Dita e Lirisë së Shtypit, VV promovon raportin e sotëm: Cilat ishin sulmet e pushtetit ndaj gazetarëve? - NACIONALE

Dita e Lirisë së Shtypit, VV promovon raportin e sotëm: Cilat ishin sulmet e pushtetit ndaj gazetarëve?

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Qeveria e Kosovës ka përmendur Indeksin vjetor të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka shënuar përparim në dy vitet e fundit. Të njëjtin, e publikoi edhe VV-ja, duke e përmendur, normalisht, pjesën se ka pasur “përparim për dy vite”. Megjithatë, më poshtë në këtë tekst, do t’i gjeni disa prej sulmeve që eksponentë të pushtetit ia kanë bërë mediave e gazetarëve.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se në këtë vit Kosova është ngritur për 22 vende më lartë që nga viti 2021 dhe se kjo është renditja më e lartë që nga shpallja e pavarësisë, duke e promovuar kështu të njëjtin.

“Për të dytin vit radhazi, vendi ynë ka shënuar përparim sa i përket lirisë së shtypit, sipas Indeksit vjetor të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij. Duke u radhitur në pozitën e 56-të, sivjet përveçse jemi ngritur për 22 vende më lartë se në vitin 2021, shënojmë edhe renditjen më të lartë ndonjëherë që prej shpalljes së pavarësisë.” – thuhet në njoftimin e qeverisë.

Nga Qeveria e Kosovës kanë falënderuar mediat dhe përfaqësuesit e tyre për bashkëpunimin.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit i urojmë mediat dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe i falënderojmë për bashkëpunimin dhe raportimin për punën e Qeverisë. Do të vijomë të angazhohemi për një mjedis sa më të sigurt dhe të përshtatshëm për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të gazetarisë së pavarur në vend.” – thuhet tutje në njoftim.

Qeveria e Kosovës është krenuar me indeksin vjetor, mirëpo nuk mund të harrohen sulmet e pushtetarëve ndaj mediave.

Duke filluar nga Prindon Sadriu, apo siç njihet Zotëriu i Parë, i cili i kishte quajtur gazetarët ndërmarrje e përbashkët kriminale, gjë për të cilën kishte marrë shumë reagime të ashpra.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, kishte deklaruar Sadriu.

Nuk është vetëm Sadriu ai i cili i kishte emëruar me një emër gazetarët.

Shefi të Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi po ashtu u bë i njohur për publikun për sulmet ndaj medieve, duke i quajtur “biznese kriminale” dhe “kompani të kriminalizuara”.

“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”. Është e shëndetshme që qytetarët e denjë t[‘]i injorojnë mediat/portalet qëllimkëqija (thjeshtë në rrjetet sociale t’ua bëjnë “unfolloë”).” – kishte shkruar Dalipi në Facebook.

Në vitin 2021, shefi i stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela kishte bërë një reagim skandaloz ndaj raportimeve të mediave, në lidhje me një ftesë që ajo ua kishte bërë partive politike për konsultime.

“Per mediet e ish-regjimit Pronto: ftesa e Presidentes drejtuar partive per takim konsultativ s'paraqet vendim per shtyerje te zgjedhjeve. Andaj, mos perhapni te paverteta!” – kishte thënë ai në Tëitter, në një shkrim që kishte marrë shumë reagime, e që ende ekziston në llogarinë e tij.

Vela, së fundmi ka sulmuar përsëri mediat në vend, me anë të një shkrimin në Tëitter, i cili u cilësua si i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që erdhi pas raportimeve se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë shefen e tij nga pozita.

Nervoza e Velës me këto raportime, duke se arriti deri në atë pikë saqë ai të shpërthente me akuza ndaj mediave vendore.

Ai madje, cilësonte këto raportime edhe si “tentim-puç”.

“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendim-marrjes gjyqësore dhe tentim-puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.” – kishte thënë ai mes tjerash.

Madje, ai pretendonte se e di edhe burimin ku thirrej medium, duke shkruar si vijon: “E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propanda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi...”

Këto janë vetëm disa nga kërcënimet dhe sharjet që pushtetarët i kanë bërë në drejtim të mediave.

Lajme të ngjashme