Rinia e PDK-së zgjodhi kryetarin në Prishtinë: Kush është Trimi, djali i këshilltarit të Thaçit? - NACIONALE

Rinia e PDK-së zgjodhi kryetarin në Prishtinë: Kush është Trimi, djali i këshilltarit të Thaçit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur dje kreun e të rinjve në kryeqytet. Trim Syla, tash e pas do ta mbajë këtë pozitë në partinë opozitare. Kush është Syla?

Në një kuvend zgjedhor që u cilësua si “madhështor” nga kryetari Memli Krasniqi, PDK dje zgjodhi kreun e të rinjve në Prishtinë, në vazhdën e zgjedhjeve edhe nëpër degët tjera.

Kush është Trim Syla?

Syla pritet që t’i udhëheq të rinjtë e Partisë Demokratike në Prishtinë.

I njëjti, duket se është aktivist shumëvjeçar i PDK-së, megjithatë, për të nuk dihet shumë.

Sipas të dhënave që ai i ka publike në rrjetin social Facebook, duket se deri tash ka qenë sekretar organizativ i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se është themelues në “Kosovo Pro Gaming” dhe “Invectus Siempre”.

I njëjti, ka studiur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Syla, është djali i Ismail Sylës, ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi.

Rreth zgjedhjes së tij në këtë pozitë, ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka falënderuar anëtarët e Rinisë Demokratike që e zgjodhën për t’i drejtuar për një mandat.

“Zotohem se do të jem zëri rinisë së mrekullueshme të kryeqytetit, i krijimit të hapësirës dhe kushteve që vënë në pah potencialin dhe vlerat e të rinjve të Prishtinës.” – tha ai.

Në shkrimin e tij, Syla ka përmendur dhe ish-kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

“Bashkë me degën e Partisë Demokratike në Prishtinë, me në krye Uran Ismailin, kemi me punu çdo ditë që të rinjtë me u përfshi në vendimmarrje e idetë tona me qenë platformë politike e së ardhmes.” – ka shkruar ai

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se prezenca e madhe e të rinjve në këtë kuvend, dëshmoi se platforma e partisë që ai drejton, ka nxitur vullnetin dhe aktivizimin e tyre.

“Në një garë fer dhe demokratike, delegatët e Rinisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet zgjodhën Kryetar në këtë mandat, aktivistin shumëvjeçar, Trim Sylën.” – tha ai.

Në fund, Krasniqi ka shkruar: “Urime Trim, të priftë e mbara!”

Lajme të ngjashme