“Është normale”,“fletorja e televizori”: Besnik Bislimi skandalizon me deklaratat
Nuk është hera e parë që zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi skandalizon me deklarata për tema të ndryshme. Deklarimet e tij aq sa janë qesharake janë edhe të dhimbshme, pasi thuhen nga njeriu i dytë më i rëndësishëm i Qeverisë Kurti.
Besnik Bislimi vetëm sot gjatë raportimit të tij në Komision për Integrim shprehu disa qëndrime të çuditshme dhe intresante.
Fillimisht po ndalemi të ikja e të rinjve që është shqetësimi i kahmotshëm në vend.
Për Bislimin ikja e të rinjve është diçka normale. Në anën tjetër, bizneset dhe kompanitë veçse kanë filluar që të ndjejnë mungesën e fuqisë punëtore.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk janë të lidhur me Bashkimin Evropian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, për rritjen e çmimeve, Bislimi mori një shembull ku në fund doli që qytetarët kanë 114 euro. Por qysh, na shpejgon zv.kryeministrit Bislimi.
“Kur ne themi ka rritje reale, kjo nënkupton kështu: në qoftë se kjo shportë e konsumit në vitin 2021 ka kushtuar 100 euro dhe tash për shkak të inflacionit kushton 110 euro, individët i kanë 114 euro në xhep, pra përtej kostos së inflacionit kanë edhe 4 për qind (ka menduar 4 euro) apo 3.7 për qind më shumë. Do të thotë, prap mund ta bleni të njëjtën shportë përkundër inflacionit, plus ka 3 për qind më shumë.” – ka thënë ai gjatë raportimit të tij në Komision.
Ajo që ishte më qesharake në raportimin e tij është pjesë kur mori një shembull për punën se a është ftohtë apo ngrohtë dhe nëse një fletore mund të jetë televizor, duke u ndërlidhur për mënyrën sesi mund të vendosin qytetarët për këta dy shembuj.
“Ne mund të japim opinionet tona për atë që hynë në sferën e subjektivës. Unë mund të them se sot është ngrohtë ju mund të thoni se sot është ftohtë, i mbetet qytetarëve të vendosin se kush e ka mirë, por në qoftë se unë them që kjo është fletore dhe ju thoni se është televizor, nuk mund të themi se ju mbetet qytetarëve të vendosin se a është televizor a fletore sepse kjo dihet që është fletore.” – ka thënë ai.
Më tej, Bislimi jo për herë të parë, por ndoshta as të fundit, arsyetoi punësimet e militantëve partiakë. Ai mori vetën si shembull.
“Nuk mendoj nëse është gabim që Besnik Bislimi emërohet në një ndërmarrje publike sepse është makro-ekonomist. Nëse Bislimi emërohet vetëm se është militant politik e me shkollë të mesme, ky është problemi. Nëse kemi aktivistë që përmes konkurse dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës, ne do të jemi të lumtur sepse në radhët tona kemi ekspertë” – ka thënë ai.
Nuk duhet të harrojmë kurrsesi deklaratën e tij, kur përmes një shembulli, mëtonte të tregonte që qëndrimi personal ndryshon ndër vite.
“Nuk mund t’i thuash pse nuk po thua që i ke 25 vjet në vitin 2022 dikujt që thoshte se i kishte 25 vjet në vitin 2018,” – thoshte Bislimi.


