Qeveria e Kosovës falënderon gazetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e punës
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Qeveria e Kosovës ka përmendur Indeksin vjetor të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka shënuar përparim në dy vitet e fundit.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se në këtë vit Kosova është ngritur për 22 vende më lartë që nga viti 2021 dhe se kjo është renditja më e lartë që nga shpallja e pavarësisë.
“Për të dytin vit radhazi, vendi ynë ka shënuar përparim sa i përket lirisë së shtypit, sipas Indeksit vjetor të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij. Duke u radhitur në pozitën e 56-të, sivjet përveçse jemi ngritur për 22 vende më lartë se në vitin 2021, shënojmë edhe renditjen më të lartë ndonjëherë që prej shpalljes së pavarësisë.” – thuhet në njoftimin e qeverisë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë falënderuar mediat dhe përfaqësuesit e tyre për bashkëpunimin.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit i urojmë mediat dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe i falënderojmë për bashkëpunimin dhe raportimin për punën e Qeverisë. Do të vijomë të angazhohemi për një mjedis sa më të sigurt dhe të përshtatshëm për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të gazetarisë së pavarur në vend.” – thuhet tutje në njoftim.
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, Reporterët Pa Kufij (Reporters Without Borders) kanë prezantuar indeksin e rangimit të 180 shteteve në botë sa i përket kësaj çështjeje.
Kosova është renditur në vendin e 56-të, por me një përparim më të vogël, prej vetëm pesë vendesh, për dallim nga viti i kaluar 2022.
Kosova ka shënuar një progres në të katër indikatorët e parë (politikë, ekonomikë, legjislativë e socialë) por jo edhe në atë të sigurisë ku ka rënë për shtatë vende dhe ku ka pasur përkeqësim të gjendjes.
Në këtë raport përmendet edhe kontestimi i pavarësisë editoriale të RTK-së për shkak të zgjedhjes së drejtorit që ishte pjesë e partisë në pushtet, Vetëvendosjes.
“Edhe pse mediat kanë sukses në mbajtjen përgjegjës të politikanëve, gazetarët mbesin shënjestër e sulmeve politike. Rregullatori i mediave, KPM-ja, ka qenë joefektiv dhe së fundi është përfshirë në një rast korruptiv. Pavarësia e transmetuesit publik RTK është kontestuar për shkak të zgjedhjes së drejtorit gjeneral që ishte aleat i partisë në pushtet.” – thuhet në përshkrimin e kontekstit politik.
