E majta që s’po qeveris si e majtë
Për shumë vite si opozitë, Lëvizja Vetëvendosje përpiqej t’i bindte votuesit kosovarë se vendit i duhet një model i majtë qeverisës.
Qëllimet e përgjithshme që kishte VV-ja ishin për një model politik ku i kushtohet vëmendje barazisë shoqërore, të drejtave të punëtorëve e klasave të shtypura në përgjithësi, sepse për Vetëvendosjen, në 20 vite, Kosova ishte sunduar nga “pakica që ka shumë”.
Mirëpo, me ardhjen në pushtet, Vetëvendosja e Albin Kurtit po kritikohet se ka devijuar nga boshti i saj ideologjik, duke u etiketuar se modeli që po praktikon në pushtet nuk është model i politikës që se kemi parë.
Përplasjet e fundit me Sindikatat, duket se nuk ngjasojnë aspak me një formacion të majtë qeverisës, ngase zhvillimi i të drejtave të njeriut për punë dhe organizmi sindikal, konsiderohen njërat nga pikat kryesore konceptuale të së majtë.
Shpërfillja e Sindikatave
Vetëvendosje e veshur me pushtet duket se e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë gjuhë të përbashkët me Sindikatat, veçanarisht asaj të arsimit, të cilët për shkak të mosmarëveshjes me ministrinë e arsimit janë futur në grevë.
Mirëpo, si asnjëherë më parë, Qeveria e Kosovës u ka shpallur “luftë” grevistëve duke i paralajmëruar punonjësit e sektorit publik se shteti nuk do të paguaj paga për ata që grevojnë.
Në një konferencë të sotme për shtyp, ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se punonjësit që janë në grevë nuk do të paguhen.
“Si qeveri, nuk mendoj se so të duhej të kishte grevë, apo kërcënime e shantazh siç ka pasur çdo vit, ashtu që prindërit nuk janë të sigurt nëse do t’i dërgojnë fëmijët në shkolla apo jo”, ka deklaruar Murati.
Madje, edhe siç ishte raportuar ditë më parë, nga Zyra e Financave në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është kërkuar lista e punëtorëve grevistë, të cilët do të largohen nga lista e pagave për muajin gusht 2022.
Për Zgjim Hysenin nga Partia Socialdemokrate, marrëdhënia e qeverisë më sindikata është “raport lufte”, duke konsideruar se dialogun social, qeveria po e ndërprenë përmes ligjit.
“Raporti i Qeverisë Kurti me sindikatat është raport lufte. Nëse qeverisjet e kaluara e kanë lenë anash dialogun social, Qeveria e tanishme e ka prerë permës ligjit. Kujtoni këtu ndryshimet e fundit ligjore qe defaktorizuan sindikatat në percaktimin e pagës minimale”, thotë Hyseni për Nacionale.
Për ish-aktivistin e Vetëvendosjes, “qeveritë autoritare” nuk njohin grupe shoqërore e as partnerë që ndërveprojnë.
“Përkundrazi, populli për ta është një, organik, ashtu që mishërimi i tij të jetë lideri”, thotë Hyseni.
Ndërkaq, për opinionistin Shkodaran Ramadani, raporti i qeverisë me sindikatat nuk paraqet vetëm ndryshime ideologjike të qëndrimeve. Për Ramadanin, sjellja e pushtetit ndaj sindikatave, tregon një “mashtrim” të Vetëvendosjes me këtë kategori, e cila sa ishte në opozitë mbështetse “parezervë” kërkesat e sindikatave, në veçanti ato të SBASHK-ut.
“Fjala “ndryshim” është eufemizëm sepse në realitet kemi të bëjmë me një mashtrim të punëtorëve dhe sindikatave. Krejt kjo në shërbim të rritjes së frustrimit dhe radikalizimit të veprimeve. Vetëm për të delegjitimuar pushtetet e kaluara dhe për t’u dukur si aleate dhe përfaqësuese e punëtorëve dhe sindikatave. Me të ardhur në pushtet, Qeveria Kurti jo vetëm që ka braktisur sindikatat. Ajo edhe iu ka shpallur luftë atyre, duke shpërfillur tërësisht kërkesat e tyre dhe duke mos kursyer as kërcënimet me ndalje të pagave, duke shkelur rëndë ligjin dhe kushtetutën, e cila garanton liri të punëtorëve nga përndjekja në rast të grevave”, i tha Nacionales Ramadani.
Për Ramadanin, qeveria Kurti në këtë kuptim nuk është as vazhdimësi e qeverive të kaluara. Për të, asnjë qeveri nuk ka qenë më shpërfillëse karshi sindikatave se ajo e Kurtit.
“Asnjë qeveri në të kaluarën nuk i ka kërcënuar me ndalje të pagave grevistët. Këtu nuk kemi vetëm shkelje të parimeve ideologjike dhe vlerore të Vetëvendosjes, por edhe shkelje të ligjit dhe kushtetutës, e cila ua garanton punëtorëve të drejtën për të hyrë në grevë, pa frikën se do të përndiqen politikisht dhe penalizohen ekonomikisht”, thotë Ramadani, teksa përmend rëndësinë që sindikatat kanë pasur historikisht në Kosovë.
Sa ishte në opozitë, VV-ja përkrahte Sindikatat
Në ligjerimin opozitar, VV nuk kishte kritika për Sindikatat të cilat i konisideronte si aleatë. Madje, i mbështeste ato përkrahte në greva dhe realizimin e kërkesave të tyre. Kjo histori e përkrahjes së VV-së ndaj Sindikatave, daton nga viti 2010, e deri më 2019 para se të vinin në pushtet.
“Ndërkohë që janë pikërisht këta punëtorë, minatorë, arsimtarë, mjek, shërbyes civil e pensionist të cilët sot janë hedhur në fund të ngrehinës sonë shoqërore, së bashku me studentët e bujqit, të lënë pa mbështetje e pa perspektivë, duke mos pasur mundësi që ta sigurojnë madje as bukën e gojës”, thuhej në një nga reagimet e VV-së opozitare,
Për Ramadanin, edhe pse “armiqësia” me sindikatat mendohet si praktikë e së djathtës dhe kampit neoliberal politik, ai thotë se realiteti është “më kompleks”.
“Nuk janë vetëm Ronald Reagan e Margaret Thatcher ata që kanë sulmuar sindikatat. Nëse neoliberalët duan zhdukjen e sindikatave si formacion i organizimit, të majtët duan kontrollimin e tyre të plotë. Edhe pse marksizmi si doktrinë e sheh proletariatin ai agjentin kryesor politik e revolucionar, praktika e shekullit XX solli diçka tjetër. Leninizmi nuk e pa proletariatin si subjektin kryesor, por vetëm si aksesor të partisë Bolshevike, e cila si parti pararojë do të bënte revolucionin komunist. Kështu, të majtët e shekullit XX e këndej klasën punëtore e panë vetëm si dytësore dhe në raste të caktuara edhe si pengesë”, mendon Ramadani.
Për Zgjim Hysenin, edhe në rrafshin ekonomik, modeli që po e ndjek VV, është “i dështuar”. Megjithatë, ai thotë se problemi nuk qëndron tek e majta si model, mirëpo tek braktisja idealeve.
“Sfida e të ardhmës është shpjegimi se modeli politik po dështon, nuk është dështimi i një politike të majtë, por tradhëtia e idealeve”, mendon Hyseni.
Ai kritikon qeverinë për mungesën e politikave ekonomike teksa argumenton se vendi ynë përballet me shkallën më të lartë të pabarazisë.
“Sipas Eurostat, Kosova e ka shkallen më të larte të pabarazise në Evropë, nëse e shohim hendekun midis atyre në krye të strukturimit shoqëror, dhe atyre që janë në margjina (Gini Index). Kurrfarë politika rishpërndarese nuk kemi, asnjë norme tatimore nuk ka ndryshuar. Ndryshe prej gjithë Evropes, Kosova nuk ka tatim në dividende as në trashegëmi. Punëtorët vazhdojnë të humbin jetën në punë, nderkohë pushteti ka hall futjen në dorë të Inspektoriatit”, mendon Hyseni.
Ndërkaq për opinionistin Ramadani, në qasjen ekonomike, VV-ja është bërë e djathtë, mirëpo, raportin me sindikata ai thotë se nuk mund t’i konsiderojmë as të majta as të djathta.
“VV-ja është bërë e djathtë në qasjen e saj ekonomike dhe lirinë e tregut, por raporti me sindiktatat në spektrumin ideologjik ka një shumëllojshmëri praktikash të cilat nuk mund t’i kategorizojmë si thjesht të majta ose të djathta”, thotë Ramadani.


