Demarkacioni: Çështja për të cilën VV-ja e çoi “peshë” Kuvendin, është e kryer për presidenten Osmani - NACIONALE

Demarkacioni: Çështja për të cilën VV-ja e çoi “peshë” Kuvendin, është e kryer për presidenten Osmani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, çështja e kufirit me Malin e Zi është e kryer. Partneri qeverisës i saj në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, edhe pas ardhjes në pushtet disa herë ka paralajmëruar se demarkacioni duhe të të rishikohet. Gjatë kësaj periudhe, rrallëherë kemi parë presidenten e kryeministrin me qëndrime të ndryshme. Çka tha presidentja?

Kryetarja e shtetit këto ditë ka qëndruar në vizitën e parë zyrtare në Malin e Zi, ku ka takuar krerët e shtetit atje.

Osmani, duket se ka dhënë edhe një intervistë për televizionin malazez “Vijesti”, ku e bëri të qartë se çështja e demarkacionit, ka përfunduar.

Si u shpreh ajo?

Një prej pyetjeve që iu parashtrua në këtë intervistë presidentes Osmani, duke përmendur fillimisht qëndrimin e Kurtit edhe pas ardhjes në pushtet, ishte kjo: “A e ka kërkuar zyrtarisht atë shqyrtim (të demarkacionit) nga Qeveria e Malit të Zi dhe a e keni diskutuar me zyrtarët tanë gjatë kësaj vizite në Podgoricë?

Presidentja ishte e prerë në përgjigjen e saj, duke thënë se në këtë vizitë është për të parë “se si mund të hapet një kapitull i ri bashkëpunimi”, derisa konfirmoi se nuk është diskutuar një gjë e tillë.

“Jo. Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm.” – citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Madje, Osmani e bëri të qartë se nuk ka çështja të hapura mes dy vendeve, duke thënë sed një komision teknik mund të formohet, por jo ta shohë këtë rast nga pikëpamje politike.

“Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona.” – ka thënë ajo.

Qëndrimi i Kurtit dhe VV-së

Shumëkush mund ta mbajë në mend, dhunën në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotësjellës nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kundërshtonte ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Por edhe pas ardhjes në pushtet, Kurti kishte dhënë shenja se një marrëveshje e tillë, mund të rishikohet.

“Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re (të Malit të Zi), për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës.” – kishte thënë ai në mars të vitit që lamë pas.

Për formimin e një komisioni, kryeministri kishte folur edhe në qërshor të vitit 2022, por që vlen të theksohet, se deri më tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga ana e tij rreth kësaj çështje.

“Komisioni i përbashkët duhet të formohet në momentin më optimal politik për të dyja vendet. Duhet të pritet formimi i këtij komisioni nga pala malazeze dhe pastaj të koordinohen aktivitetet edhe në terren ne jemi gati. Për palën e Kosovës dokumentet janë të qarta dhe ekspertët vendor edhe më tej kanë punuar në këtë drejtim.” ishte thënë ai.

Lajme të ngjashme