Ekskluzive: Edi Rama në darkë me Vjosa Osmanin - NACIONALE

Ekskluzive: Edi Rama në darkë me Vjosa Osmanin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk është “darka e gabuar” e Ismail Kadaresë. Mund të jetë “darka e gabuar” e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Nacionale ka marrë vesh se ajo po darkon me hiç më pak se kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i shndërruar në një nga personat më të padashur për kryeministrin Albin Kurti sidomos në këto kohë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka pësuar rëndë me shumë e shumë komente të ashpra nga vartësit e kryeministrit Albin Kurti së fundmi. Ai është shprehur thellësisht i shqetësuar në lidhje me zhvillimet në veri dhe me masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga partnerët më të mëdhenj të saj dhe e ka anuluar një mbledhje qeveritare më 14 qershor.

Presidentja Vjosa Osmani po ashtu është shprehur e shqetësuar, por duke qëndruar publikisht në vijë publikisht me politikën e kryeministrit të Kosovës.

Por, duket se darka e sotme vetëm sa do të rris thashethemet se presidentja Osmani më shumë pajtohet për temën e veriut dhe ndëshkimeve nga partnerët me kryeministrin Edi Rama se sa me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin kishte lidhur koalicion për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Osmani është parë duke darkuar në Ulqin të Malit të Zi, pikërisht me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë që vazhdon të jetë i shënjestruar nga ana e mbështetësve të kryeministrit Kurti.

Nuk dihet nëse një darkim i tillë do të përkthehet edhe në zhvillime politike në Kosovë, por është e qartë se nuk besohet që këtë darkë do ta shohë me sy të mirë kryeministri Kurti.

Raportet Rama-Osmani

Deri tash, raportet mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama kishin qenë mjaft të vështira.

Rama ka bërë një fushatë të madhe për të dëshmuar padrejtësinë me të cilën po përballej në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi, një nga kundërshtarët më të mëdhenj politikë të Osmanit. Ai madje në disa raste i është referuar Thaçit si “president” dhe jo si “ish-president”.

Në anën tjetër, ‘vështirësisë’ në raporte besohet t’i kenë kontribuuar edhe problemet e Ramës me kryeministrin Kurti.

Dhe se raporti Rama-Osmani nuk ishte shëndoshur e dëshmoi edhe fillimi i muajit qershor. Të dy ishin pjesëmarrës në samitin e Moldavisë dhe zhvilluan një numër të madh takimesh, por asnjëri e as tjetri nuk e postuan ndonjë fotografi të përbashkët.

Pikërisht në atë kohë, kryeministri shqiptar e kishte informuar publikun për dorëzimin e një draft-statuti të Asociacionit në Bruksel, çka kishte rritur kritikat nga mbështetësit e VV-së për të.

Në një nga kritikat më të ashpra të saj ndaj Edi Ramës, presidentja Osmani kishte thënë edhe se nuk duhej t’i shpëtohej fytyra Serbisë.

“...unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve" – kishte thënë ajo.

Pse kjo fotografi ka rëndësi?

Presidentja Osmani ka shprehur vetëm tërthorazi ndonjë kritikë për Kurtin. Ta zëmë, kishte thënë se ishte "absolutisht zhgënjyese" mungesa e njohjes në marrëveshjen e Brukselit/Ohrit. Por, tashmë - kur Kosova haptas po ndëshkohet nga partnerët e saj - koha po kërkon përcaktim të qartë.

Dhe një shenjë se përcaktimi në fjalë tashmë mund të jetë bërë, dhe jo në favor të Kurtit, mund të jetë edhe kjo fotografi me njeriun që mban anën tjetër.

Rama nuk ka qenë thjesht kritik i Kurtit sa i përket ndëshkimeve nga ShBA-ja dhe BE-ja. Ai ka qenë - thënë kushtimisht - një lajmëtar i apokalipsit për shtetin tonë të vogël. Dhe ka qenë i tillë, mu në kohën kur Qeveria Kurti me vartësit e saj është përpjekur të relativizojë gjithë atë që po ndodhte duke i cilësuar lajmërimet e Ramës si krejtësisht të gabuara.

Fotografia e presidentes Osmani me Edi Ramën në këtë moment, pa dyshim, i forcon më tej mesazhet e këtij të fundit duke shkaktuar një tendosje potenciale me kryeministrin Kurti.

Lajme të ngjashme