Buzhala: Fatbardhësisht këtu gjuha ka qenë gjithmonë mbi religjionin - NACIONALE

Buzhala: Fatbardhësisht këtu gjuha ka qenë gjithmonë mbi religjionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të enjten u publikua edhe episodi i 20 i Ditarit të Buzhalës.

Temë parësore në pjesën gjegjëse ishte shamia, çështje kjo e shumëpërmendur ditëve të fundit në Kosovë, si shkak i një iniciative të një ish-këshilltari të Kurtit, Durim Berishës.

Ky i fundit, ka inicuar në versionin “online” kërkesën për ndryshim të udhëzimit administrativ, udhëzim i cili ua ndalon hyrjen në shkolla publike grave mbi moshën 16-vjeçare që mbajnë shami.

Por, në këtë tekst, do të veçojmë fraksionin diçka më të gjatë se 3-minutësh, ku autori flet për rrugëtimin tonë si popull, që gjithmonë gjuhën e kemi vendosur para religjionit.

Në fakt, Buzhala mendon se nëse nuk do të flisnim shqip, nuk do të ishim një popull, përfshirë këtu edhe ortodoksin nga Konispoli, katolikun nga Shkodra ose Gjakova apo myslimanin nga Vushtrria apo Mitrovica.

“Fatbardhësisht, jemi ndër të vetmit në botë ndoshta që gjuha ka pasë përparësi e jo religjioni. Identiteti ynë kryesor është gjuha shqipe. Nëse ne nuk do të flisnim shqip, ne nuk do të ishim një popull. Por, kur flasim shqip, që është tepër e rëndësishme, edhe ai ortodoksi në Konispol, edhe katoliku në Shkodër ose Gjakovë, edhe myslimani në Vushtrri ose Mitrovicë, përbashkohen rreth këtij identiteti”, tha fillimisht Buzhala.

Tutje, gazetari vazhdoi se feja asnjëherë nuk e ka tejkaluar prioritetin e titulluar etni.

“Feja në anën tjetër kurrë nuk e ka tejkalu këtë prioritet. Sepse në momentin që tejkalon feja, ky është problemi i vendeve të botës arabe. Ka shumë prej tyre etnikisht arab, po që luftojnë me njëri-tjetrin, “suni”, “shii” e plotë sekte tjera që vazhdimisht i japin besimit se asaj çfarë gjuhe flasin. Në rastin tonë, hierarkia ka qenë e qartë. E kam thënë edhe me një emision tjetër, kjo falë edhe rilindasve. Në momentin duke rënë Perandoria Osmane, po edhe në atë perandori nuk ka qenë islami qysh është sot në botën arabe. Ka qenë shumë më i moderuar, shumë më tolerant ndaj besimeve të ndryshme fetare, mirëpo rilindasit me ardhjen e tyre, prej Pashko Vasës e tjerëve, na kanë tregu që feja e shqiptarit është shqiptaria, sado që këto tingëllojnë patetike, kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm në 100 e diçka vitet e fundit”, shtoi Buzhala.

Në fund fare, autori shtoi se pas luftës në Kosovë zbarkuan shumë organizata ndërkombëtare, por që nuk kanë ardhur për të vendosur rendin sipas sheriatit.

“Pas luftës, pas vitit 1999, invezioni i madh i organizatave humanitare, ka ndryshuar shumë gjëra në vendin tonë. Kërrkush s’ka ardhë këtu ditën e parë edhe me thënë: dëgjoni burra edhe gra. Ne jemi një organizatë arabe, kemi ardhë këtu edhe kushdo që e tradhton burrin ose gruan, kemi me vra me guri se kështu thotë besimi. Jo s’ka ndodh kjo. Ajo pak më vonë kanë dashtë me thënë. Pra, fushata sistematike për m’i dhënë përparësi religjionit, kundrejt etnisë, kundrejt gjuhës, ka ardhë në mënyrë perfide. Dmth shamia është njëra prej mjeteve për me shku te synimi final. Sepse gjithë këtë shumicën e propagandistëve kryesorë të islamit politik kur i kam pyet në studio: Mirë, cili është synimi final i yti? – A është synimi që në fund edhe në Kosovë, si në vendet që janë të prirura të shkojnë drejt islamit politik, të dominojë sheriati në fund?, janë përgjigjë me po. E tash, në momentin që ndryshohet, kalojmë prej një shoqërie civile sekulare, në një shoqëri ku sheriati e ka fjalën e fundit, shamia është vrima e fundit e kavallit”, përfundoi Berat Buzhala.

Në fillim të tekstit është pjesa e shtjelluar këtu, ndërsa më poshtë episodi i plotë.

Lajme të ngjashme