Reporterët Pa Kufij: Përparim marramendës në lirinë e mediave në Maqedoni e Mal të Zi, Kosova mirë, Shqipëria keq
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, Reporterët Pa Kufij (Reporters Without Borders) kanë prezantuar indeksin e rangimit të 180 shteteve në botë sa i përket kësaj çështjeje. Kosova gëzon pozicion të respektueshëm, por Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi thjesht na lënë pa gojë.
Siç ndodh rëndom, një vend skandinav është në krye të ranglistës. Bëhet fjalë për Norvegjinë, shtetin ku udhëton shpesh kryeministri i Kosovës, dhe që ka marrë 95.18 pikë ose shumë më shumë se vendet që pozicionohen pas saj si Irlanda, Danimarka, Suedia e Finlanda.
Natyrisht, interesi jonë më i madh është te Ballkani Perëndimor ku bëjmë pjesë.
“Shqipëri, mos thuaj marova”
Vendi ynë vëllazëror ose motëror, Shqipëria, ndodhet në vendin e 96-të në këtë indeks duke pasur një përparim prej shtatë vendesh për dallim nga viti i kaluar.
Kosova jonë ndërkohë ndodhet shumë më mirë, në vendin e 56-të, por me një përparim më të vogël, prej vetëm pesë vendesh, për dallim nga viti i kaluar 2022.
Të ndalemi edhe pak, më në hollësi, te Kosova.
Kosova ka shënuar një progres në të katër indikatorët e parë (politikë, ekonomikë, legjislativë e socialë) por jo edhe në atë të sigurisë ku ka rënë për shtatë vende dhe ku ka pasur përkeqësim të gjendjes.

Në këtë raport përmendet edhe kontestimi i pavarësisë editoriale të RTK-së për shkak të zgjedhjes së drejtorit që ishte pjesë e partisë në pushtet, Vetëvendosjes.
“Edhe pse mediat kanë sukses në mbajtjen përgjegjës të politikanëve, gazetarët mbesin shënjestër e sulmeve politike. Rregullatori i mediave, KPM-ja, ka qenë joefektiv dhe së fundi është përfshirë në një rast korruptiv. Pavarësia e transmetuesit publik RTK është kontestuar për shkak të zgjedhjes së drejtorit gjeneral që ishte aleat i partisë në pushtet.” – thuhet në përshkrimin e kontekstit politik.
Mali i Zi e Maqedonia lulëzojnë
Mali i Zi e Maqedonia kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm për vetëm një vit sipas Reporterëve Pa Kufij.
Mali i Zi që ndodhej madje edhe poshtë Kosovës në vitin 2022, pra ishte në vendin e 63-të, tashmë ka arritur të ecë përpara për 24 vende dhe të dalë në të 39-in.
Maqedonia e Veriut po ashtu ka arritur përparim marramendës. Nga vendi i 57 ku ndodhej vjet, sivjet përparoi për 21 vende duke dalë e 38-a.
Serbia në anën tjetër, megjithëse ndodhet mbi Shqipërinë është në “fund të pusit” në pozitën e 91. Bosnja dhe Hercegovina ndërkohë ndodhet në vendin e 64-të.