Misioni historik i ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, dhe pacienti i tij nga Kosova - NACIONALE

Misioni historik i ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, dhe pacienti i tij nga Kosova

1 javë më parë

nga Berat Buzhala

Janë disa ambasadorë amerikanë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në vendin tonë. A do të jetë Jeff Hovenier'i njëri prej tyre?

Berat Buzhala

Njëherë më kishte treguar Hashim Thaçi se qysh ambasadorja amerikane, Tina Kaidanow, i kishte shkuar në zyrë dhe i kishte bërtitur me një copë të hekurit, të thyer në Termocentralin “Kosova B”. Ishin këta muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë, kur Kosova po përballej me një krizë të rëndë energjetike dhe kur po dyshohej që në termocentralet e Kosovës, përveç të tjerash, po bëhej edhe sabotazh. Dyshohej që dikush kishte hedhur te motori një kazmë a një lopatë, që pastaj kishte bërë shumë dëm. Kaidanow’i, që e kam njohur personalisht, ishte padyshim diplomatja më e fortë që ndonjëherë kishte ardhur në vendin tonë nga aleati ynë kryesor. Ajo kishte ardhur në Kosovë me dy misione: misioni i parë, ai i kuptimit të parë, për ta përfaqësuar vendin e vet, kurse misioni i dytë ishte për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, qoftë edhe duke na bërtitur, si në rastin e mësipërm. Njëherë, disa javë para se të shpallej pavarësia, na kishte thirrur edhe kryeredaktorëve të disa prej medieve dhe na kishte mbajtur një ligjeratë të çmueshme :).

Chriss Dell, pas Tinës, ishte ambasadori më i pakompromis që e kam takuar ndonjëherë. Ai kishte ardhur dy herë në vendin tonë: një herë, pas përfundimit të luftës, kur i kishte bërë "për pesë pare" të gjithë komandantët e dalë nga lufta. Këta të fundit, të armatosur deri në dhëmbë, të ndjekur nga shumë bashkëluftëtarë, mendjemëdhenj për suksesin e treguar në luftë, nuk e njihnin Zotin për Zot. Meqë ishte kështu, atëherë Zoti kishte dërguar një amerikan që dinte të komunikonte mirë me të. I kishte larguar nga TMK’ja, i kishte futur nëpër lista të zeza, i kishte bërë për pesë pare. Disa prej këtyre komandantëve m’i kanë treguar vetë përvojat e tyre me Dellin. Kishin qenë beteja shumë më të ashpra se ato gjatë luftës. Trim dhe i vendosur. Për çdo rast, e kishte edhe krejt Bondstillin pas vetes. Dell’i kishte ardhur në Kosovë, si ambasador, edhe një herë, pas shpalljes së pavarësisë. Këto autostradat e bukura që sot i kemi, janë bërë falë edhe angazhimit të tij. Dikush thotë se kanë kushtuar shtrenjtë, mirëpo tash ne jemi të hapur që t’i shohim disa të tjera të lira, të ndërtuara prej tyre. Dell’i po i përfaqësonte kompanite amerikane, sic ishte ajo “Bechtel”, që po konkurronin kundër kompanive evropiane. Thaçi, si kryeministër, nuk kishte mendime me mëdyshje në kokën e tij. Dinte se nga duhej të shkonte. Dell’i, siç thonë sot të rinjtë në zhargonin e tyre, ua kishte “paluar” edhe shumë figurave të shoqërisë civile, kur ato po përpiqeshin që t’i dilnin përpara.

Pastaj, më kujtohet Larry Rosin’i, që gjithashtu kishte ardhur në vendin tonë disa herë dhe në disa misione. Gjurmët më të mëdha Rosin’i i kishte lënë gjatë luftës, kur, si shef i misionit të Zyrës Amerikane – kështu quhej në të ato kohë përfaqësia diplomatike – , kishte ardhur në Kosovë. Me ca mustaqe të holla dhe me një buzëqeshje interesante, Rosin’i po shkonte fshat më fshat të Kosovës për t’i takuar udhëheqësit e UÇK’së. Ishte kjo koha, kur UÇK’ja edhe më tutje, prej një pjese të bashkësisë ndërkombëtare konsiderohej organizatë terroriste. Kështu nuk po e konsideronte Rosin’i, rrjedhimisht as Amerika. Ne po dinim pastaj se nga po shkonte rrjedha e lumit. Rosin’i, pas përfundimit të luftës, kishte ardhur në Kosovë si zëvendësshef i UNMIK’ut. Tepër interesante kjo. Kjo ishte edhe hera e parë, kur UNMIK’un e kemi marrë shumë seriozisht e zyrën amerikane më pak seriozisht. Si popull, nuk është që jemi shumë të zgjuar, përveçse në raste të caktuara. Atëherë kur duhet, dimë që të lexojmë në mënyrë korrekte disa mesazhe të koduara. Kemi ditur që, për arsye taktike, Amerikës po i duhej një prani më e fortë e UNMIK’ut sesa në zyrën e saj. Puna që Rosin’i e kreu në UNMIK - tregojnë ata që kishin të bënin me të - ishte mbresëlënëse. Në përgjithësi, Rosin’i ishte diplomat fantastik dhe mik i madh i vendit tonë.

Një diplomat tjetër që më kujtohet dhe që i kujtohet mirë publikut e kishte emrin Phillip Goldberg. Ai kishte qenë në vendin tonë pak para se Kosova ta shpallte pavarësinë. Ishte kjo faza, kur po bëheshin negociatat në Vjenë, kur Marti Ahtisaari po e përgatiste Pakon, kur klasa politike në vendin tonë po provonte që të bëhej bashkë, në mënyrë që e bashkuar të përballej me Serbinë. Ishte, gjithashtu, koha kur kishte vdekur presidenti Rugova. Goldberg’u në publik mbahet mend shumë mirë për një përplasje që kishte pasur me numrin dy të LDK’së, Nexhat Dacin. Ky i fundit, duke dashur që ta merrte pozicionin e Rugovës, gjë që nuk po pëlqehej prej amerikanëve, kishte thënë se “Goldberg’u ishte vetëm një qytetar amerikan”. Ah! Pas pak kohësh kishte kuptuar se sa gabim e kishte pasur. Goldberg’u e kishte menaxhuar procesin në Kosovë, edhe në LDK, sipas interesave amerikane dhe jo sipas shijeve të tij personale.

Në Kosovë ka pasur edhe ambasadorë e diplomatë të tjerë amerikanë, por prania e tyre është vërejtur më së shumti për festën e 4 Korrikut. Kjo nuk është e mjaftueshme, ndonëse ky edhe ka qenë misioni kryesor i tyre. Pas ambasadorëve të fuqishëm, që shkaktonin shumë pluhur, nevojitej ndonjë tjetër, që ishte i mirë për “party” e për socializim.

Gjasat janë shumë të mëdha që ambasadori aktual amerikan, Jeff Hovenier, për nga performanca dhe roli, do t’u bashkohet atyre që i përmenda më lart. Si përshtypje të parë e kam që Jeff’i e ka energjinë e Chriss Dell’it dhe amerikanizmin e Tina Kaidanow’it. Nuk po gjej zëvendësim të duhur për cilësimin “brutalitet”, prandaj e përdora si sinonim fjalën amerikanizëm. Amerikanët duken brutalë, sepse janë fjalëpak, sepse kanë shumë punë dhe shpeshhëherë, në punët e komplikuara të kësaj dynjaje, butësia keqkuptohet. Prandaj, kur amerikanët janë brutalë në komunikim, nuk e bëjnë këta për shkak se duan që të duken ashtu, por e bëjnë këtë, sepse duan që të duken seriozë dhe të qartë. Shikoni se çka ndodhi në Tajvan. Nancy Pelosi i mbylli të dy veshët para kërcënimeve kineze, para këshillave të Shtëpisë së Bardhë dhe i tha pilotit: “Për Taipei, të lutem!” Wesley Clark’u i kishte thënë Millosheviqit: zgjedh e merr, “në njërën dorë i ke avionët, që do ta bombardojnë Serbinë, në dorën tjetër paqen”. Dihet se cilën dorë e kishte zgjedhur Millosheviqi. Mund të shkruhen dhjetëra libra për këtë mënyrë të diplomacisë amerikane, por le të kthehemi tash te personazhi kryesor i këtij shkrimi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Ai e njeh mirë Kosovën, sepse kishte qenë këndej pari edhe më herët. I njeh të gjithë politikanët relevantë të vendit tonë, por edhe të gjithë të tjerët që është e nevojshme për t’i njohur. Shumica e atyre që i përmenda më sipër ishin të veçantë, sepse kishin ardhur në kohë të veçantë. Dikush gjatë luftës, kur duhej një dorë e fortë amerikane, dikush para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë, kur duhej një qartësi amerikane dhe, si duket, Jeff’i në kohën kur Amerika shpreson që ta mbyllë një herë e mirë dramën ballkanike. Nuk besoj që është e rastësishme.

Ka mundësi që Jeff’i, në fund të misionit - nëse misioni do t’i përmbyllet me sukses - do të kërkojë kompensim shtesë. E para, sepse e ka përmbyllur misionin; e dyta, që këta e ka bërë duke e pasur partner Albin Kurtin, kundërshtarin e të gjithë ambasadorëve amerikanë.

Mësa po shoh deri më tash, Jeff’i këtë po e bën me sukses. Po ia jep Albinit karotat e duhura derisa të vijë radha e shkopit. Duket që komunikimi i tyre po shkon në rrugën e duhur. Albini është aq i zgjuar, sa t’i kuptojë sjelljet e ambasadorëve dhe ta kuptojë edhe misionin e ambasadorit amerikan. Albini, po shpresoj, është aq i zgjuar, sa ta kuptojë edhe gjatësinë e konopit të tij, për ta ditur edhe gjatësinë e manovrimit. Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, nëse ky raport vazhdon në këtë frymë. Takimet joformale të Kurtit dhe Hovenierit, madje të shoqëruar nga familjet, duken shpresëdhënëse, edhe pse praktikisht nuk kanë kurrfarë rëndësie. Hovenier’i po dëshiron që ta fitojë besimin e pacientit të tij. Po ia jep Kurtit tërë mirësjelljen e mundshme, por Albini e di se në manualin e sjelljeve të tij janë edhe disa faqe ku parashihen edhe ndëshkimet. Hendeku matanë rrugës është i mbushur me viktima. Albinit i mjafton që ta zgjasë kokën për të njohur shumë prej tyre.

Jeff Hovenier’i qartazi ka ardhur në vendin tonë për ta mbyllur një herë e përgjithmonë problemin me Serbinë. Kur dihet që në Serbi është Chriss Hill’i, njëri prej diplomatëve më të fortë që ka Amerika, kjo bëhet edhe më e qartë. Dritarja për një mundësi të tillë që, para së gjithash, është interes jetik i Kosovës, do të qëndrojë e hapur edhe për rreth një vit. Nuk ka zgjedhje në Serbi, nuk ka në Kosovë, nuk ka as në Amerikë. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, atëherë nuk dimë se kur do të hapet prapë.

Aq sa është e rëndësishme për ne si banorë të këtij vendi, ky është një moment i rëndësishëm në mënyrë jetike për Kurtin, si politikan. Personalisht, unë jam shumë skeptik për të dhe mënyrën se si ai do ta menaxhojë këtë proces. Unë jam i bindur që Kurti do ta mbivlerësojë veten dhe do ta humbë këtë mundësi. Kurti jeton në dy realitete paralele. I dyti është i rrezikshëm. Në këtë të dytin, ai e sheh veten shumë më të rëndësishëm dhe shumë më faktor, sesa që realisht është. Se sa do të mundet ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që ta kthejë atë në realitet, kjo është çështje tjetër. Këtu do të vihet në spikamë edhe personaliteti i tij.

Lajme të ngjashme