Dy ‘goditje’ të mëdha për Kurtin brenda ditës nga mediat ndërkombëtare, si (s’)po i merret për bazë fjala?
Në një kohë brutalisht të rëndë për të e me shtetin nën sanksione – që nga deklarimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, se veprimet e qeverisë kosovare me dërgimin me forcë të kryetarëve të rinj në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishin “masa të dhunshme” dhe të cilat “duhet të ndalen menjëherë” dhe nga i dërguari i Qeverisë Federale të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, se ishte “vendim i budallëm” i cili do to t’i prodhojë pasoja – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përvjelur mëngët dhe ka dhënë dhjetëra intervista për të përçuar qëndrimin e tij se pse-po-bën-çfarë-po-bën. Mediave ndërkombëtare me peshë, mund të argumentohet, del të mos ua ketë ka lënë shenjë. Shembulli më i fundit: intervista e tij për The Times, intervistë kjo të cilin as Kurti nuk e shpërndau në ndonjë platformë të tij.
Gazeta prej më seriozeve në Britaninë e Madhe, The Times, mund të thuhet fare lehtë, se fjalët e Kurtit i shëtiti si margjinale dhe nuk i vendosi në linjë me leximin e tyre të ngjarjeve. Ata u thirrën edhe në burimet diplomatike të tyre rreth situatës. Guri i Kurtit i gjuajtur në ujërat e mediave ndërkombëtare s’kishte bërë “çklup”.
Në fjali të parë, The Times, do ta jepte një tablo për Kurtin: me analogji të një fëmije të ri në shkollë që pavarësisht se pandeh se po bën gjithçka për t’u përshtatur kupton se askush s’po e do. Një hyrje tepër e rëndë nga një gazetë me ndikim madhor në botë.
Kurti, thonë ato, nuk hyri në konfrontim vetëm me Vuçiqin, por edhe me pavarësuesit e saj, e madje duke e quajtur “unrepentant”, të papenduar. Interesante është përzgjedhja e fjalës, ku “repent” është pendim në një kuptim shpirtëror dhe jo thjesht pendesë që do të mund të ishte shkruar në termin standard si “regret”.
“Diplomatët sugjerojnë se Kurti, 48 vjeç, i cili mbante kartë kundër korrupsionit, po përpiqet të tregojë veten si një Zelensky i ri. Ata thonë se Kosova është shumë e ndryshme nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut sesa Donbasi. T'u kërkosh serbëve atje të harrojnë Beogradin është si t'u kërkosh katolikëve të Irlandës së Veriut të harrojnë Dublinin. Kurti e mohon forcën e ndjenjës në veri, thonë ata, dhe duke i hedhur poshtë bandat që sulmuan zyrat komunale si ‘milici fashiste’, po i shtyn në krahët e tyre serbët e zakonshëm”, shkroi The Times.
E si do ta shpërndante Kurti këtë intervistë dhënë për The Times?
Një shkrim tjetër goditës ndaj tij, do të vinte edhe nga gazeta në gjuhën gjermane me qarkullimin më të madh në botë Frankfurter Allgemeine Zeitung. Kjo gazetë do nxjerrte një konstatim “fatal”: Politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë – dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tash. Megjithatë, Kurti po ia bën panevojshëm shumë të lehtë”, shkroi FAZ.
Gjysma (zyrtare) e hemisferës së botës, ajo perëndimore, do të drejtonte gishtin kah Kurti, e madje ky i fundit nuk morri as mbështetjen e Shqipërisë.
Por, Kurti vazhdoi betejën e tij si “desperado”.
Në The Guardian, ai do t’i mëshonte Anthony Blinken-it si për “padrejtësi dhe naivitet” ndërsa sanksionet amerikane i injoroi krejtësisht. Përgjigja e tij për ato ndëshkime ishte kështu: Ata që flasin për sanksione duhet të mendojnë më gjerë ose më thelllë.
Por, gjerrë e thellë ai do të dënohej ndërkombëtarisht. Ai ishte Kurti, vetiu, duke menduar “thellë dhe gjerë” me veprimet e tij? Ai mendon se po.
Sonte Kurti pret Emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar-in dhe Përfaqësuesin Special të BE’së, Miroslav Lajçak.
Kërkesat e tyre janë edhe të formës së ultimatumit, mozbatimi i të cilave “do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.
Tërheqja e njësive speciale nga afërsia e komunave, kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga vende alterantive, shpalljen e zgjedhjeve të reja, garnatimin e pjesëmarrjes së serbëve në ato zgjedhje dhe – dy herë urgjentisht – themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

