“Djali me shenjë” – a po e kopjon PDK-ja z.Phillips në protestat e “TrimiMeParullë”
Trimi me parullë, ishte prej aktiviteteve më të shpeshta të PDK-së në janar. E çuditshme, por edhe intriguese. Çka bënte një djalë i vetëm me një parullë në dorë? Eh, e gjithë kjo del se nuk ishte aq origjinale sa mund të kemi besuar. Trimi i PDK-së mund të ishte trim, por definitivisht s’ishte autentik.
Në vazhdën e zgjedhjeve nëpër degët tjera, Partia Demokratike e Kosovës zgjodhi dje kreun e të rinjve në kryeqytet gjatë muajit janar të këtij viti. Trim Syla, mori pozitën e kreut të të rinjve të PDK-së në Prishtinë, në një kuvend zgjedhor që u cilësuar “madhështor” nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.
Trimi me parullë
Disa prej këtyre shkrimeve në parullat e Trimit të PDK-së ishin: “Rritet tatimi, pasurohet Martini”, “Me pare të tatimit blejnë rrymë t’Martinit”, “Martin veç vonim se s’ka pshtim”, “Kërkesë për Albinin: Nonimoje Martinin(para hymjes se Big Brother VIP Kosova)”.
Deri më tani, "protestat" e Trimit me parullë në duar kishin të bënin shumica me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një skandal të madh financiar rreth të cilit është raportuar ne media tash e gati një vit.
“Zanafilla e Trimit”
Pas zgjedhjeve në krye të rinisë së PDK-së, Syla ka bërë një postim falënderues në llogarinë e tij në Facebook, ku ndër të tjera ka përmendur edhe ish-kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismailin.
“Bashkë me degën e Partisë Demokratike në Prishtinë, me në krye Uran Ismailin, kemi me punu çdo ditë që të rinjtë me u përfshi në vendimmarrje e idetë tona me qenë platformë politike e së ardhmes.” – ka shkruar ai
Përmes një fushate ndryshe dhe paksa të pazakontë në krahasim me fushatat që jemi mësuar t'i shohim rregullisht në vendin tonë, Uran Ismaili i PDK-së edhe pse nuk arriti të dalë i pari, arriti të kalonte çdo parashikim për numrin e votave që PDK-ja mund të arrinte në Prishtinë. Që nga ajo kohë, daljet publike të zotit Ismaili kanë qenë të pakta.
Megjithatë, këtë vit, Ismaili i PDK-së mesa duket ka filluar t'i rikthehet energjisë së tij të kohës së fushatës. “TrimiMeParullë” mund të jetë një nga idetë e reja “kreative” si mënyrë e të bërit opozitë.

Ndonëse një gjë të tillë nuk e ka pohuar as z.Ismaili e as z.Syla, megjithatë, e gjithë kjo metodë e protestës duket se e ka zanafillën tek një person i njohur që tashmë e bën një gjë të tillë.
Në llogarinë e tij në Instagram, Ismaili i PDK-së ka “follow” një amerikan në ShBA me një llogari me ndjekës të shumtë në Instagram “Dude With Sign”, që në shqip përkthehet “Djali me Shenjë”.

Personi në fjalë ka miliona ndjekës në rrjetet sociale. Ai është bërë i famshëm për shkrimet e tij të ndryshme në një pankartë që mban në duar në rrugë të ndryshme.
Bazuar në një kërkim të thjeshtë në internet, personi që qëndron pas “dudewithsign” është Seth Phillips, i njohur tashmë për “protestat” e tij për gjëra të zakonshme, të përditshme.
Pasi z.Phillips krijojë "Djalin me Shenjë", brenda katër muajsh, llogaria e tij në Instagram u rrit në 4 milionë ndjekës. Ndërsa tani numëron 8 milionë.

Ndoshta rastësi, por nëse i krahasoni fotot e "protestës" së z. Phillips me ato të z. Syla, ato janë mjaft të ngjashme. Madje, Trimi i PDK-së është përkujdesur që edhe syzet t'i ketë pothuajse të ngjashme.
Krejt kjo mund ta këtë quar Ismailin e PDK-së deri tek ideja e “TrimiMeParullë”.
Madje, Isamili i PDK-së shpesh herë ndan postimet e “djaloshit me shenjë” në rrjetin e tij social Instagram. Ndërsa tani, i shpërndan ato të Trimit me Parullë në Facebook.
Kush është Trim Syla?
Syla pritet që t’i udhëheq të rinjtë e Partisë Demokratike në Prishtinë.
I njëjti, duket se është aktivist shumëvjeçar i PDK-së, megjithatë, për të nuk dihet shumë.
Sipas të dhënave që ai i ka publike në rrjetin social Facebook, duket se deri tash ka qenë sekretar organizativ i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se është themelues në “Kosovo Pro Gaming” dhe “Invectus Siempre”.
I njëjti, ka studiur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Syla, është djali i Ismail Sylës, ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi.
Rreth zgjedhjes së tij në këtë pozitë, ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka falënderuar anëtarët e Rinisë Demokratike që e zgjodhën për t’i drejtuar për një mandat.
“Zotohem se do të jem zëri rinisë së mrekullueshme të kryeqytetit, i krijimit të hapësirës dhe kushteve që vënë në pah potencialin dhe vlerat e të rinjve të Prishtinës.” – tha ai.

