Dje pamë diçka që përflitej moti, por s'dëgjohej – Mosmarrëveshjet Kurti-Konjufca nuk janë të reja - NACIONALE

Dje pamë diçka që përflitej moti, por s'dëgjohej – Mosmarrëveshjet Kurti-Konjufca nuk janë të reja

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kohëve të fundit është përfolur e dëgjuar për pakënaqësi brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Subjekti politik që udhëheq vendin, në vazhdimësi ka mohuar të ketë përçarje. Sidoqoftë, dje (e enjte) nuk kishte nevojë të dëgjohej, e as të përflitej, pasi u pa fjalosja mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Pak kush e di se çfarë i thanë Kurti e Konjufca dje njëri-tjetrit, por ata u fjalosën në sy të Kosovës, pasi që seancat e Kuvendit, përcillen nga shumë qytetarë.

U raportua se Konjufca i tha shefit të tij partiak, “mos mu përzijë, unë e udhëheqi seancën”, por as deputetët nuk e dëgjuan saktë se çfarë u tha në fjalosjen mes tyre.

‘Mosmarrëveshjet nuk janë të reja’

Ish-koordinatorja e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje, tani anëtare e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, i tha gazetës Nacionale se mosmarraveshjet mes dy bashkëpartiakëve nuk janë të reja.

“Mosmarrëveshjet e tyre nuk janë të reja. Konjufca çdo herë ka pasur mospajtime, si në metodën e VV-së, ashtu edhe në qasjen dhe qëndrimet politike, por kjo asnjëherë nuk ka rezultuar me ndonjë çarje. Nuk kam besim tek ai. Është brenda profilit të tij politik që të mos përfshihet me zemër në çështje.” - tha ajo.

Rrusta mes tjerash për Nacionale tha se Kurti e ka pasur më të rëndësishme luftën me sindikalistë, se sa lidhjen me Konjufcën.

“Le të mos harrojmë që në fund të ditës, të gjithë për Kurtin janë të zëvendësueshëm, përveç Kurtit. Pra edhe Glauku. Dhe kjo del me qenë e vertetë në rastin e një ideologjike politike si ajo e VV-së.”- theksoi Rrusta.

Ndërkaq, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli të enjten ka folur për përplasjen mes tyre, duke thënë se ishin shkendija të një konflikti të paralajmëruar.

Mediat sot raportuan për një tension ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Spekulohet se këto mosmarrëveshje erdhën si rezultat i dallimeve ndërmjet dy prej bartëseve të institucioneve kryesore në vend, se si duhet të procedohet rendi i ditës gjatë seancës së sotme plenare. Ku thuhet se kryeministri paska kërkuar që të mos hidhet në votim kërkesa e opozitës për ta zhvilluar një debat parlamentar lidhur me gjendjen në arsim, kurse i pari i Kuvendit paska vepruar në kundërshtim me këto urdhra. Pra konflikti në shikim të parë dukët më shumë i natyrës procedurale.” - ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, Konjufca këtë përplasje e kishte paralajmëruar edhe më herët.

“Mirëpo a është ky tension vetëm shprehje simptomatike e një çarjeje më të thellë ndërmjet të dyve, a do të agravohet ai edhe më shumë, apo do të tejkalohet me kaq, këtë nuk mund ta themi me siguri. Por se do vinte ky moment ishte e ditur prej kohësh. Madje atë e kishte paralajmëruar vetë Glauk Konjufca. Por ai synonte që vetë ta shmangte një situatë të tillë. Dhe që të tjerë ta realizonin këtë detyrë që do të qonte pashmangshëm në konflikt me kryeministrin për shkak të sjelljeve të tij politike, që sipas Konjufcës mund të jenë problematike për një rend demokratik parlamentar. Mirëpo, pak kush i kishte kushtuar rëndësi atëbotë atij kumti." - ka shkruar ai.

‘Kundërshtimet’ e kryeparlamentarit

Nën pozitën e kryeparlamentarit, Konjufca jo rrallëherë ka dalë ‘kundër’ deputetëve, por edhe ministrave të partisë së tij.

Në korrik të këtij viti, Konjufca absteoni në votimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili u votua nga të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me përjashtim të Doarsa Kica – Xhelilit, e cila e përmendi këtë edhe si arsye për largimin nga lista ‘Guxo’ dhe grupi parlamentar.

Konjufca ia kishte marrë fjalën edhe ministres së Drejtësisë, Albuelan Haxhiu, e cila insistonte të deklarohej para Kuvendit.

“Ministre me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës, pastaj...”, ka thënë Konjufca.

Pavarësisht kësaj, ministrja tha se e ka fjalën dhe nuk “lëvizë” pa e përfunduar. Kjo, e kishte acaruar edhe më shumë Konjufcën, i cili i kishte kërkuar asaj që të ulet.

Ai edhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shpesh, ka refuzuar që t’ua japë fjalën, siç është së fundi rasti i Fitore Pacollit, të cilës i tha “boll më”.

Heshtja e gjatë e majit 2020

Në maj të vitit 2020, për më shumë se 20 ditë, Glauk Konjufca po mungonte. Krejt kjo, pasi e mbrojti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë asaj kohe, Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, kishte sulmuar Glauk Konjufcën, pasi pretendonte që Konjufca kishte nxitur aktivistët e LVV-së që ta sulmonin.

Konjufca atë kohë, vlen të theksohet se nuk e kishte mbrojtur as vetën, pasi që për 12 ditë nuk kishte bërë paraqitje publike, e as ndonjë reagim në rrjete sociale.

Konjufca atëherë, kishte munguar edhe në një mbledhje të kryesisë së LVV-së, ani pse është personi i dytë më i votuar në parti.

Lajme të ngjashme