Ardian Gjini konfirmon dokumentin e propozuar për marrëveshjen Kosovë - Serbi: E kam parë me sytë e mi - NACIONALE

Ardian Gjini konfirmon dokumentin e propozuar për marrëveshjen Kosovë - Serbi: E kam parë me sytë e mi

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Tash e sa kohë në të gjitha mediat qarkullon një dokument, që supozohet të jetë franko-gjerman, e ku për substancë thuhet të ketë një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

Tutje bëhet e ditur se në marrëveshjen respektive nuk flitet për njohje reciproke, por për Kosovën në OKB e Serbinë në BE.

Lidhur me këtë ka folur edhe kryetari i komunës së Gjakovës dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Ky i fundit, në një paraqitje televizive pranoi se e ka parë vet me sytë e tij këtë dokument, ani pse siç tha ai nuk shkruan autorësia.

Pra, sipas Gjinit ky dokument është valid dhe se ka qarkulluar nëpërmjet kanaleve të ndryshme.

“Për me thënë pak më ndryshe… po dokumentin natyrisht që e kam parë, kam pa edhe letër. Janë sjellë. Domethënë, besoni që ato letra që janë sjell, ato janë, nuk ka tjera. Nuk ma kanë dhënë diplomatët atë dokument mua, por ka kanale të cilat e përcjellin. Domethënë ka dokument të shkruar. Kërkund nuk shkruan autorësia, nuk shkruan franko-gjerman, por sipas të gjitha gjasave, është i dakorduar mes Francës dhe Gjermanisë”, ka thënë Gjini në Pressing.

Franko-gjermanët

Franca dhe Gjermania kanë shtuar aktivitetin e tyre sa i përket një marrëveshjeje potenciale mes Kosovës e Serbisë.

Kjo u pa edhe me angazhimin e këshilltarëve të presidentit Macron e kancelarit Scholz, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Të dy këta u emëruan në rolin ndihmës të Lajçakut e Borrellit për negociatat mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit.

Plötner, 54 vjeçar, është këshilltari kryesor për politikë të jashtme i Olaf Scholz. Plötner u bë i famshëm për deklaratën e tij ndaj Rusisë disa muaj pas fillimit të luftës.

Këshilltari gjerman për politikën e jashtme ndër tjerash kishte deklaruar se marrëdhëniet me Moskën janë një çështje e madhe sa armët për Kievin.

Në anën tjetër, Bonne është i angazhuari i Frnacës për Samitin e G7-ës në hartimin e Planit të Përbashkët për Veprim.

Gjithashtu, punon në Nord Stream 2 dhe në paktin AUKUS (Pakti trepalësh) dhe gjithashtu njeriu kryesor në çështjet bilaterale me partnerët kryesorë të Francës.

Letra e vendimeve të vështira

Kujtojmë se Macron dhe Scholz u kishin dërguar nga një letër të dy liderëve, Kurtit e Vuçiq për të marrë vendime të vështira në të mirë të qytetarëve.

“Po ju adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’ju bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpien drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhej veç tjerash në letër.

Gatishmëria

Ajo që është e rëndësishme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar se është i gatshëm për të shkuar në dialog, kurdo që ftohet.

"Kurdo që të ftohemi ne jemi të gatshëm, por deri atëherë duhet të vimë në arat që punohen e çerdhet që inaugurohen", ndërsa më pas shtoi edhe frazën optimiste: "Jeta vazhdon", duke aluduar se ka edhe çështje tjera për t'u marrë.

Deri më tani nuk ka asnjë datë të caktuar për takimin e radhës, të proklamuar tash e sa kohë për në muajin tetor.

Sakaq, Emisari i Posaçëm i BE-së për dialogun, sllovaku Miroslav Lajçak është duke qëndruar në Serbi, ku sot gjatë ditës është takuar me Vuçiqin, e më pas edhe me Petkoviqin.

"Sot në Beograd vazhdova diskutimet e hapura dhe serioze me presidentin Vuçiq në rrugëtimin për normalizim të marrëdhënieve. Energjia dhe targat ishin më të rëndësishmet që u përfolën e të cilat kërkojnë zgjidhje. Të njëjtat diskutime i pata edhe me Petkovicin", shkroi ndër të tjerash ai.

Lajme të ngjashme