Dosja e ‘Abuseadit’: Si ta lexojmë planin e BIA-s për nxitje të ekstremizmit fetar? - NACIONALE

Dosja e ‘Abuseadit’: Si ta lexojmë planin e BIA-s për nxitje të ekstremizmit fetar?

3 ditë më parë

nga Col Mehmeti

15 qershor 2026 – Në pamje të parë, ‘Agoni’ dhe ‘Abusead Kosova’ ishin dy miq të ngushtë të cilëve muhabeti në WhatsApp iu shkonte fjollë.

Njëri pyeste e tjetri përgjigjej me shpjegime të menjëhershme.

Kështu, komunikimi në serbisht si kaçubet e kapte Kosovën dhe ia mësonte pikat e saj më të ndjeshme.

Teksa ‘Agoni’ bën pyetje dhe ‘Abuseadi’ përgjigjet, sakaq merret vesh se puna është më thellë sesa një muhabet mes miqsh.

I pari është epror që kërkon informacion dhe paguan për të, kurse i dyti është vartës që jep informacion.

Eprori merr vesh përmes vartësit të tij njoftime e të dhëna të dorës së parë për pothuajse gjithçka: për ekstremistë fetarë, për qarqe radikale, për njerëz me ndikim, për mesxhide që veprojnë ilegalisht e për lista me emra qytetarësh të Kosovës të mbetur në Siri.

Vetëm gjashtë vjet burgim për spiunazh te ‘Bezbednosno-informativna agencija’

Prapa ‘Agonit’ ishte Igor Babiq i cili në hierarkinë e shërbimit informativ serb, BIA, mbante detyrën e shefit kundër terrorizmit.

Informatori i tij nga Kosova pas nofkës ‘Abusead’ ishte Hysri Selimi nga Bresalci i Gjilanit.

Pak më shumë se një vit prej arrestimit të këtij të fundit, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për veprën penale të spiunazhit për hesap të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Serbisë (BIA, akronim për Bezbednosno-informativna agencija).

Trupi gjykues, paraditën e së hënës, e shpalli Hysri Selimin fajtor për spiunazh.

Nga aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës, rasti i ekstremistit nga Bresalci i Gjilanit del të jetë një nga më eklatantët për sa i përket përcjelljes së informacioneve të ndjeshme nga Kosova te institucionet e sigurisë në Serbi.

Aktiviteti i ‘Abuseadit’ në shërbim të inteligjencës serbe atestohet së paku nga nëntori 2009-s dhe ka zgjatur pa ndërprerje deri më 6 maj të vitit të kaluar kur u arrestua nga Policia e Kosovës.

16 vite punë te BIA: informacione, infiltrime e instrumentalizim të ekstremistëve

Gjatë këtyre 16 viteve në shërbim të BIA-s, ‘Abuseadi’ u tregua si aset i vyeshëm për inteligjencën serbe, duke i ofruar asaj edhe informacione për veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të caktuar të UÇK-së.

Në dhjetor të 2022-s, ai qe dënuar me katër vjet e tetë muaj burg për pjesëmarrje në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Por, kjo rrethanë nuk e kishte penguar argatin shqiptar të BIA-s për të vijuar me aktivitetin e tij në mbledhjen e informacioneve.

Nga evidencat te pikëkalimi kufitar te Dheu i Bardhë, Prokuroria Speciale ka pikasur tetë raste kur Selimi, gjatë vitit 2023 e 2024, kaloi në Serbi.

Brenda ditës, ai i kishte raportuar eprorit të tij, Igor Babiq, dhe një tjetri të quajtur Nikolla.

Pas arrestimit nga Policia e Kosovës, ‘Abuseadi’ kishte treguar fije për pe sesi interesimi i BIA-s ishte zakonisht për persona të asociuar kryesisht me islamin radikal.

Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kë po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për vehabista, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi, etj”

Një linjë spiunazhi nga Novi Pazari në Stamboll e Siri

Në bazë të dëshmive të siguaruara prej telefonave të konfiskuar, ‘Abuseadi’ dërgonte incizime të të rinjve që faleshin te një xhami në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.

Kjo, në të vërtetë, kishte qenë kërkesa e vazhdueshme e ‘Agonit’ (eprorit të tij nga BIA).

Në bazë të deklaratave të tij, të përfshira në aktakuzë, del që BIA e kishte ngarkuar ‘Abuseadin’ që të ndërmerrte një mision në Sirinë e largët e atje të bëhej pjesë e organizatës terroriste islamike ‘ISIS’

Në bazë të ‘pazarit’ të bërë me Igor Babiqin, shërbimi sekret serb do ta paguante me 200 euro në muaj për informacionet e siguruara.

Eprori i BIA-s donte të krijonte një pasqyrë të plotë për emrat e hoxhallarëve vehabistë.

Kur kishte marrë udhën drejt Sirisë duke e marrë me vete gruan dhe të bijën e mitur, ‘Abuseadi’ kishte mbetur i ngujuar midis Stambolli.

Fije pas fije, shërbimi informativ serb, përmes njerëzve të tij, në një autobus që udhëtonte prej Novi Pazarit i kishte dërguar 400 euro.

Synimet e BIA-s nga përhapja e radikalizmit fetar te shkatërrimi i kohezionit social në Kosovë

Përtej aktakuzës së Prokurorisë Speciale dhe aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën përmes ekstremizmit fetar duken të qarta.

Nga dëshmitë e siguruara prej rastit të ‘Abuseadit’ del se stacionet e inteligjencës serbe jorastësisht gjenden afër kufirit me Kosovën, si në Bujanoc, Vranjë dhe Nish.

Një tjetër përmasë e luftës speciale të shërbimeve serbe për të lëkundur themelet e kohezionit social në Kosovë është shfrytëzimi i ekstremizmit fetar në vend.

Nga dëshmitë tashmë të disponueshme, BIA del që në shënjestër për t’i rekrutuar i ka ata individë që veçse kanë krijuar emër me intolerancën e tyre dhe interpretimet e rrepta të fesë.

Inteligjenca serbe njashtu shfaqet e interesuar për të vënë nën kontroll të saj ‘mesxhidetë’, pikërisht ato hapësira që shpesh janë edhe jashtë kontrollit të BIK-ut.

Lufta digjitale nga faqet e dyshimta e deri te profilet false

Prej kohësh është sipërfaqësuar si problem i mprehtë prania e vazhdueshme e platformave digjitale dhe përmbajtjeve të caktuara që përhapin vazhdimisht ideologji ekstremiste islamike.

Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, këto forma radikaliteti përdorin shpesh taktikën e maskimit me elemente etnike e nacionale.

Fjala vjen, prej kohësh është vënë re prania e platformave të tilla radikale që përdorin emra të shquar nga historia kombëtare.

Faqet e tilla zaptojnë për vete emra karrem që apelojnë për publikun shqiptar, si për shembull ‘Shqipëria etnike’, ‘Kombi’, ‘Shqiptarët’, etj.

Në shumë raste, ka profile që përdorin emrin ose fotografinë e Adem Jasharit, Azem Bejtës apo edhe ndonjë personaliteti nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për ta natyralizuar ekstremizmin fetar.

Propaganda serbe

Njohës të huaj të religjionit në Ballkan, si miku i madh i shqiptarëve Stephen Schwartz, prej kohësh kanë tundur këmbanat e alarmit për rrezikun që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi fetar.

Edhe një nga emrat më të mirë në Evropë për studimet islamike, Egdūnas Račius, vëren se Serbia bën çmos që t’i gjejë Kosovës ndonjë vegëz e ta akuzojë për promovim të agjendave të huaja që zënë fill në Lindjen e Mesme.

Për këtë arsye, kuadri ligjor i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën, me këshillat e aleatëve u shestua asisoj që të mos e prioritarizonte asnjë traditë të caktuar religjioze, por të promovonte barazinë e të gjitha grupeve fetare para ligjit.

Sipas profesorit lituan, ky sekularizim lidhej pjesërisht edhe me faktin që “vetë shqiptarët e Kosovës nuk kishin ndonjë prirje që religjioni të gravohej në legjislacionin e ri të shtetit”.

Përkundër propagandës serbe dhe ruse, UÇK-ja, që e udhëhoqi luftën për liri e çlirim, ashtu sikurse edhe elita politike, nuk e theksuan asnjëherë identitetin fetar në kurriz të atij kombëtar.

Sipas një sondazhi të 2012-s, të cituar në studimin e Račiusit, pjesa më e madhe e atyre që identifikohen me njërën ose tjetrën fe nuk janë praktikues të rregullt për sa i përket pjesëmarrjes në rituale fetare.

Religjioziteti i shqiptarëve në Kosovë, sipas po të njëjtit autor, është shumë më i zbehtë sesa në Maqedoni, Sanxhak apo Bosnjë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme