"Ende në shqyrtim": MPB-ja e Gjermanisë deklarohet mbi kërkesën e Sveçlës për pasaporta
Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë është duke e shqyrtuar ende kërkesën e Kosovës që qytetarëve t’u lejohet hyrja atje me pasaporta me afat të skaduar.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zëdhënësi i këtij institucioni, Sascha Lawrenz, ka thënë se Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet.
Krejt kjo, sipas përgjigjes, me udhëzimet globale të ICAO, Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim.” – thuhet në përgjigjen e MPB-së gjermane.
Sveçla s’flet
Ishte ai që e bëri kërkesën, e cila u publikua nga portali “Kallxo.com”. Në të njëjtën, u kërkohej autoriteteve që gjermane që shtetasve kosovarë t’u lejohet hyrja me pasaportë të skaduar, për shkak të pamundësisë që ta pajisen me të reja aktualisht.
Megjithatë, vet ministri nuk ka folur ende për një situatë të tillë.
Sidoqoftë, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Nora Fetoshi, i ka thënë Radio Evropës së Lirë se kompania e kontraktuar për furnizim me material, nuk ka arritur ta sigurojë ende të njëjtin.
“Si shumë shtete të tjera, edhe ne po përballemi me vështirësi të furnizimit me materiale, vështirësi këto që i ka shkaktuar kriza globale si dhe pandemia me COVID-19.” – ka thënë ajo.
Reagon opozita e analistët
Shumë reagime ka pasur në lidhje me këtë situatë të krijuar, sidomos nga opozita dhe analistët.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se shumë mërgimtarëve u ka skaduar afati i pasaportave, dhe se Qeveria, nuk arriti që t’ua sigurojë të paktën materialin.
“Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?” – ka shkruar ai.
Ndërkaq, në lidhje me këtë, Nacionales i foli zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e cila ka thënë se “është e pabesueshme që qeveria nuk ka arritur ta zgjidhë një problem kaq bazik”.
“Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie. Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia. Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania.” – na tha ajo.
Ndërkohë, mëngjesin e së hënës, analisti Imer Mushkolaj, ironizoi me këtë situatë, duke i thënë ministrit Sveçla se kërkesa ishte “ide Xheniale”.
“Në pritje t'përgjigjes së Gjermanisë për me udhëtu me pasaporta të skadume. Bravo Xhelal, ide Xheniale.” – ka shkruar ai.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, të dielën tha se ky pushtet “do të mbahet mend edhe për këtë akt të pashembullt të abuzimit”.
Ndërkaq, pak më parë, ka ironizuar edhe profesori Avdi Smajljaj, i cili tha se “shteteve që nuk na kanë njohur, do të duhej kërkuar edhe se a mund të na japin letër për pasaporta”.


