PDK refuzon ftesën e kryeministrit për takim
Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryetari i saj, Memli Krasniqi nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm me kryeministrin Kurti.
Këtë e konfirmoi para pak çastesh vet kreu i partisë përmes një video-adresimi.
Më poshtë edhe videoja e plotë, teksa kujtojmë se lajmi është në përditësim e sipër.
"Kryeministër nuk u befasova fare nga mënyra joserioze e ftesës pa përmbajtje, pa agjendë, dhe pa protokoll", tha fillimisht Krasniqi duke kritikuar mënyrën se si erdhi ftesë, gjë për të cilën raportoi mbrëmë edhe Nacionale.
Tutje, ai tha se kjo qasje përbuzëse e bëri të dyshojë në vërtetësinë e ftesës.
"Vetëm pasi kërkuam sqarime, mësuam përmes emailit poashtu se bëhet fjalë për dialogun Kosovë - Serbi, një çështje kjo tejet serioze", vazhdoi ai.
"Po jua rikujtoj që s'keni asnjë arsye të na ftoni për çështje teknike, ndërsa kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinionin publik po qarkullon një dokument që e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerë ndërkombëtarë".
"Po ju po e fshehni këtë fakt prej institucioneve dhe prej qytetarëve. Poashtu ju nuk po i tregoni as elementet e atij dokumenti dhe as qëndrimin tuaj për këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit", pohoi veç tjerash i pari i Partisë Demokratike.
Transparenca
Në pjesën e fundit të video-adresimit, ish-ministri i kulturës ia rikujtoi shefit të ekzekutivit se sa shqetësuese është mungesa e transparencës dhe qasja joserioze që Kurti e mban për një temë kaq serioze, gjithnjë sipas Krasniqit.
"Është shqetësuese kjo mungesë e transparencës dhe kjo qasje joserioze që ju e mbani për një temë kaq serioze. Siç e kam thënë edhe në shumë raste të tjera, Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë një marrëveshje finale që për bazë ka njohjen e ndërsjelltë dhe ruajtjen e rendit kushtetues të vendit tonë.
Në anën tjetër, kreu aktual opozitar deklaroi se PDK asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë dhe këtë nuk do ta bëjë asnjëherë.
Kësisoj, siç u shpreh në adresim, konform ligjit, ia propozoi Kurtit një thirrje seance të mbyllur, nëse për shkak të ndjeshmërisë së rastit kërkon më tepër kujdes.
"PDK asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësia shtetëtore dhe kurrë nuk do ta bëjë. Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz, sepse vendi i diskutimit nuk është në zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premtën në zyrën tuaj, ju ftoj t'i mbani në Kuvend.
Nëse për shkak të ndjeshmërisë së procesit kërkoni kujdes të shtuar e rrjedhimisht diskutimet në seancë të hapur të Kuvendit nuk është e preferuar për ju, atëherë thirreni një seancë të mbyllur, ashtu siç e parasheh ligji. Por, me kushtin që pa vonesë, do t'iu tregoni qytetarëve se çfarë keni ndërmend të bëni dhe se cili është pozicioni juaj për dokumentin e përfolur, lidhur me marrëveshjen Kosovë - Serbi. Shihemi në Kuvendin e Kosovës".

