Video rrëqethëse: Rugova iu ofron cigare dhe përqafohet me banorët e një fshati në Kosovë - NACIONALE

Video rrëqethëse: Rugova iu ofron cigare dhe përqafohet me banorët e një fshati në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Adnan Merovci muaj më parë ka publikuar një video të presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1998 e cila duket të mos ketë marrë vëmendje të mjaftueshme publike. Por, e cila ka rëndësi sidomos në këtë kohë polarizimesh politike në vendin tonë. Çka na shfaq kjo video?

Rugova duket se bën një vizitë të papritur te banorët e fshatit Astrazub në Malishevë. Ajo që duket mbresëlënëse është afërsia e treguar nga ish presidenti historik i vendit me këta banorë, shumë prej të cilëve i kap në përqafim dhe tregohet krejtësisht i çlirshëm e i natyrshëm në ndërveprime. Një e kundërt ekzakte me krerët aktualë institucionalë, që nuk kanë këtë gjuhë trupore në ndërveprimet e tyre me qytetarët e rëndomtë.

“Kom ardhë pa pritë kështu,” – i thotë një banori fillimisht Rugova, derisa ndanë tij duket edhe Christopher Hill, ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

“Adnan, a kena naj cigare? A pin kush duhon? T’jau qes, jo jo unë t’jau qes...”- thotë në një komunikim tjetër, duke buzëqeshur presidenti i ndjerë. Ndërkohë, në prapavijë duket një shtëpi e djegur por edhe situata e rëndë që mbretëronte në Kosovë.

Presidenti shihet më pas edhe në ndërveprime tjera, tepër i afërt me popullin, duke ndarë përqafime të ngrohta me secilin që i avitej.

Duhet kujtuar se koha për të cilën po flasim është mes kohërave më të vështira të historisë së Kosovës, viti 1998, ndërkohë që thjeshtësia e Rugovës - president i vendit - duket krejtësisht e pabesueshme për sytë e gjeneratave të reja të mësuara me politikanë të tjerë.

Rugova ishte shquar edhe për fjalorin e matur dhe unifikues gjatë kohës si president, përkundër kritikave e sulmeve që i vinin gati nga të gjitha anët.

Aktualisht, vendi ynë vazhdon të përballet me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit në sferën politike, që shpesh nxitet nga vetë liderët politikë.

Lajme të ngjashme