Abazoviq për Nacionalen: Marrëveshja Kurti-Vuçiq, bazë e mirë për normalizimin e marrëdhënieve
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në një prononcim për Nacionalen ka thënë se Mali i Zi mbështet marrëveshjen e arritur në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
I pyetur rreth Asocacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Abazoviq është shprehur se e përkrahë marrëveshjen e arritur pasi sipas tij kjo përbën një bazë të mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej ai ka deklaruar gjetja e një gjuhë të përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë është dhe interes i shtetit malazez.
“Unë e përkrah marrëveshjen dhe mendoj se është një bazë e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Është interes edhe i Malit të Zi të normalizohen çështjet në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë aspekt. Ne jemi në favor të gjetjes së një gjuhe të përbashkët ndërmjet dy palëve dhe në pajtim me komunitetin ndërkombëtar” – ka thënë Abazoviq për Nacionalen.
I pyetur nga Nacionale për raportet mes tij dhe kryeministrit Kurti, Abazoviq ka thënë se janë të mira, duke paralajmëruar se shumë shpejt mund të ketë një takim mes tyre.
“Shumë të mira. Besoj se shumë shpejt do të organizojmë vizitën ose kryeministri i Kosovës të vij në Mal të Zi apo mundemi edhe ne të shkojmë në Prishtinë. Është i mirëseardhur në çdo moment” – pohoi ai.
Çka përmbanë aneksi për të cilin u pajtuan Kurti dhe Vuçiqi në Ohër?
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan në takimin e 18 marsit për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes për rrugën e normalizmit të marrrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Emisari Lajçak ka thënë se palët duhet t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes dhe se Kosova duhet të fillojë mënjëherë zbatimin e marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit.
Bashkimi Evropian po atë ditë kishte publikuar Aneksin e Zbatimin për të cilin u pajtua kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq sot në Ohër.
Përmes portalit EEAS, BE ka publikuar të gjitha pikat e këtij Aneksi.
Aty është edhe pjesa për Nenin 7, ku thuhet ekzaktësisht ajo që u prezantua më herët nga kryediplomati evropian Josep Borrell:
“Për të zbatuar Nenin 7, Kosova i nis menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja mbi artitjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive për të siguruar nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, në përputhshmëri me marrëveshjet e dialogut siç janë përcaktuar nga lehtësuesi i BE-së.”
Po ashtu, aty flitet edhe për një Komitet të Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja brenda 30 ditëve. Është detyra pikërisht e këtij komiteti që të monitorojë zbatimin e të gjitha provizioneve.
Në Aneks po ashtu flitet për pasojat nëse palët nuk zbatojnë - siç nuk kanë zbatuar deri tash - të gjitha provizionet e Marrëveshjes së 27 shkurtit, Aneksit të sotëm, apo marrëveshjeve të mëparshme të Dialogut.
