Historia e atentateve politike në Kosovë: Cak për eliminim ishin edhe Rugova, Thaçi e Kurti
Opinioni publik në Kosovë është tronditur nga lajmi për planifikim të atentateve për vrasjen e dy liderëve kryesor opozitarë. Përveç Lumir Abdixhikut dhe Memli Krasniqit, në listë për ekzekutim ishin edhe tre deputetë të LDK-së dhe një deputete e PDK-së. Në këtë artikull gazeta Nacionale sjell historikun e atentateve politike në Kosovë.
Historia e atentateve politike në Kosovë është e gjatë. Në periudhën e pasluftës, në Kosovë kanë ndodhur dhjetëra atentate politike. Disa prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, duke vrarë dhe plagosur veprimtarë e aktivistë të partive politike. Cak të atentateve politike ishin edhe liderët politik të Kosovës. Planifikime për vrasje ishin bërë edhe për ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin aktual Albin Kurti.
Lidershipi i LDK-së dje ishte informuar nga autoritetet gjermane të ministrisë së Punëve të Brendshme se planifikohej një atentat ndaj tyre. Më pas, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se cak i një atentati të mundshëm ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të tjerë të LDK-së, Avduallah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Sipas burimeve të gazetës Express, një grup shqiptarësh që jetojnë jashtë Kosovës kishin rënë në përgjimin e policisë gjermane, teksa kanë qenë duke folur për realizimin e disa vrasjeve politike në Kosovë.
Disa orë më vonë, burimet e gazetës Nacionale kishin mësuar se organizatori i atentatit në shënjestër kishte edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe deputeten e kësaj partie Ganimete Musliu.
“I dyshuari mendohet që është një shqiptar i Kosovës që jeton në Belgjikë. Ai ka qënë duke u hetuar nga autoritetet gjermane për krime të tjera, e rastësisht ka rënë në përgjim për idetë e tij të çmendura, për të kryer krime politike në Kosovë”, ka thënë burimi, duke shtuar se motivi për këto atentate ishte politik.
Planifikimi i një atentati ndaj krerëve të LDK-së dhe PDK-së nuk është i vetmi atentat që është planifikuar në Kosovën e pasluftës.
Me poshtë, gazeta Nacionale iu sjell një historik të këtyre atentateve në Kosovë.
Planifikimi i atentatit ndaj Halitit dhe Kurtit
Media shqiptare A2 në shtator të vitit të kaluar ka raportuar se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, deputetit të PDK-së Xhavit Haliti dhe ish-komandantit të UÇK-së Ismet Haxhës.
Kjo media kishte publikua një dokument, i cili dyshohej se ishte marr prej hakereve nga emaili i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë.
Dokumenti tregonte se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj tri figurave politike në Kosovë.
Sipas raportimit, i dyshuari ishte Prek Kodra, i cili ishte një shtetas shqiptar.
Edhe Policia e Kosovës kishte konfirmuar informatën.
Edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, kishte pranuar se ishte informuar nga policia për planifikimin e këtij skandali.
“Detajet që janë përshkruar në ato dokumente unë nuk i kam ditur, sepse me siguri kanë qenë sekret i Policisë së Shtetit. Unë kam pasur informacion që po përgatitet diçka, që jam i rrezikuar, informacionin ma ka dhënë Policia e Kosovës. Nuk i kam ditur detajet, kush është, çfarë qëllimesh kanë, se kam ditur edhe për dy të tjerët të cilët e kishin bërë planin", kishte thënë Haliti.
"Syri i popullit" synonte vrasjen e Thaçit, Veselit dhe Mustafës
Në vitin 2017 Policia e Kosovës kishte identifikuar një organizatë me emrin "Syri i Popullit", e cila synonte vrasjen liderëve politik të Kosovës. Për këtë rast ishte ngritur edhe një akuzë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në bazë të akuzës, anëtaret e kësaj organizate synonin eliminimin e ish-presidenti presidentin Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, ish-kryeministrin Isa Musta dhe disa figurave tjera politike.
Ky grup kishte filluar t`i zbaton edhe në praktikë eliminimet politike.
Murat Jasharin, i cili konsiderohej si njeri nder udhëheqësit e grupit, kishte kryer tentim-vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi. Më 12 mars të vitit 2017, Jashari kishte plagosur avokatit Azem Vllasi në derë të banesës së tij në Prishtinë.
Për këtë vepër, ai ishte dënuar më 10 vjet ndalesë në institucione shëndetësore për shkak të gjendjes së tij psikike.
Në janar të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë edhe disa anëtar të këtij grupi. Por, më pas Gjykata e Apelit i kishte liruar nga aktakuza.
Snajperisti serb planifikonte ta vriste Hashim Thaçin
Ish-presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte cak i një atentatit edhe në vitin 2014. Kësaj here për ta kryer detyrën ishte ngarkuar një snajpersit serb me përvojë.
Në prill të vitit të kaluar, sh-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, kishte treguar se shërbimet e intelegjencës së Kosovës kishin parandaluar një atentat ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte planifikuar të ndodhte në vitin 2014 në ndeshjen e parë të kombëtares së Kosovës.
Sipas tij, planifikimi i atentatit ishte nisur edhe shërbimi sekret serb. “Me metoda të tilla. Metodologji e njëjtë që të kryhej atentat ndaj titullarëve tonë në ndeshjen e kombëtares së Kosovës. Ishte punësuar një snajper nga forcat elitare serbe dhe i cili pastaj, në bashkëpunim me shërbimet partnere, nuk e kishte mohuar shërbimi serb që ishte planifikuar diçka e tillë. Me partnerët tonë kishim dërguar mesazh në Serbi që të ndalohej kjo dhe të arrestohej ai. Ai ishte arrestuar”, kishte treguar Smaka për T7.
Atentati ndaj Rugovës
Një nga atentatet me të njohur në Kosovë ishte ai ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova, i cili kishte ndodhur më 15 janar të vitit 2005. Derisa eskorta e presidentit po qarkullonte në drejtim të Zyrës së Presidentit, Rugova i kishte shpëtuar një atentati. Kur eskorta e tij kalonte në rrugën mbrapa Teatrit Kombëtar kishte plasur një mjet shpërthyes, i cili kishte dëmtuar makinën në të cilën gjendej ai. Rugova nuk kishte pësuar ndonjë lëndim.
Atentati kishte ndodhur derisa Rugova shkonte në një takim me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.
“Fal Zotit, shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft këso. Tash një vit gjuajtën mbi shtëpinë time, nuk po i përmendi ato të tjerat...”, kishte thënë Rugova, pas atentatit në një konferencë për media.
Autorët e këtij atentati nuk janë zbuluar kurrë.
Vrasjet e veprimtarëve të LDK-së
Pas luftës në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte partia që ishte goditur më se shumti nga atentatet. Cak të këtyre veprimeve mizore ishin shumë udhëheqës e zyrtarë të lartë të kësaj partie. Fatkeqësisht, disa prej këtyre atentateve kanë rezultuar me vrasje të personaliteteve të rëndësishme të kësaj partie.
Ndër vrasjet me makabre të pas luftës ishte ajo e Xhemajl Mustafës. Veprimtari i shquar i LDK-së ishte ekzekutuar më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Goditje tjetër e rënë për këtë parti ka qenë edhe vrasje e veprimtarit dhe avokatin Shaban Manaj. Gjatë këtyre dy dekadave, edhe disa zyrtarë e aktivist të LDK-së janë vrarë dhe plagosur. Deri me tani asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është zbardhur.


