Dy intervista me dy disponime të ndryshme brenda një dite – Çka (s’)tha Jim O’Brien?
Me të marrë detyrën kishte lëshuar një prej mesazheve më të mprehta që vendi kishte marrë nga një administratë amerikane: reciprokim (mos)partneriteti me Qeverinë në Kosovë.
Kjo në kohën e ndalimin të valutës serbe (dinarit) për të cilën qeveria amerikane pati bërë të ditur se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tjetër gjë i kishte kumtuar në telefon e tjetër gjë kishte ndërmarrë në terren.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, ishte këto ditë së pari në Serbi dhe pastaj në Kosovë ku edhe dha dy intervista për një ditë: një për Radio Televizionin e Serbisë, një për Kanal 10.
Mesazhet që lëshoi në Beograd me ato që lëshoi në Prishtinë ishin të dy disponimeve dhe përmbajtjeve të ndryshme.
Në kryqytetin serb tha atë se në çka konsiston leximi amerikan i kursit të ndjekur nga Kurti në veri dhe pasojat që kanë rrjedhuar: ndalesa mu në momentet e fundit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Leximi amerikan, tha në një pjesë tejet tonike të deklarimit të tij, është se ngritet dyshimi që qeveria kosovare “është më shumë e interesuar të demonstrojë pushtet” se sa të shërbejë për qytetarë të vet.
“Sa për atë nëse gjërat janë të koordinuara ose jo, unë veçse publikisht kam thënë që sjellja e qeverisë në Prishtinë – ato (veprimet) nuk po koordinohen me neve partnerët, e as me NATO-n".
"Rrjedhimisht, dyshimi ngritet që kjo qeveri (e Kosovës) është më shumë e interesuar të demonstrojë fuqi se sa të lejojë jetë të përditshme normale për komunitetet loale dhe popullin e vet”, tha O’Brien në RTS.
“Por, për këtë ka pasoja, dhe më e madhja ishte që shtete të mëdha evropiane nuk e lanë Kosovën të anëtarësohej në Këshill të Evropës. Dhe krejt kjo për shkak se nuk ka koordinim”, ka thënë O’Brien.
Në krejt këtë kontekst qortues, O’Brien kërkoi dërgimin e draft-Statutit të Asociacionit – tema më e nxehtë dhe më e rezistuar nga Albin Kurti – për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese: duke e përmendur si obligim dhe zotim të Kurtit.
Pas kësaj interviste O’Brien udhëtoi në Prishtinë dhe ku zhvilloi takim mbi dy orë me Kurtin: dhe, me ç’u pa në “Kanal 10” disponimi dhe përmbajtja ishte konsiderueshëm më e zbutur.
Fjalët si “kemi sfida në marrëdhëniet me këtë qeveri” dhe “po na ndërlikojnë mundësitë që të avokojmë për Kosovën në arenën ndërkombëtare” që janë thuajse-refren amerikan këto gati dy vite, s’ishin në fjalorin e O’Brien.
“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve”, tha O’Brien, në një gjuhë tejet të qetë, ndërsa nuk tha se s’ka koordinim, por se duan “më shumë” koordinim.
“Duam që të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-së. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim”, tha O’Brien në “Kanal 10”.
Disa-herë tha që “Kurti e kuptoi” dhe “Kurti e kupton” duke folur për atë se tash është “një kohë unike”: por, pa u lëshuar se në çka përkthehet ky kuptim konkretisht.
“(Albin) Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, ka thënë ndihmëssekretari amerikan.