"Pa ndjenja", "Dorëheqje" - kritika të shumta ndaj ministrit Peci për gjestin e "ftohtë" ndaj largimit të dhunshëm të një lëmoshëkërkueseje
Një video që ka qarkulluar gjatë ditës në rrjetet sociale, ka tronditur opinionin publik. Bëhet fjalë për një vajzë të vogël kosovare, lëmoshëkërkuese dhe largimin e ashpër të saj nga një lokal i gastronomisë.
Në pamjet respektive, shihet teksa kamarieri pas tentimit me mimika, arrin ta kapë edhe realisht vajzën e vogël, të cilën pa një pa dy, në mënyrë të vrazhdë e largon jashtë.
Gjithçka ndodhi afër tavolinës së ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Këtij të fundit s'i bëri syri "vërr" nga ajo çfarë pa, teksa nuk dihet nëse në fund ka lënë "bakshish" ose jo.
Ç'tha ministri?
Nacionale menjëherë kontaktoi me z.Peci, megjithatë ky i fundit nguroi të përgjigjej, me pretekstin se lajmi tashmë është publikuar dhe se çkado që thotë është e pavlerë.
“Pyetjet pasi keni bërë fillimisht postime, nuk kanë kurrfar kuptimi”.
Pavarësisht kësaj, sërish tentuam të marrim një qëndrim nga ministri, por ky i fundit deri më tani nuk ka na ka kthyer përgjigje.
Reagimet
Shumë reagime e komente u panë rreth gjestit të ministrit. Shumica besojnë se me pak angazhim të Pecit, kamarieri nuk do të sillej në atë formë, siç edhe u soll.
Në një prononcim dhënë gazetares së Nacionales, Leonitë Demaku, ish-deputeti egjiptian, Veton Berisha, shprehu shqetësimin me rritjen e rasteve të tilla dhe me reflektimin "jonjerëzor" të ministrit.
“Këto raste janë shqetësuese për mu. Për faktin, se e para, në çfarë gjendje janë komunitetet dhe kanë fillu me u bë tradicionalisht lypsar, sepse ata duhet me mbijetu diqysh.” – tha fillimisht ai.
Tutje, Berisha komentoi edhe faktin se rasti ndodhi në prani të ministrit, duke shtuar se ky i fundit, më të paktën që do të duhej ta bënte, ishte të reagonte.
“Fëmijët në rrugë, që në mënyrë institucionale ish dashtë nashta me u kujdes. Shqetësimi i dytë është se në prezencë të ministrit, ngrehet fëmija zhag, qitet jashtë. Edhe mënyra qysh e bën kamarieri, e papranueshme. S’kam koment, jam tepër i lënduar, nuk po di çka me thënë. Është akt i dënueshëm, të paktën ministri ish dashtë me reagu sepse para syve të tij po ndodhë kjo ngjarje.” – ka thënë ai.
Berisha s'qe i vetmi. Pati edhe shumë të tjerë. Një nga ta edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Pacolli, duke shfrytëzuar rrjetin social "Facebook", hodhi kritika ndaj ministrit Peci, ironizoi duke thënë se duhet pasur ndjenjat e ministrit që të mos reagosh ndaj një situate të tilllë.
“Bravo Ministër Peci... duhet pasur ndjenjat e MINISTRIT për të mos reaguar përballë një situate ku një vajza e vogël që kërkonte lemoshë u hodh me dhunë nga lokali. Mjerë na!” – ka shkruar ai.
Një tjetër deputet që reagoi ishte edhe ai nga radhët e komuniteteve, Fridon Lala. Ai ka thënë se qëndrimi i ministrit në këtë rast, është i patolerueshëm.
“Sapo e pashë një video të nxjerrë nga disa portale në të cilën shihet një vajzë lëmoshë-kërkuese duke u shoqëruar dhunshëm jashtë një lokali në prani të ministrit Faton Peci. Për një ministër të republikës, qëndrimi prej spektatori në një rast të tillë është flagrant dhe i patolerueshëm.” – ka shkruar ai.
Nuk mungoi as Qazim Rrahmani. Kreu i PDAK-së, duke shfrytëzuar rrjetin identik social, tha se videoja ku shihet largimi i një vajze lëmoshëkërkuese, në atë mënyrë, është turp. Veç kësaj, ai bëri ftesë që deputetët e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës të kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit Peci.
"Kjo video tregon racizmin,diskriminimin dhe injorancën e pushtetarëve tonë shtetit . Në sy të një Mnistri shtetit të veprohet me një vaglueshe kështu kjo është turpi i dynjasë. O Ministër nëse nuk ke pasur vullnet me i ndihmu kësaj voglueshe spaku ke mundur me thanë kamarjerit sillu pak ma qetë, kërkoj nga deputetët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjipjan që janë pjesë e Qeverisë Kurti kërkoni dorëheqjen e këtij Ministri racistë e injorantë. Zoti të marroftë o ministër Peci. A ki fëmijê morre burrë a ki shpyrt e zemër.O mjer ne çfar deputet të komuniteteve kemi, se ky për këtë sjlleje kishte shkuar shpi", tha ai.
