Erdhi dita, sot takimi Kurti - Vuçiq - NACIONALE

Erdhi dita, sot takimi Kurti - Vuçiq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në kryeqendrën evropiane, Bruksel, në tentim për të gjetur një marrëveshje rreth ngërçit politik dhe situatës së krijuar në veri.

Takimi i ashtuquajtur "urgjent" pritet të ndodhë rreth orës 08:00, fillimisht ndaras, e pastaj një i tillë i përbashkët.

Kujtojmë se ngjarjet e fundit rrodhën si pasojë e refuzimit që Qeveria e Kosovës i bëri kërkesës së amerikanëve dhe jo vetëm për të shtyrë për 10 muaj të tjerë vendimin për targa, me ç'rast serbët në veri liruan institucionet kosovare.

Ky vendim la pasoja edhe në juridiksion. Presidentja konform ligjeve në fuqi u detyrua të çojë në zgjedhje katër komunat veriore, teksa pak më "lehtë" ishte në legjislativ, ku deputetët serbë u zëvendësuan me të tjerë.

Tërheqja e serbëve u vërejt më së shumti në drejtësi, saktësisht te policia, boshllëk i cili mori vëmendjen edhe të mediave botërore.

Reuters, në një artikull të publikuar në fundjavë tha se situata në veri nuk është stabile dhe se policët evropianë, pra ata të EULEX-it po qëndrojnë në atë pjesë, pasi ende s'është gjetur zgjidhje për zëvendësimin e atyre që zhveshën uniformat.

"Tani për tani, ne vetëm po monitorojmë situatën dhe e njëjta ende është e ndjeshme", tha Mariano Bastanza, komandant i 25 karabinierëve italianë që erdhën si përforcim i kolegëve të tyre polakë.

Shpresa

Departamenti Amerikan i Shtetit shpreson në një marrëveshje mes palëve. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i DASh-it për Radion Evropa e Lirë.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha ndër të tjerash ky zëdhënës.

Kujtojmë se pak javë më parë, Ned Price, pat deklaruar se dialogu mes Kosovës e Serbisë është prioritet për ShBA-në, andaj ka kërkuar nga palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në ShBA”, kishte thënë mes tjerash Price.

Ç'tha Vuçiqi?

Fjalët e Vuçiqit nuk ishin aspak shpresëdhënëse, dhe si gjithnjë teatrale.

Ai e quajti situatën si “më të vështirën në 10 vitet e fundit, dhe se nuk bëhej fjalë vetëm për targat”. Vuçiq shtoi se po nisej për në Bruksel por se nuk ishte aspak optimist se do të arrihej një marrëveshje.

“Nëse do të kishte dashur ta shtynte vendimin (për targa ilegale) do ta shtynte më herët,”tha Vuçiq.

“Tash serbët e kanë kuptuar se nuk ka marrëveshje me atë njeri,” – vazhdoi më tej.

Pozicioni i Kosovës

Qeveria Kurti nuk ka treguar shenja të zmbrapsjes përkundër presionit të shtuar ndërkombëtar ditëve të fundit.

Zëvendësi i Kurtit në Qeveri dhe dialog, Besnik Bislimi, u shpreh edhe qortues ndaj BE-së dhe ShBA-ve për këtë çështje në dy intervista që pati para disa ditësh në vend.

“Kur unë pyes (BE-në) se çka ndodh në gusht të vitit 2023 (pas përfundimit të shtyrjes 10 muajshe), nuk ka pasë përgjigje,” – kishte thënë ai.

Shtyrja

Në mënyrë të heshtur dhe pa asnjë shpjegim, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën bën të ditur se prej datës 22 nëntor do të fillojë gjobitjen e qytetarëve serbë me targa ilegale, dhe jo prej ditës së nesërme siç ishte paralajmëruar më herët (21 nëntor).

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.” - tha Policia e Kosovës dje.

Lajme të ngjashme