Senati i ShBA-së miraton pakon 95-miliardëshe të ndihmave për Ukrainën, Izraelin e Tajvanin
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një pako të ndihmave të huaja në vlerë të 95 miliardë dollarëve, në të cilën përfshihet përkrahja ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Presidenti Joe Biden pritet që ta nënshkruajë legjislacionin të mërkurën, duke e shndërruar zyrtarisht në ligj, raporton televizioni BBC.
Senati të martën e mbështeti masën e miratuar paraprakisht në Dhomën e Përfaqësuesve të shtunën.
Në këtë pako përfshihet ndihma ushtarake me vlerë të 61 miliardë dollarëve për Ukrainën. Sipas Pentagonit, ndihma e miratuar mund të fillojë që t’i dërgohet Ukrainës “brenda ditësh”.
79 senatorë e përkrahën miratimin e pakos, ndërsa vetëm 18 votuan kundër saj.
Bideni e vlerësoi lart miratimin e pakos të martën vonë, duke e quajtur “legjislacion kritik që do t’i bëjë kombin tonë dhe botën më të sigurt, përderisa ne i përkrahim miqtë tanë që po e mbrojnë veten kundër terroristëve si Hamasi dhe tiranëve si Putini”.
Senati kishte miratuar një pako të ngjashme në shkurt, por një grup konservatorësh që e kundërshtojnë përkrahjen për Ukrainën e kishin parandaluar votimin e legjislacionit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Javën e kaluar, demokratë e republikanë në dhomën e ulët të Kongresit u bënë bashkë për ta anashkaluar këtë kundërshtim të disa ligjvënësve.