“E di çka është evladi”, deklarata e Kumnovës para takimit të Ohrit, dhe rezultatet e marrëveshjes Kosovë-Serbi
Takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë Veriore ndërmjet Kryeministrit Kurti e Presidentit serb Vuçiq, prodhoi një dokument siç u tha nga BE, ligjërisht të obligueshëm, ndonëse pa firmat e palëve. Aty flitet edhe për një Deklaratë për Personat e Zhdukur. Çka thuhte në të?
Aneksi i zbatimit të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel më 27 shkurt, në fakt në përmbajtjen e tij, ka dy elemente konkrete: Vetmenaxhimi i Komunitetit serb në Kosovë dhe Çështja e të pagjeturve.
Pra, për vetmenaxhimin e serbëve të Kosovës e për çështjen e Personave të Zhdukur, do të ketë përcaktime të afateve kohore, konkrete, si dhe monitorim nga një grup vlerësues i kryesuar nga BE, në mënyrë që të monitorohet nëse këto obligime do të zbatohen me sukses nga Kosova dhe Serbia.
Përveç tjerash të çështja e Personave të Zhdukur si dhe te vetëmenaxhimi i komunitetit serb, përmetet edhe shprehja “urgjencë”.
Se qëllimi kryesor i Kosovës në këtë takim ishte vendosja e një paragrafi të veçantë për të pagjeturit e vërteton fakti se në takimin e Ohrit, i pranishëm në ekipin kosovar ishte edhe Kryetari i Komisionit për Çështjen e të pagjeturve gjatë luftës, Andin Hoti.
Çka thuhet në dokument për të pagjeturit?
Çështja e Personave të Zhdukur u adresua në nenin 4 të Aneksit së Zbatimit.
Aty thuhet se palët do ta miratojnë një Deklaratë për Personat e Zhdukur, si një çështje urgjente.
“𝗣𝗮𝗹ët 𝗽𝗮𝗷𝘁𝗼𝗵𝗲𝗻 𝗽ë𝗿 𝘁ë 𝗺𝗶𝗿𝗮𝘁𝘂𝗮𝗿 𝗗𝗲𝗸𝗹𝗮𝗿𝗮𝘁ë𝗻 𝗽ë𝗿 𝗣𝗲𝗿𝘀𝗼𝗻𝗮𝘁 𝗲 𝗭𝗵𝗱𝘂𝗸𝘂𝗿, 𝘀𝗶𝗰̧ ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗻𝗲𝗴𝗼𝗰𝗶𝘂𝗮𝗿
𝗻ë 𝗸𝘂𝗮𝗱ë𝗿 𝘁ë 𝗱𝗶𝗮𝗹𝗼𝗴𝘂𝘁 𝘁ë 𝗻𝗱ë𝗿𝗺𝗷𝗲𝘁ë𝘀𝘂𝗮𝗿 𝗻𝗴𝗮 𝗕𝗘-𝗷𝗮, 𝘀𝗶 𝗰̧ë𝘀𝗵𝘁𝗷𝗲 𝘂𝗿𝗴𝗷𝗲𝗻𝘁𝗲.” – shkruan aty.

Sipas kësaj pike pala serbe obligohet që të ndaj informatat për të gjithë personat e zhdukur nga Serbia në luftë.
Këtë dakordim e ka parë si një fitore të madhe Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
“Shpresoj që më në fund po lëvizim drejt hapave konkretë për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë. Per gati 24 vjet fati i tyre është mbajtur peng nga marrëdheniet tona normale. Njerëzit tanë nuk e kanë merituar një trajtim kaq brutal edhe pas përfundimit të luftës.
Prandaj, me ndihmën e miqve tanë, sot arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë jo vetëm zgjidhje por edhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.
Deklarata, e cila pritet të miratohet, ka për qëllim përveç tjerash, marrjen e informatave për të gjithë personat e zhdukur nga Serbia, si dhe trajtimin e dinjitetshëm të tyre si persona të zhdukur me forcë.
Mos-miratimi dhe pastaj zbatimi i kësaj deklarate nga ana e Serbisë, nënkupton shkelje të marrëveshjës dhe aneksit të saj të garantuar nga Bashkimi Evropian.” – shkroi Hoti menjëherë pas takimit.

E që Serbia të ndante informacionet që besohet se i posedon për çështjen e Personave të Zhdukur, do të përkujdeset një Bashkimi Evropian, me anë të një Komiteti të Përbashkët Monitorues, të paraparë në pikën 6 të aneksit të dakorduar në Ohër.
“Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitivave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues,” – thuhet aty.
E z.Hoti që njëherit është edhe djali i të zhdukurit, veprimtarit Ukshin Hoti, përfshirjen e këtyre dy neneve në aneks marrëveshje i ka quajtur si dëshmi se çështja e të zhukurve nuk është thjesht ndër temat por kryetema që i paraprinë të gjitha të tjerave.
“Komiteti i përbashkët i kryesuar nga BE e ka për obligim tashmë, të siguroj zbatimin e deklaratës për persona të zhdukur, pas miratimit të saj.
Ne, dje kemi arritur që çështjen e personave të zhdukur ta trajtojmë si çështje të veçantë, me paragraf të veçantë, si dhe si qështje urgjente.
Zotimi me deklaraten për persona të zhdukur si deklaratë e veçantë në kuadër të marrëveshjes, tregon se çeshtja e të zhdukurve nuk është thjesht një ndër temat, por është kryetema që i paraprin të gjitha çështjeve të tjera drejt normalizimit dhe njohjës në të ardhmen.” – ka thënë Hoti.
Porositë e familjarëve për Kurtin:
“E di çka është evladi”
Nysrete Kumnova është ndoshta zëri më avokues në Republiken e Kosovës, sa i përket çështjes së të pagjeturve e të zhdukurve gjatë luftës.
Kumnova, pak para takimit “të madh” të Ohrit, ku Kryeministri Kurti u takua me Presidentin serb Vuçiq, në një intervistë për Kanal 10, i bëri thirrje të parit të ekzekutivit, që çështjen e të pagjeturve mos ta harroj.
“I bëj thirrje Kryeministrit, e din Kryeministri sepse e ka një vajzë dhe e din se çka është evladi. Vetëm për 5 minuta le të mendojë se si po e kalojmë ne ditën e natën që 23 vjet, pa e ditë se në çfarë gjendje I kemi fëmijët tanë.
Unë besoj që ai do të kthehet pasi që po e dëgjon këtë emision, sonte. Si një babë, si një nënë që nuk jemi ndalë në asnjë moment duke i bër presion Serbisë, që të na kthejë më të dashurit tanë. Ne edhe jemi burgosur nga Policia Ndërkombëtare kur kemi mbajt protesta, duke kërkuar më të dashurit tanë.
E ke parasyshë bacën Bajram, qysh mundemi ne me fjetë kur nuk e dijmë më të dashurit tanë ku janë”- ka thënë Kumnova për Kanal 10
Mbetet të shihet nëse çështja e Personave të Zhdukur, do të merret seriozisht nga Serbia dhe do të implementohet, çka do të ishte një plagë më pak për Kosovën.


