Driloni 20 vjeçar i varur nga karroca, një intervenim i lehtë mund t’i kthejë buzëqeshjen
Kosova ende nuk po arrin të krijojë një sistem shëndetësor stabil. Si pasojë e kushteve të dobëta e mungesës së profesionistëve adekuatë shëndetësorë, shumë kosovarë, derë të vetme për shërim po vazhdojnë t’i kenë shtetet evropiane. Sfida më e madhe mbetet tek fëmijët. Nacionale në vazhdim ju sjell rrëfimin për një 20-vjeçar i cili po e lufton sëmundjen, por edhe disa shifra të frikshme për numrin e kosovarëve që përgjatë këtyre dy muajve kanë kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit.
Ka më shumë se pesë muaj që nuk ka dalë nga dhoma e tij. Lojën me bashkëmoshatarë e uljen në bankat shkollore, Drilon Lubocvi nga Prizreni thuajse i ka harruar. Kjo, jo me dëshirën e tij, por si shkak i përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Para disa viteve, mjekët kosovarë pas kontrolleve të detajuara zbuluan se Driloni vuante nga sëmundja e quajtur “Paralizë Cerebrale”. Për kurimin e kësaj sëmundjeje mjekët tanë pak po arrijnë që të bëjnë. Si pasojë, tash në trupin e Drilonit kanë filluar të bëhen edhe deformime të tjera.
Kontrolla të tjera Driloni do të duhet të bëjë jashtë vendit. Por që kjo të realizohet, atij i duhet një ndihmë e konsiderueshme e parave.
Për Nacionale.com, prindi i Drilonit, Shpejtimi, ka shpjeguar për vështirësitë në trajtim dhe brengat me të cilat ballafaqohet 20-vjeçari.
“Ka kohë që s’ka dalë nga dhoma e tij. I është deformuar tash kuka. Një ditë e mora me karrocë, dolëm deri në lagje me të, por nuk mundi të qëndrojë shkaku i deformimit të kukës”, - rrëfehet prindi i Drilonit.
Ai thotë se ka shpresë që Driloni të bëhet më mirë. Por që kjo të arrihet, Driloni duhet të niset sa më shpejtë për në Turqi për të kërkuar ndihmë shëndetësore.
E kjo u arrit falë njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët bënë që Drilonit t’ia siguronin paratë për një kontrollë në Turqi.
“Me datë 15 të këtij muaji e kemi datën për me e dërgu Drilonin për një kontrollë në Turki. Mbesim me shpresë te Zoti se djali jonë do ta kalojë me sukses këtë sfidë. Është i fortë Driloni jonë, thotë babai i Drilonit.
Shërimi jashtë Kosovës mbetet zgjidhja e vetme, 203 kosovarë kërkuan ndihmë p♪r dy muaj
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit. E numri i atyre që po kërkojnë shërim jashtë vendit, po del të jetë mjaft i madh.
Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në dy muajt e parë të këtij viti, pra në muajt janar dhe shkurt, ndihmë financiare në këtë fond, kanë kërkuar 203 kosovarë. Prej tyre 49 persona janë nën moshën 18 vjeçare si dhe 154 të tjerë janë mbi 18 vjeç.
Shtetet ku më së shumti po kërkohet shërim sipas këtij Fondi janë Turqia, Shqipëria e Maqedonia.
Për cilat sëmundje po kërkohet më së shumti shërim?
Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës, janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.
“Klinikat të cilat referojnë më së shumti janë: Pediatria (rastet kardiokirurgjie, leukemi dhe sëmundje te tjera malinje), Ortopedia, Radiologjia (sëmundje malinje), Oftalmologjia, dhe Kardiologjia”, - thuhet në përgjigjen e Fondit dhënë gazetës Nacionale.
Ndërkaq në programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria e Shëndetësisë, derisa operacionet e zemrës për fëmijët janë shumë më të kushtueshme./Nacionale.com/