Bislimi tha se ikja e qytetarëve është normale, Hoti: A janë normal këta çfarë po flasin?
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ikjen e qytetarëve nga Kosova e ka cilësuar si normale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se nuk mund të jetë normale largimi i 100 mijë qytetarëve nga vendi.
Ai ka pyetur se a janë normal këta njerëz.
“Largimi i qytetarëve nga Kosova qenka normale sipas qeveritarëve?! Si mund të jetë normale nëse largohen nga vendi më shumë se 100 mijë qytetarë në dy vitet e fundit?! Ky numër përbën rreth 7% të popullsisë nga mosha 24 vjeç e sipër. Shtrohet pyetja, a janë normal këta çfarë po flasin?”, ka shkruar Hoti.
Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislim, sot ka raportuar në Komisionin për Integrimeve Evropiane.
Gjatë raportimit, Bislimi është pyetur edhe për ikjen e qytetarëve nga Kosova.
Sipas tij, ikja e qytetarëve nga Kosova është fenomen normal.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, ka thënë Bislimi.