Dje takoi Kurtin, sot Osmanin: Abazoviq thotë se askush nga Kosova nuk ia përmendi Demarkacionin
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq e ka bërë edhe një herë të qartë qëndrimin se demarkacioni është çështje e kryer për shtetin që ai drejton.
Madje, Abazoviq në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, ka thënë se kjo çështje nuk është diskutuar as me takimet që ka pasur këto dy ditë në Kosovë.
“Për atë, çështja e demarkimit është pyetje e kryer. Nëse ekziston një problem, duhet ë thuhet qartë. Kjo pyetje nuk është avancu në takimet zyrtare jo vetëm këto dy ditë, por edhe më herët, për ne është çështje e kryer.” – ka thënë ai.
Abazoviq ka deklaruar se askush nga qeveritarët në Kosovë nuk e ka “aktualizuar” një çështje të tillë, ndonëse, tha se mund të diskutohet nëse “ka diçka për t’u ndryshuar”.
“Për në është në fuqi, nuk e ka aktualizu askush nga Kosova këtë kohën e fundit, nëse ekziston diçka këtu jemi, në mënyrë fare miqësore të bisedojmë, në mënyrë partneriteti të shohim nëse diçka duhet me u ndryshu, por per ne është e kryer. Nuk e kemi në tavolinë.” – tha ai.
Pyetur nga gazetari se “a ka pasur biseda për këtë çështje?”, Abazoviq u përgjigj si vijon: “Jo, jo nuk ka pasë bisedime për çështjen e kufirit këto ditë”.
“Nuk shoh asgjë tjetër, nuk di sa jam i qartë, për ne ajo që është në fuqi, është përfundimtare. Nëse diçka ekziston, mundet komisioni me i zgjedhë ose me i trajtu përsëri.” – tha Abazoviq në fund.
Ndërkohë, dje Abazoviqin e takoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje, madje duke përdorur si mjet kundërshtimi edhe hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.
Por edhe pas ardhjes në pushtet, Kurti kishte dhënë shenja se një marrëveshje e tillë, mund të rishikohet.
“Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re (të Malit të Zi), për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës.” – kishte thënë ai në mars të vitit që lamë pas.

