“E then kurrizin, përjarget”: Përvjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës përplasë keq LDK-në e Vetëvendosjen - NACIONALE

“E then kurrizin, përjarget”: Përvjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës përplasë keq LDK-në e Vetëvendosjen

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri ka goditur ashpër Kryeministrin Albin Kurti e partinë Vetëvendosje, në Akademinë përkujtimore për figurën e Presidentit Rugova, të cilën e organizoi vet LDK, meqenëse figura e Ibrahim Rugovës, nuk do të përkujtohet si çdo vit tjetër në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” në Gjilan.

Shkas për këto fjalë të Hazirit ndaj Kurtit u bë pikërisht anulimi i Akademisë për Rugovën, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” e që ishte mbajtur çdo vit po në këtë datë.

Haziri ka akuzuar Vetëvendosjen në Gjilan, se me urdhër nga Prishtina, e ndalën Akademinë për Rugovën, sepse sipas Hazirit, Rugova po ju pengon edhe për së vdekuri.

Tash jemi në opozitë në Gjilan edhe në nivel qendror. Saherë që jemi dalë prej zyres, punën e parë që kanë mujt me ba kta, e kanë largu Akademinë e Ibrahim Rugovës nga manifestimi Flaka e Janarit.

Shtyllat e Flakës së Janarit nuk duhet të preken asnjëherë.

Sahere që ne kemi ndryshu pak, kta punën e parë që e bojnë është me e goditë figurën e Ibrahim Rugovës.

Edhe për së vdekuri po ju pengon.

Edhe vitin e kaluar tentuan ta ndryshojnë, por arritëm me e prandalu. Këtë vit e bënë, me porosi.

Përderisa shkojnë jargiten, e thejnë kurrizin para varrit të tij në Prishtinë, në Gjilan ia ndalin aktivitetin.- ka thënë Haziri.

Tutje Haziri ka thënë se pavarësisht ndalimit të këtij aktiviteti, partia e Presidentit Rugova, familja e tij, e rugovistët nuk do ta lënë asnjëherë vet duke shtuar se sa ishin ata në pushtet i nderonin të gjitha figurat, ndërsa sipas tij, këta po i dallojnë edhe figurat historike.

“Por e mira e madhe në këtë demokraci e në këtë liri të Kosovës është se familja e tij, besimtarët e tij, rugovistat e tij, nuk e lanë kurrë vet dhe kanë me qendru gjithmonë. Edhe të familjes së tij edhe të partisë së tij, kanë me qëndru gjithmonë bashkë.

Gjilani ka mbet pa kryetar. Gjilani udhëheqet nga grupet joformale. Sepse po të kishim kryetar kjo akademi do të mbahej në Flaken e Janarit.

Ne datat nuk mundemi me i ndryshu, sepse Skenderbeu ka vdekë në Janar dhe Ibrahim Rugova ka vdekë në Janar edhe Rexhep Mala dhe shumë të tjerë.

Ne i kemi nderu të gjith. Këta neve po na dallojnë.”- ka deklaruar i pari i LDK-së në Gjilan.

Pse u “avullua” Ibrahim Rugova?

Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, në Komunën e Gjilanit më datë 4 dhjetor ka publikuar Agjendën e titulluar “Flaka e Janarit 2023”.

Aty u listuan të gjitha aktivitetet që parashihen ta shoqërojnë manifestimin, i cili fillon më 11 e përfundon më 31 janar.

I madh e i vogël reaguan në Gjilan. Dyshimet se pushteti i Vetëvendosjes është i ngarkuar ideologjikisht, e me qëllim po dëshiron ta zbehë figurën e ish presidentit Rugova, mungesa e interesimit për organizimin e Akademisë, ishin e janë, disa prej pretendimeve.

Gazeta Nacionale, e ka pyetur drejtpërdrejtë Drejtorin për Kulturë në Gjilan, z. Kushtrim Zeqiri për këtë çështje. Ai në përgjigjjen dhënë Nacionales ka thënë se Akademia për Dr. Rugovën nuk është shtyllë kryesore e Flakës së Janarit, e se nuk do të futet në agjendë, pasi ajo veçse është publikuar.

“Pa tendencë, Akademia e Dr.Rugoves nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë një ndër shtyllat kryesore të Flakës së Janarit, dhe DKRS (Departamenti i Kulturës...) nuk ka larguar Akademinë për Dr. Ibrahim Rugovën por nuk ka patur asnjë aplikim për të krijuar një koncept të tillë qoftë edhe jashtë thirrjes publike. Ka shumë zëra që ka qenë tendencioze, por DKRS-ja është e hapur të pranojë dhe të mbështes kërkesën për Akademinë e Dr. Rugovës duke ofruar kapacitetet e saj si: Sigurimin e sallës së Teatrit dhe anës logjistike të organizimit. Kurse, sa i përket Agjencës së aktiviteteve të Flakës së Janarit, neve tashmë e kemi publikuar dhe mbetet e pandryshuar,” – tha ai.

Si u bë “dallaveri”?

Në fakt, “dallaveri” kushtimisht, u bë sepse këtë vit u vendos që manifestimi Flaka e Janarit të rimodifikohet, në atë mënyrë që të ndahet në faza.

E për secilën fazë, duhej të aplikohej veç e veç, për ta marrë të drejtën e organizimit.

Tek, pika Akademia e Flakës, e që zakonisht ishte e ndarë për ta përkujtuar figurën e Dr. Ibrahim Rugovës, del të mos ketë aplikuar askush.

Por, a u modifikua qëllimisht që të komplikohej e të dështojë Akademia, apo ishte thjesht një mungesë e organizimit?

Sipas LDK-së e vërteta qëndron te pretendimi i parë, e sipas Vetëvendosjes te i dyti.

Ajo që dihet është se sa ishte gjallë Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, njihej si figurë unifikuese, por që nga vdekja e tij e deri më sot, jo rrallë herë kemi parë përplasje të lloj-llojshme, në lidhje me figuren e tij.

Këto përplasje duket se kanë kulmuar në Gjilan, pikërisht në 17 vjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova.

Lajme të ngjashme