Dorëzohet Qeveria, zhbllokon të hyrat vetanake të komunave
Qeveria e Kosovës ka ndryshuar votuar për ndryshëimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës, i cili rrjedhimisht, edhe zhbllokon të hyrat e komunave të Kosovës.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme, derisa fjalën e tij e tha fillimisht kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Ju ftoj që të plotësojmë dhe ndryshojmë agjendën tonë legjislative me shtimin e tri projektligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve: I pari është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar. E dyta është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe e treta është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, të gjithë ministrat që ishin të pranishëm në mbledhje votuan pro këtij projektligji, derisa nuk pati asnjë abstenim.
Vlen të theksohet se para pak ditësh, Asociacioni i Komunave të Kosovës i kërkoi Qeverisë që të hyrat vetanake të komunave të zhbllokohen urgjentisht.
Në kërkesën që e ka siguruar gazeta Nacionale, tregohej edhe mënyra e ndryshimit të këtij ligji.
“Prandaj, në zbatim të dispozitave kushtetuese, kërkojmë nga ana juaj që urgjentisht të ndërmerrni veprimet për Plotësimin dhe Ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, me përmbajtjen si në vijim: ‘Bilancet e pashpenzuara te të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022 dhe nga vitet paraprake, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të LMFPP- së dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës.” – thuhej në kërkësë.
Vlen të theksohet se Qeveria ishte mbajtur pezull 37.5 milionë euro të komunave, veprim ky që konsiderohej i kundërligjshëm nga kryetarë e komunave.
Më së shumti, nga një veprim i tillë ishte prekur komuna e Prishtinës, pasi që raportohej se 29 milionë euro janë taksa të qytetarëve të kryeqytetit.
Si pasojë, opozita kishte bërë të ditur se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, pa zhbllokimin e këtyre mjeteve.
Madje, këta të fundit nuk kishin marrë pjesë as në seanca e Kuvendit të Kosovës.
Më pas, Ministri i Financave, Hekuran Murati, është munduar të sqarohet duke thënë se Qeveria nuk po i bllokon këto të hyra.
Sipas tij, problemi është të amandamenti i LDK-së që e ka bërë për alokimin e këtyre mjeteve.
Ai ka thënë se LDK-ja amendamentin e saj për Ligjin për Buxhetin ka përmendur zhbllokimin e mjeteve të komunave vetëm për vitin 2022.
“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi, është një amendament i Grupit parlamentar të LDK-së, sepse amendamenti që keni bërë ju ka qenë gabim. Nëse kërkohet nga ju që unë ta korrigjoj si ministër atë gabim që e keni bërë ju, unë e bëj, por duhet të vije kërkesa nga ju." - kishte deklaruar Murati.

