Çka na vyen një tjetër gazetë? - NACIONALE

Çka na vyen një tjetër gazetë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çka i duhet Kosovës një tjetër medium në hapësirën e dendur me mediume tjera? Imagjino!

Kosova ka me bollëk mediume, thotë një mendim. Një tjetër thotë që Kosova s’ka hiç mediume, i pakënaqur me ekzistueset. Të dy kanë të drejtë. Në këtë editorial, do të provoj të tregoj disa prej arsyeve pse na vyen gazeta Nacionale!

Berat Buzhala

Faza e dytë e Aksionit Special në Ukrainë, kështu ka dëshirë Putini ta quajë gjenocidin ndaj një populli tjetër, ishte aprovimi i Ligjit Kundër Shpifjes së Qëllimshme. Mediat Perëndimore janë të habitura me mënyrën se si Putini i ka renditur këto prioritete. Duke e njohur presidentin Putin, ligji i dytë do të duhej t’i paraprinte Aksionit Special, ose së paku të quhej Aksioni i Dytë Special, mirëpo udhëheqësi rus, duke besuar në ushtrinë e tij, kishte shpresuar që nuk do të paraqitej fare nevoja që t’i mbyllte edhe ato dy-tri media të pavarura që ende frymonin në Rusi, sepse ushtria do të mbaronte punë në afat rekord.

Sido që të jëtë, kur ushtria dështoi, kur mediat filluan të tregojnë se çfarë po ndodhte me forcat ruse, me demoralizimin e ushtarëve rus, me humbjen e jetëve etj., Putini vendosi që të mos i linte më asgjë rastësisë, e aprovoi ligjin sipas të cilit cdo informatë që nuk është marrë direkt prej ushtrisë ose qeverisë, është informacion fals dhe shpërndarësit dënohen deri në 15 vjet.

Këto ditë çdo gjë është e mundur të kontekstualizohet me ngjarjet në Rusi. Ndoshta edhe informatat për motin mund të nisin me disa të dhëna për reshjet e borës në stepat e Ukrainës, e lëre më raporti i shtetit dhe pushtetit me gazetarët. Rusia kurrë nuk ka qënë truall i plleshëm për mendimin ndryshe. As në kohën e Rusisë cariste, as në kohën e Bashkimit Sovjetik, e as tash në epokën e Vladimir Putinit. Një personazh në Twitter, i njohur si Darth Putin, thotë “mos beso asgjë deri në momentin që Kremlini ta mohojë atë”.

Në një situatë pak më ndryshe, ku do të kishte media që do të raportonin në mënyrë të pavarur, pushteti i Putinit nuk do të kishte qenë kaq absolut. Gazetarja e guximshme ruse Anna Politkovskaya, që i kishte shpërfaqur krimet e ushtrisë ruse në Checheni, ishte vrarë në liftin e saj në apartmentin në qendër të Moskës. Për shkak të ligjit të fundit të aprovuar në Rusi, gazeta ku Politkovskaya kishte punuar, Novaya Gazeta, u detyruar që të heqë dorë nga raportimi mbi luftën në Ukrainë.

Me fjalë të tjerë, në mënyrë praktike, të kontekstualizuar, kjo është rëndësia e mediave të lira. Edhe Vladimir Putin dhe shërbëtorët e tij, sot e gjithë ditën thonë që “ata nuk janë kundër gazetarisë profesionale, por janë kundër shpifjeve”. Kështu i thoshte Sergei Lavrov një gazetareje të Channel 4 gjatë një interviste të ashpër televizive, që Rusia dhe Putin nuk janë kundër gazetarëve, por janë kundër gazetarëve që shpifin. Pastaj se çfarë është një shpifje, të tregon Kremlini dhe Putini.

Në këtë klimë globale politike, efektet e të cilës do të vërehen edhe në vendin tonë, sot po e nisim një media të re, të cilën kemi vendosur ta quajmë Nacionale. Rreth këtij projekti janë mbledhur mbi 20 gazetarë, që deri më tash kanë punuar në mediat tjera. Pse duhet të hapet edhe një medium i ri, kur në vendin tonë ka mjaft, do të mund të pyeste dikush. Raporti media pushtet në Kosovë, nuk është as afër raportit që është në Rusi, ose edhe në Serbi, e as në Shqipëri e Mal të Zi.

Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, falë prezencës së madhe ndërkombëtare dhe trajnimeve të shumta, mediat në Kosovë, për dallim nga rajoni, e kanë bërë një progres të mirë. Kjo është identifikuar dhe vlerësuar edhe në raportet e organizatave të specializuara ndërkombëtare.

Tash e dy dekada, gazetarët në vendin tonë rebelohen, me të drejtë, kundër qeverive. Asnjë qeveri, fatbardhësisht, nuk ka arritur t’i bëjë zap të gjithë. Përpjekjet nuk kanë munguar dhe kjo është normale. Prapë, një kontribut të jashtëzakonshëm që mediat të shpëtojnë prej përqafimeve ngulfatëse të politikanëve, e kishin ndërkombëtarët. Sa herë që kryeministrat, a ministrat, a kryetarët e partive, e kalonin kufirin e tyre, reagonin ambasadorët dhe diplomatët, duke ua bërë të ditur që demokraca nuk e pranon një gjë të tillë.

Për shumë arsye, gjendja dhe raportet politike, si në mes nesh, si në mes nesh dhe ndërkombëtareve, nuk janë më sikur kanë qënë.

Ambasadorët e shteteve aleate janë më të kujdesshëm në interferim në punët e brendshme të Kosovës, kurse si për ta bërë gjendjen më të komplikuar, skena politike në vend nuk është më aq plurale siç ka qënë.

Kur kishim shumë parti brenda një koalicioni qeverisës, një prej tyre ndoshta kishte dëshirë më të madhe për kontroll, mirëpo të tjerat ishin më të kujdesshme, ndoshta jo që besonin shumë në liri të shprehjes dhe liri të mediave, por sepse dëshironin ta bënin dallimin. Dhe kjo ishte një gjë e mirë. Tek e fundit motivet nuk na kanë interesuar aq shumë.

Më 14 shkurt të vitit të kaluar ka ndryshuar shumçka, jo vetëm për mediat. Ndryshimi radikal i raportit të forcave politike, duke ardhur në qeverisje një mamuth politik si LVV, e ka futur vendin tonë në një orbitë të re. Një gjë e tillë i kishte të mirat e veta. Një fitore e tillë plebishitare i dha fund improvizimeve dhe tribalizmave politikë, duke e mundësuar një stabilitet dhe qëndrueshmeri politike që po i mungonte Kosovës në tri-katër vitet e fundit. Çoroditja politike e bëri të vetën.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, por edhe në ato të vitit 2020, qytetarët nuk ishin shprehur qartësisht se çfarë dëshironin. Vota e tyre kishte krijuar shumë xhepa politikë, secili më i vogël se tjetri dhe brenda secilit xhep edhe nga një minixhep. Më i rëndësishëm se sa një subjekt politik që i kishte fituar 20 përqind të votave, ishte bërë një deputet që kishte rastisur të ishte vota e 61-të në Kuvend. Për të marrë atë votë, burrat e shtetit, në mes të natës, shkonin odë më odë. Prandaj kjo nuk do të mund të vazhdonte shumë gjatë në këso far feje.

Populli, më 14 shkurt, vendosi për qartësi më të madhe. Mirëpo populli nuk është individ dhe nuk e analizon cdo gjë. Mandati i tij është të delegojë, kurse në rastin tonë, vendosi që Albin Kurtin dhe LVV’në ta mandatojë me përgjegjësi gati monarkike.

Nuk kishte ndodhur kështu kurrë më parë, por ja që për çdo gjë është hera e parë. Cunami politik i quajtur Vetëvendosje dhe Albinkurti, e çoi drejt humnerës krejt establishmentin e vjetër politik, duke e ngritur një klasë të re dhe një kulturë të re politike, por jo vetëm. Në rrethana të këtilla, liderët me instikte autokratike, janë të prirur që ta keqlexojnë ose ta deformojnë qëllimshëm mesazhin e qytetarëve, duke provuar që ta deligjitimojnë çdo gjë që ka ndodhur para tyre, përfshirë mediat, biznesin, madje edhe historinë.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, nga çfarë po shohim deri më tash, duket që do të bjerë saktësisht në këtë kurth. Dikush përpara meje e ka thënë, Kurti duket i gatshëm që të qeverisë me tiraninë e numrave, ku shumica e dalë më 14 shkurt, sipas tyre, ka të drejtë për çdo gjë, ose, prapë sipas tyre, qytetarët i kanë autorizuar ata me 14 shkurt që të vendosin për çdo gjë, edhe për politikë, edhe për kulturë, edhe për ekonomi, e edhe për media. Prandaj hunda e pushtetit ka filluar ta prekë qafën e mediave. Elita e re politike, e re vetëm në letër, po ngulmon që të asgjesojë cdo gjë që ka ndodhur përpara 14 shkurtit, përveç zgjedhjeve të lira dhe demokratike që e sollën atë në pushtet.

Sipas udhëheqësëve të rinj, ose sipas tregimit të tyre, përpara 14 shkurtit Kosova ka qënë e kapur deri në palcë, i ka pasur të kapura edhe mediat dhe biznesin, mirëpo çuditërisht, një shoqëri e kapur paska mundur që të prodhojë zgjedhje të lira, më të lirat në Ballkan. Kjo, nëse do të kishte qënë kështu, do të kishte qënë një non-sens dhe absurd i pashpjegushëm logjikisht. Gjëja e parë që kapet prej pushteteve është vullneti i popullit. Shikoni përreth dhe kuptojeni.

Në Hungari, për të qëndruar në pushtet, Orban e ndryshon sistemin elektoral, duke e bërë atë që njihet si “gerrymandering”. Në Rusi bie fjala, për të mbytur opozitën, Putin i krijon disa subjekte me emër të njëjtë të partisë opozitare. Madje për ta çuar komedinë deri në fund, kukullat politike të Putinit i ndryshojnë edhe emrat edhe fotot e tyre, duke i bërë të ngjashme me kandidatët opozitarë, vetëm e vetëm që të shkaktojnë huti. Mund të flasim gjerësisht edhe për Shqipërinë dhe Serbinë. Në vendin tonë, me përjashtim të një prove të dështuar të vitit 2010, nuk kanë ndodhur gjëra të tilla.

Ka pasur korrupsion, ka pasur çoroditje politike, por megjithatë, për rajonin tonë Kosova ka qënë një ‘poster girl’. Ka pasur shoqëri civile të fortë dhe të konsoliduar, ka pasur institucione të forta të pavarura, si bie fjala, Gjykata Kushtetuese e cila ka rrëzuar qeveri dhe presidentë, ka pasur edhe media të qëndrueshme. Revolta e një pjese të mediave kur ish-Presidenti Thaçi po provonte që ta arrinte një marrëveshje gjysmësekrete me Presidentin Vuçiç, ka qenë mbresëlënëse edhe për shoqëri shumë më të pjekura.

Prandaj, çdo përpjekje për të ndryshuar çdo gjë, sepse çdo gjë paska qenë keq, është përpjekje për të rrënuar çdo gjë. Në Iran, bie fjala, regjimi aktual kishte ardhur në pushtet me votë të lirë, kurse në emër të përmirësimit të gjendjes atje, gjënë e parë që e ka bërë e ka suspenduar votën e lirë. Ilustrime, si për të mirë, si për të keq, kemi sa të duash, gjithandej planetit.

Apologjetët e pushtetit aktual, të frikësuar se mos rastësisht po balancohet pak pushteti, shumë prej tyre argatë edhe të pushteteve të kaluara, po nxitohen të thonë që Kosova nuk paska shansë të shndërrohet në një shtet autokratik, ose në një shtet ku do të mund të cenohej rëndë liria e shprehjes ose liria e mediave, ose në një shtet ku mund të bëhen hapa prapë.

Demokracia dhe liria nuk janë të garantuara. Ato nuk janë synime që arrihen njëherë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë aty për jetë të jetëve, sepse një fuqi mbinatyrore i garanton dhe mbron ato. Jo, ato mbrohen dhe garantohen vetëm prej njerëzve që kanë interes që të jetojnë në një shoqëri me vlera të tilla. Dekada e fundit, në këtë rrafsh, ka qënë mjaft e rrëshqitshme edhe për shoqëri shumë më të konsoliduara dhe më të pjekura se sa kjo e jona.

Sipas një raporti të institutit V-Dem të Universitetit të Gotenburgut, numri i shteteve të konsideruara si demokraci liberale brenda një dekade ka zbritur prej 44 shtetesh në 39, duke kaluar në një stad që tash njihet si demokraci iliberale, që është faza e fundit për të kaluar në shtete gjysëm të lira.

Në shtete si Gjermania, Franca, Italia dhe Britania, kanë lëshuar rrënjë parti dhe liderë që do të ishin të paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë. AfD në Gjermani flirton me nazizmin dhe sponsorizohet nga Putini, kurse gjermanët i japin mbi 10 përqind të votave, Sallvini në Itali vetëm me pak më shumë fat sot do të ishte kryeministër i këtij shteti, kurse Marin le Pen më tutje është pretende serioze për t’u bërë presidente e Francës. Për Brexit-in e Britanisë së Madhe, që ishte projekt i frymëzuar kryekëput nga parti nacionaliste si UKIP, as nuk ia vlen të flitet.

Demokracia nuk është sistem perfekt. Për këtë flitet që nga Greqia e lashtë, e deri në kohën moderne. Churchill kishte thënë që argumenti kryesor kundër demokracisë do të ishte një bisedë pesëminutëshe me një votues në rrugë. Mirëpo demokracia, më saktësisht demokracia liberale, si model qeverisës dominant në 75 vitet e fundit në hemisferën Perëndimore të planetit tonë, deri më tash është treguar si model që nuk ka konkurrencë serioze për organizimin e shoqërive.

Zgjedhjet e lira, liria e shprehjes, liritë individuale, tregu i lirë, konkurrenca në kushte të barabarta, janë vetëm disa prej komponentave që ofron ky sistem vlerash. Cenimi i tyre si tërësi, apo cenimi i tyre në mënyrë specifike, e lëndon krejt këtë paketë.

Nëse nuk ka zgjedhje të lira vështirë që do të mund të kishte liri të shprehjes, kurse nëse nuk ka liri të shprehjes, do të ishte e pamundur që të kishte liri indviduale, apo edhe treg të lirë. Këto janë standarde që e mbrojnë njëra-tjetrën dhe na mbrojnë të gjithëve neve.

Bie fjala në Serbi, i gjithë shtypi kontrollohet nga politika, e pastaj politika e kontrollon ekonominë, e pastaj kontrolli ekonomik mundëson edhe kontrollin elektoral. Prandaj Vuçiçi po qëndron në pushtet kaq gjatë dhe kaq qëndrueshëm. Serbia ekonomikisht është shumë më e dobët se sa Kroacia, por në këtë shtet të fundit, prej kur Vuçiçi është në pushtet janë ndërruar disa kryeministra dhe disa qeveri, ndërsa Vuçiçi në çdo palë zgjedhje vazhdon të fitojë thellë e më thellë.

Është e lehtë sot të citojmë sa e sa burra dhe gra të mençura që kanë treguar rëndësinë e mediave të lira dhe lirisë së shprehjes. Të gjitha këto nuk do të vlenin as pesë pare, sikur gjendja në terren të fliste kundër tyre. Mirëpo sot çdo gjë është e matshme. Skandinavët jetojnë shumë më mirë, janë shumë më të lumtur, kurse lirinë e mediave e kanë maksimale. Kush është ana e kundërt e tyre? Le të shkojmë te rastet më ekstreme, Korea e Veriut. Atje, lideri para disa muajve kishte marrë një vendim që të ndalohet e qeshura për disa ditë, në nderim të përvjetorit të vdekjes së babait të tij. Në Britani të Madhe, Mbretëresha dhe e gjithë familja e saj grihen nga mediat në baza ditore, ashtu siç grihet cdo figurë tjetër publike. Mirëpo kjo nuk e bën Britaninë e Madhe shtet më pak atraktiv.

Misioni dhe vizioni i Nacionales është ky. Të punojë për një shoqëri më të hapur, më të lirë, më të barabartë, ku askush nuk ka imunitet, as ai që i merr 51 përqind të votave, as ai që flet në emër të Zotit, e as ai që i takon grupit etnik që bëjnë pjesë 98 përqind e popullatës. Demokracia dhe liria matet jo me të drejtat që i ka shumica, por me të drejtat që i ka pakica. Nacionalja synon të jetë aleat i pakicës për t’u mbrojtur nga hegjemonia e shumicës, në çdo fushë, në politikë dhe në ekonomi, në jetën publike dhe në jetën private. Një serb dhe një shqiptar, përpara se të jenë serb dhe shqiptar, janë njerëz, një homoseksual dhe një heteroseksual, përpara se të jenë homo dhe hetero, janë njerëz. Të gjithë këta janë njerëz që sipas ligjeve tona në fuqi gëzojnë të drejta individuale dhe jo të drejta etnike, e as të drejta seksuale.

Ky është synimi i Nacionales.

Kjo është dita e parë e punës.

Do të raportojmë sipas interesit të publikut e jo sipas interesimit të publikut.

Lajme të ngjashme