa gojë’ dhe u bë enigmatike pasi pa propozimin franko-gjerman?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

AAK ishte partia e vetme opozitare që i shkoi në takim Albin Kurtit javën e kaluar. Dhe… Ramush Haradinaj që njihet për fjalë të ashpra dhe fjalor të papërmbajtshëm, papritmas u bë tepër i matur dhe i peshonte mirë e mirë fjalët para se t’i qiste nga goja. E kishte parë propozimin franko-gjrrman! Qysh e la ‘pa gojë’ ajo që pa Haradinajn, liderit politik të njohur për guximin e tij?

Spekulimet për propozimin franko-gjerman u bënë shumë serioze kur ekzistencën e tij e pranoi Donika Gërvalla. E më pas edhe më serioze kur ekzistenca e tij u pranua edhe nga ambasadori Escobar.

Por, krejt ky propozim u mbështjell me një tis misteri kur Ramush Haradinaj i shkoi në zyrë Albin Kurtit dhe e diskutuan, siç tha, pikë për pikë atë.

Daut Haradinaj: Përmbajtja e dokumentacionit është sensitive

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj është politikani i fundit nga kjo parti që u deklarua rreth propozimit franko-gjerman, për të cilin, tani është konfirmuar zyrtarisht se ekziston.

Përveç kryetarit Ramush Haradinaj e nënkryetarit Ardian Gjini, Haradinaj ka konfirmuar se “e di çfarë përmban saktësisht dokumenti” dhe se ajo çfarë thuhet aty është “sensitive”, duke mos pranuar që të japë shumë detaje.

“Sa i përket se a e kemi pa, apo a qëndron pavarësia…Unë personalisht nuk e kam pa, por kam biseduar me miq që kanë marrë pjesë në takim me Kurtin, mendoj që ka referenca të përfarta dhe të sakta me një status të pavarësisë së Kosovës. E di çfarë përmban dokumenti, çfarë ka në dokumentacion saktësisht, por e di që është tepër sensitive. Vetë presidentja i quajti fake-news, ndërsa sot tha se jemi duke e shqyrtu propozimin franko-gjerman”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, kjo është koha e duhur për të arritur një marrëveshje me Serbinë, pasi sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë palë direkte në këtë proces dhe nuk ka arsye për frikë.

“Mendoj që ata e kanë përgjegjësinë me deklaru se çfarë përmban dokumenti, por çfarë propozon SHBA-ja ne nuk kemi arsye me u frikësu, sepse këto 30 vitet e fundit nuk na ka ardhë lajm i keq nga Uashingtoni. Uashingtoni është palë direkte dhe nuk i frikësohemi të ardhmen”, theksoi ish-deputeti i AAK-së.

Pyetur nëse marrëveshja përmban njohjen reciproke, Haradinaj tha se ajo që kanë parë deri më tani, tregon se nuk duhet të ketë hezitim.

“Tash të jemi të qartë, shumë terma përdoren në një marrëveshje, por ajo që kemi parë deri diku apo që na është thënë, nuk shoh arsye me pasë hezitim. Nëse kemi SHBA-në garant, për ulëse në OKB, për njohjen e pesë shteteve, nuk shoh problem pse duhet me hezitu. Propozim marrëveshja nuk është e përfunduar, është propozim në tavolinë. Nuk mendoj që ka kohë më të përshtatshme, për me e arritë qëllimin me të cilin jemi nis”, tha ai.

Haradinaj, në vazhdimësi gjatë deklarimit të tij në Debat Plus, ka përsëritur se e mbështesin Qeverinë Kurti për dialogun, duke përdorur kështu një gjuhë më të butë.

“Aty është njohja”, tha kryetari i AAK-së

Ramush Haradinaj, i pari i AAK-së, Qeverinë Kurti e ka cilësuar nëpër shumë paraqitje si “një shtëpi budallë”.

Por javën që lamë pas i shkoi në takim Kurtit, ftesën e të cilit e refuzuan dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas Haradinajt, ky plan është përfundimtar dhe nuk ka marrëveshje tjetër.

“Kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë marrëveshje tjetër, nuk të ketë më negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë për asgjë tjetër... kjo është finalja”, tha Haradinaj.

Ai theksoi, se në përmbajtje, është edhe njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë.

“Materiet që i ka Kosova dhe Serbia për normalizimin e plotë. Marrëveshja mund të mos quhet marrëveshje për njohje, mund të quhet marrëveshje për normalizim, por në përmbajtje e ka njohjen”, ka deklaruar Haradinaj.

Nënkryetari i AAK-së: E kam parë me sytë e mi

Ardian Gjini, nënkryetar i kësaj partie, deklaroi se e ka parë me sytë e tij dokumentin, për të cilin, pretendoi se nuk i shkruan autorsia.

Ndryshe prej Daut Haradinajt e Ramush Haradinajt, Gjini ka theksuar se dokumenti është po ai që ka qarkulluar në media, duke thënë se “ato letra janë, nuk ka tjera”.

Ky i fundit, në një paraqitje televizive pranoi se e ka parë vet me sytë e tij këtë dokument, ani pse siç tha ai nuk shkruan autorësia.

Pra, sipas Gjinit ky dokument është valid dhe se ka qarkulluar nëpërmjet kanaleve të ndryshme.

“Për me thënë pak më ndryshe… po dokumentin natyrisht që e kam parë, kam pa edhe letër. Janë sjellë. Domethënë, besoni që ato letra që janë sjell, ato janë, nuk ka tjera. Nuk ma kanë dhënë diplomatët atë dokument mua, por ka kanale të cilat e përcjellin. Domethënë ka dokument të shkruar. Kërkund nuk shkruan autorësia, nuk shkruan franko-gjerman, por sipas të gjitha gjasave, është i dakorduar mes Francës dhe Gjermanisë”, ka thënë Gjini në Pressing.

Gjini ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin e Nacionales, Muhamet Koci, intervistë e cila do të publikohet nesër, në thelb të së cilës është dokumenti i shumëpërfolur dhe ajo çfarë pa në takim me Kurtin.

Lajme të ngjashme