Donjeta Sahatçiu edhe më "larg" PDK-së, mungon në zgjedhjen e kreut të Rinisë Demokratike në Prishtinë - NACIONALE

Donjeta Sahatçiu edhe më "larg" PDK-së, mungon në zgjedhjen e kreut të Rinisë Demokratike në Prishtinë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ishte vërshuar nga komentet pas një deklarate "mbrojtëse" në favor të kundërshtarëve më të mëdhenj të partisë ku bën pjesë e përmes së cilës edhe siguroi kolltukun e nënkryetares së kryeqytetit.

Fjala është për Donjeta Sahatçiun e PDK-së, gjithmonë nëse mund të quhet e tillë, pasi tash e një kohë, rrugëtimi i saj e PDK-së rrallë është pikëprerë.

"O tash, o kurrë dëshmohet dashnija për shtetin. Besa edhe lidershipi. Bashkë!", thuhej në cicërimën e saj që ngjalli reagime.

Replikave të shumta ajo iu përgjigj në të njëjtën formë, por kësaj radhe duke përmendur faktin se nuk i bën logo PDK, por puna dhe dashuria për vendin.

Për t'u mbrojtur sadopak, në fund fare ajo megjithatë përdori "hashtagun" #LiriaKaEmër.

Disa prej figurave kyçe, jo shumë muaj më parë, hodhën kritika ndaj këtyre raportimeve të Nacionales, megjithatë, largësia mes palëve është edhe më e dukshme.

Dhe sot është parë, "bajagi". Partia Demokratike e Kosovës, gjegjësisht të rinjtë e saj në Prishtinë, mbajtën Kuvendin Zgjedhor, ku zgjodhën edhe kryetarin e ri.

I pari i demokratëve kosovarë, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" deklaroi se prania kaq e madhe e tyre dëshmoi se platforma e partisë që ai drejton për t'i dhënë zë rinisë ka nxitur vullnet dhe aktivizim te kjo moshë.

"Në një garë fer dhe demokratike, delegatët e Rinisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet zgjodhën Kryetar në këtë mandat, aktivistin shumëvjeçar, Trim Sylën", thuhej ndër tjerash.

Por, siç mund ta shihni në fotografitë e publikuara, e poashtu edhe duke u thirrur në burime të pranishme në këtë Kuvend, Sahatçiu nuk mori pjesë fare.

Nuk dihet pse po ndodh ky refuzim i saj karshi partisë që e shfrytëzoi si urëlidhëse për të arritur në pozicionin ku është edhe sot, atë të njërës prej figurave kyçe në Komunën e Prishtinës.

Nacionale kontaktoi me të për ta pyetur rreth mungesës, ndërsa e njëjta shtoi se një e tillë u regjistrua për shkak të gripit sezonal.

"Përshëndetje, shpresoj jeni mirë. Tash po e shoh mesazhin e juaj. Unë kam ditë që jam me grip dhe e izoluar në shtëpi", tha ajo për redaksinë tonë.

PDK në sondazhe

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon reformimin e saj brendapartiak dhe zgjedhjet te të rinjtë është njëra prej copëzave të ndryshimit respektiv.

Megjithatë, për nga besueshmëria nuk është se ka ndryshuar edhe shumë.

Sipas sondazheve të fundit të UBO-s e të publikuara në Debat Plus, dikur partia numër një në vend është e treta, me pak vota më pak se Lidhja Demokratike, por shumë më pak se VV që prin sipas sondazhit gjegjës.

Lajme të ngjashme