Ditari i Buzhalës 21, Intervistë: Bledi Mane flet për kosovarët, vajin e ullirit dhe "frizurën e Albinit" - NACIONALE

Ditari i Buzhalës 21, Intervistë: Bledi Mane flet për kosovarët, vajin e ullirit dhe "frizurën e Albinit"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tjetër koncept. I njëjti mision. Dimensioni tjetër. Autori nuk ka ndryshuar. Madje as synimi.

Nga sot, Ditari i Buzhalës do të jetë me koncept të ri. Do të ketë edhe mysafir. I pari i zgjedhur për në këtë version është gazetari karizmatik nga Shqipëria, Bledi Mane.

Ky i fundit bëri bujë në vendin tonë me deklaratën për vajin e ullirit, duke thënë se kosovarët janë prapa sa i përket kuzhinës.

Në këtë emision, ai dha edhe arsyetimin, teksa kritikoi figurat si Milaim Zeka e Vlora Çitaku.

“Kam marrë shumë kërcënime. Thosha mirë. Ju shqiptarët e Kosovës do të më vrisni, por te guri i varrit çka do të më shkruani. E vramë për shkak të vajit”, thotë Mane, duke iu kundërpëgjigjur mijëra mesazheve që mori pas deklaratës së famshme.

Tutje ai shtoi se sa i përket kësaj çështjeje, shqiptarët nga Kosova dhe ata nga Shqipëria janë unifikuar.

Interesant është edhe momenti kur e krahason gazetarin Milaim Zeka me yllin e flamurit të ish-Jugosllavisë, pra të ndryshkur dhe të dalë nga boja.

“Milaimin e dua me të mirat e të këqijat e veta. E kam koleg. Por, e ke parasysh atë yllin e flamurit të ish-Jugosllavisë, të ndryshkur e të dalë nga boja, që e shesin jashtë muzeumeve, pra ashtu më ngjan ai”, shtoi gazetari.

Ndër tjerash, ai foli edhe për reagimin e figurave publike në vendin tonë.

Një nga ta ishte edhe ai i Vlora Çitakut. Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, përmes rrjetit social “Facebook” kishte thënë se të marrë ka pasur gjithmonë.

“Punë e madhe. Të marrë ka pasë e ka me pasë përherë mes nesh”, ka shkruar Çitaku.

Në këtë emision, Mane nuk ia përmendi emrin, duke e quajtur Saranda Çitaku, gjë kjo që vuri në lajthitje edhe autorin Buzhala, por më pas u kuptua, me ç’rast Bledi vazhdoi:

“Ajo Saranda Çitaku, nuk ia përmend emrin se lavdia e qytetit (duke aluduar në Vlorën) është shumë e madhe në krahasim me një lagje, Çole Çitaku, quhet lagjja”, tha Mane.

Veç kësaj, ai foli edhe për pjesën e paragjykimeve ndaj kosovarëve.

Madje, shpalosi një rast kur sa punonte në Ministrinë e Turizmit dhe ishte për kontroll në Vlorë, shitësi mendoi që ishte kosovar, veç pse pyeti çmimin dhe ishte i gjatë.

“Ne ende ju paragjykojmë. Të jemi koshientë. Kam punuar 3-4 vjet shef sektori i marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Turizmit që kam bërë një punë për çfarë jam krenar çka kam bërë. Kur e shikoj që turizmi në Shqipëri rritet, jam i kënaqur që edhe unë kam kontribuar. Kam punuar me ministrin Arben Ahmetaj, le ta shajnë, le ta atakojnë, por ishte një punëtor dhe menaxher i shkëlqyer. Na ndodhi një ditë dhe shkojmë në Vlorë për kontroll. Shkoj në një market dhe hap frigoriferin, marr një “orange soda” dhe shkoj për ta paguar dhe mundohem të flas gjuhën letrare:

+ Më fal, sa kushton?

-2000 lekë o vëlla!

+ Më pas iu përshtata në gjuhë: O dërman, pse ia fut kot? M’u drejtua:

-Nuk je kosovar ti?

+Pse, i thashë. Mu kthye shitësi:

-Po ja, pyete sa kushton dhe je i gjatë?

Pra, dialekti dhe gjatësia ndikuan që të rritet edhe çmimi.“

Lajme të ngjashme