Sipërfaqësor e pa njohuri: Surroi e sulmon ashpër Edi Ramën dhe i kërkon ta dëgjojë Albin Kurtin
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, e ka marrë një qortim mjaft të rëndë nga publicisti Veton Surroi. Ai nënkupton se kryeministri shqiptar është i paditur dhe sipërfaqësor në deklarimet e bëra së fundi në Bruksel.
Kryeministri i Shqipërisë duket përnjëmend i shqetësuar për atë që po ndodh në veri të Kosovës.
Ai u shpreh në Bruksel pas takimit me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian (BE) edhe se kriza e re ishte prodhuar pasi Kurti dhe Vuçiqi po vepronin bazuar në sondazhet e brendshme.
“Fatkeqësisht, së fundi të dyja palët i kishin sytë te politikat e brendshme dhe sondazhet e nxitur nga retorika nacionaliste.” – tha mes tjerash Rama.
Sipërfaqësor
Këto fjalë duket se e kanë acaruar publicistin Surroi, që nuk ngurroi t’i quante si “sipërfaqësore”.
“Cicërima përmban thjeshtësinë e vlerësimeve që më duket se e ka të vështirë të kalojë provën e sipërfaqësisë,” – shkruan z. Surroi në opinionin e tij të publikuar sot në mëngjes në portalin Koha.
Surroi shfajësoi si Kurtin ashtu edhe Vuçiqin. Sipas tij, asnjëri nuk po vepronte i ndikuar nga sondazhet. Dhe, për rrjedhojë, të dy po vepronin duke e menduar thjesht dhe vetëm “interesin shtetëror-kombëtar”.
“Pra, mendoj se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë konsekuentë në qëndrimet e veta dhe se janë duke vepruar në atë që të dytë mendojnë se është interesi shtetëror-kombëtar.” – vijon tutje publicisti në fjalë.
Por, a mos është edhe kjo deklaratë paksa sipërfaqësore? Në fakt, ka pasur edhe zëra të tjerë që përkrahin Kurtin të cilët të paktën e kanë sulmuar Vuçiqin se po kërkon të shpërqendrojë vëmendjen nga protestat e mëdha në Serbi. Surroi duket se nuk ka dëgjuar për to.
Njohuritë e munguara
Kur e akuzon Ramën se është i paditur për problemin, shkrimtari thotë se “përkushtimi” për zgjidhjen e problemit nuk e zëvendëson njohurinë për atë problem.
“Kryeministri Rama njëkohësisht demonstroi se përkushtimi për ta zgjidhur një problem, madje edhe i shpërfaqur me bollëk, jo domosdoshmërisht zëvendëson në mënyrë të duhur njohurinë për problemin.” – thotë ai.
Megjithatë, Surroi nuk tregohet preciz për të treguar se ku saktë po ia huqte kryeministri i Shqipërisë dhe se çfarë njohurish i mungonin.
Tutje, ai akuzon Ramën se përmes fjalëve të tij po jepte tingullin sikur “dyzet ushtarët e KFOR-it të plagosur të ishin rrahur nga vetë Kurti, Sveçla dhe simpatizantët e VV-së...”
Nuk ka asnjë dyshim se z. Rama e di se kush e kreu dhunën ndaj KFOR-it.
Surroi megjithatë ka një këshillë që tingëllon disi më e butë për z. Rama: të krijojë hapësirë për ta dëgjuar Kurtin por të mos flasë shumë në publik.
“Me përkushtimin e njëjtë për Kosovën, nëse për diçka do të vlente, zbutja e vëllimit të deklarimeve publike mbase do të ndihmonte për diçka të re, krijimin e hapësirës për të dëgjuar.”
Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.


