Mbyllet kampanja për shaminë: Organizatorët thonë se Ministria e Arsimit do ta lejojë shaminë në shkolla - NACIONALE

Mbyllet kampanja për shaminë: Organizatorët thonë se Ministria e Arsimit do ta lejojë shaminë në shkolla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Iniciuesit e kampanjës për ndryshimin e udhëzimit administrativ për shaminë, Durim Berisha dhe Liridon Kurti kanë njoftuar se kanë përmbyllur kampanjën disa ditore.

Ata kanë treguar se kjo ka ndodhur pasi që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka konfirmuar se do ta anulojë nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014.

Njoftojme opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë serioziosht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar. Peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 000 nënshkrime nga të cilat 45% femra. Të dhënat personale do të asgjësohen në bazë të legjislacionit në fuqi.”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur këtë kampanjë.

Falendërojmë secilin person që ka përkrahur këtë nismë fisnike, përmes të cilës është synuar t’i ipet fund diskriminimit dhe të garantohet qasje e barabartë në arsim. Jemi të lumtur për përkrahjen pa dallim gjinie, besimi dhe etnie. Falenderojmë ato media të cilat kanë raportuar paanshëm dhe objektivisht për kampanjën. Pavarësisht tendecave që t’i ipet kahje tjetër kësaj kampanje, përmes shpifjeve dhe raportimeve dezinformuese, ato ishin raste të izoluara dhe pa efekt”, ka shkruar ai.

Ai ka paralajmëruar se nëse ministria nuk do ta përmbush premtimin e dhënë, do t'i shfrytëzojnë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë. “Ju sigurojmë se në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfryzëtojmë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë. Nga sot ju kërkojmë që të ndaloni së komentuari nëpër postimet e bartësve të funksioneve publike. Ju njoftojmë se çdo përdorim tani e tutje i hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë nuk ka asnjë lidhje me kampanjën dhe iniciatorët e saj”, ka shkruar Berisha.

Gazeta Nacionale ka tentuar ta marrë një përgjigje për këtë çështje nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Debati në rrjete sociale arriti efektin

Tash e disa ditë në vendin tonë ka nisur një kampanjë, përmes së cilës është kërkuar që të ndryshohet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë nëpër shkolla.

Lidhur me këtë çështje, dje është prononcua edhe kryeministri Albin Kurti, i cili përmendi si prag moshën 16-vjeçare, e që shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale.

... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, tha Kurti.

Kryeministri e përmendi si prag për çështjen e shamisë moshën 16-vjeçare, të cilën vendosi ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit të kësaj moshe.

Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, tha Kurti.

Deklarata e Kurtit ngjall debat në rrjete sociale

Deklarata e të parit të shtetit shkaktoi reagime e debate në rrjete sociale. Gazetari Ridvan Berisha, me këtë rast, pati një apel për kolegët dhe mediat.

Ai bëri thirrje që mos “të shkelen” kurthet e kryeministrit duke raportuar lidhur me çështjen e shamisë.

Kosova ka me bollëk brengash të tjera, i dijmë dhe i përjetojmë të gjithë ne. Më së paku çështja e bartjes së shamisë për fëmijët nëpër shkolla ka ta bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Grupe mirë të organizuara dhe edhe politikanë të ndryshëm gradualisht po e ndërtojnë shtratin e viktimizimit. Bilanci i tyre është ekspozimi i zhvillimit të doktrinës së islamit politik, bartjen e shamisë po e përdorin vetëm si siguresë, kamuflazh ashiqare. Leksion i keq për shtetin laik”, ka thënë ai.

Lidhur me deklaratat e tij, kryeministri mori edhe një tjetër reagim kundër, këtë herë nga profesori Nezir Kraki, i cili i ka dalë disa herë në mbështetje atij.

Ka gabu atehere dhe gabon edhe sot kur deklaron se maturiteti fillon ne moshen 16 vjecare. E keta myhybët e tij qe s’guxojne gojen me e qel duhet t’i thone qe eshte gabim. Sqarimi i tij nuk eshte koherent dhe krahasimi me mundesine e marteses ne moshen 16 vjecare eshte absurd. Absurd sepse per martese nen moshen 18 vjecare duhet pajtimi i prindit dhe po i bie qe edhe per vendosjen e shamise fjala e prindit eshte e fundit”, ka shkruar Kraki në Facebook.

Ai madje shtoi se Kurti po e lidh çështjen e shamisë me mundësinë e votimit nga mosha 16-vjeçare, gjë të cilën konsideron se kryeministri po e bën për të fituar vota.

Pas prononcimit të Kurtit para mediave, reagoi edhe analisti Jusuf Thaçi. Ky i fundit, tha se dilemën e ka zgjidhur Profeti.

Dilemën e ka zgjidhur Profeti: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë! Derisa të tjerët ta përfundojnë “debatin” (debat i thënçin) se a duhet të lejohet apo jo shamia për nxënëset e shkollave publike në Kosovë dhe derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me legjislacion, unë e kam një porosi për vajzat (por edhe për prindërit e tyre) që ballafaqohen me dilemën për të zgjedhur mes shkollimit ose shamisë”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme