“Drafti ishte dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe në Kosovë”, “Ose Asociacionin e 2015’ës ose përfundon gjithçka” – Si shkoi takimi Kurti-Vuçiq?
Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të Banuara me shumicë serbe i prezantuar këtë të marte në Bruksel ishte “i papajtueshëm në themel” me Kushtetutën e Kosovës, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas konkludimit të takimit të Nivelit të Lartë dhe njoftoi se Ekip Menaxhues që hartoi atë është “dekomisionuar”, përkatësisht shpërbërë. Ky draft, tha Kurti, pasqyronte “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska në Kosovë”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë mospranim të Draftit nga pala kosovare u shpreh se “nëse ashtu duan të luajnë, atëherë s’ka as nevojë e as kuptim të marrim seriozisht argumentimin”. Vuçiq u shpreh se “ose do të bëhet ajo që është pajtuar më 2013 dhe 2015 ose kjo do të jetë fundi i gjithçkaje”.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, u shpreh se këndvështrimet e palëve sa i përket Asociacionit “ishin të ndryshme”, megithatë dha edhe tone optimiste duke thënë se “është bërë hap simbolik drejt themelimit të Asociacionit”.
“Kurti i dha këndvështrimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë. Këndvështrimet mes palëve janë të ndryshme sa i përket Asociacioinit të Komunave me Shumicë Serbe. Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këto negociata, dhe të jenë të gatshme për të bërë kompromise. Procesi duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara”, ka thënë Josep Borrell.
Argumentimi i Kurtit...
Drafti që u soll në tryezë, tha ai, në themel e shkel Kushtetutën e Kosovës derisa vazhdoi edhe të elaborojë “tri shtyllat” për bëshmërinë e Asociacionit: Kushtetuetshmëria, Letra e Mogherin-it dërguar Isa Mustafës dhe Op/Ed i 31 janarit nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Por, Kurti tha se ka paraqitur edhe “një draft-vizion” për Asociacionit që si referencë ka modelin kroat për të drejtat e pakicës serbe atje. Kjo gjë, nuk është pranuar nga pala serbe. Drafti i Ekipit të Menaxhimit, në anën tjetër, pasqyronte “dëshirë të zjarrtë” për Republika Srpska në Kosovë, tha ai.
“Dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 67 nene. Një draft statut i tillë ishte fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa”, tha Kurti.
Deklarimi i Vuçiqit...
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është nisur “për të bërë kompromise”, por se nëse Asociacioni nuk bëhet sipas vizionit të Marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015, “atëherë nuk ka më poentë të vazhdohen negociatat”.
“Sonte folëm për diçka ku të dyja palët do të duhej të bënim kompromise për të bërë marrëveshje. Isa Mustafa dhe unë nënshkruam parimet më 2015. Tashmë ata po heqin dorë nga të gjitha parimet duke thënë se asnjë prej tyre s’bëjnë sepse Gjykata Kushtetuese u ka thënë kështu. Në rregull, pa problem, nëse do të luani ashtu, atëherë s’ka as nevojë as kuptim për të marrë argumentimin seriozisht, kështu që është qasje e pakuptimtë. Ose të bëhet ajo çfarë është pajtuar më 2013 dhe 2015 ose kjo do të jetë fundi i gjithçkaje”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, e dha për punë të kryer konstatimit se Kosova nuk dëshiron të themelojë Asociacionin si obligim që rrjedh nga viti 2013 dhe 2015.
“Shpresoj se në raundin e ri të nivelit teknik të dialogut, në fund të muajit, do të ketë reagime edhe nga disa të tjerë që mund të ndryshojë këtë qëndrime, ose përndryshe jemi në një qorrsokak”, tha Aleksandar Vuçiq./Nacionale./