“Sinjal i gabuar”: Kina i reagon ShBA-së për armatosjen e Tajvanit
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, tha të mërkurën se është shumë e gëzuar që Kongresi i ShBA-së kishte miratuar një pako ndihmash që e përfshin mbështetjen me armë për vendin e saj. Sidoqoftë, e gëzuar nuk ishte Kina, e cila i bëri thirrje Uashingtonit që ta ndërpresë shitjen e armëve për Taipein.
Shtetet e Bashkuara janë përkrahëset më të rëndësishme ndërkombëtare të Tajvanit dhe furnizueset me armë të ishullit, edhe pse mungojnë lidhjet diplomatike. Kina, që Tajvanin e konsideron pjesë të territorit të vet, vazhdimisht ka kërkuar që shitja e armëve të ndërpritet, raporton agjencia “Reuters”.
Në Pekin, Zyra për Çështje të Tajvanit shprehu zemërim për miratimin e projektligjit të ndihmave nga Senati i Shteteve të Bashkuara, të cilin presidenti Biden tha se do ta nënshkruajë të mërkurën, duke e shndërruar në ligj.
Projektligji “e dërgon sinjalin e gabuar te forcat separatist për pavarësinë e Tajvanit dhe ne jemi me vendosmëri kundër tij” – tha para gazetarëve zëdhënësja Zhu Fengian.
“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndërmarrin veprime konkrete për ta përmbushur zotimin e tyre që të mos e mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe ta ndërpresin armatosjen e Tajvanit në çfarëdo mënyre” – shtoi ajo.
Tajvani viteve të kaluara është ankuar për shtimin e aktiviteteve ushtarake të Kinës afër ishullit, përfshirë misionet pothuajse të përditshme të aeroplanëve dhe anijeve luftarake kineze.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të dielën se do të diskutojë me Shtetet e Bashkuara për mënyrën e shfrytëzimit të fondeve të reja.
Tajvani nga viti 2022 është ankuar për vonesa të dërgesave të armëve amerikane, si raketat kundërajrore “Stinger”, pasi prodhuesit janë përqendruar në furnizimin e Ukrainës për ta ndihmuar kundër forcave pushtuese ruse.