Demarkacioni u hyn në mes, Haradinaj s'pranon të takojë Abazoviqin - NACIONALE

Demarkacioni u hyn në mes, Haradinaj s'pranon të takojë Abazoviqin

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka pranuar që të takohet me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, derisa ky i fundit po qëndron për vizitë në Kosovë. Cila është arsyeja?

Burime të Nacionales kanë bërë të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimit të kryeministrit malazez për Demarkacionin dhe disa çështje të tjera.

“Jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij për demarkacionin, por edhe për çështje të tjera, si bashkëpunimi me Kishën Serbe etj.” – ka thënë ky burim.

Çka kishte deklaruar Abazoviq?

Nacionale kishte raportuar edhe më herët në lidhje me deklaratat e kryeministrit Abazoviq rreth Demarkacionit.

Abazoviq sapo ishte pyetur në lidhje me këtë çështje, kishte dhënë qëndrimin e tij të qartë duke deklaruar se nuk e trajton si problem.

Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar.” – kishte deklaruar ai.

Ndërkohë, dje Abazoviqin e takoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje, madje duke përdorur si mjet kundërshtimi edhe hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.

Por edhe pas ardhjes në pushtet, Kurti kishte dhënë shenja se një marrëveshje e tillë, mund të rishikohet.

“Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re (të Malit të Zi), për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës.” – kishte thënë ai në mars të vitit që lamë pas.

Megjithatë, pas takimit të djeshëm nuk u përmend kjo çështje, dhe nuk u tregua nëse e njëjta mund të jetë diskutuar në takimin mes dy liderëve.

Çështje e mbyllur edhe për presidenten?

Në një prej intervistave të dhëna para disa muajve për televizionin malazez “Vijesti” pyetja që iu shtrua presidentes Vjosa Osmani ishte kjo: “A e ka kërkuar zyrtarisht atë shqyrtim (të demarkacionit) nga Qeveria e Malit të Zi dhe a e keni diskutuar me zyrtarët tanë gjatë kësaj vizite në Podgoricë?

Presidentja ishte e prerë në përgjigjen e saj, duke thënë se në këtë vizitë është për të parë “se si mund të hapet një kapitull i ri bashkëpunimi”, derisa konfirmoi se nuk është diskutuar një gjë e tillë.

“Jo. Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm.” – kishte thënë presidentja Osmani.

Madje, Osmani e kishte bërë të qartë se nuk ka çështje të hapura mes dy vendeve, duke thënë se një komision teknik mund të formohet, por jo ta shohë këtë rast nga pikëpamje politike.

“Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona.” – kishte thënë ajo.

Osmani po ashtu, e priti sot në takim kryeministrin Abazoviq, derisa presidenca dha pak detaje rreth asaj që u diskutua aty.

Lajme të ngjashme