Dita e dytë: RTK-ja ende asnjë masë "rigoroze" ndaj përgjegjësve që publikuan "lajmin" kundër Nacionales
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së.”
Kanë kaluar dy ditë prej kur Bordit i RTK-së doli e tha se do të merren masa rigoroze ndaj përgjegjësve që publikuan raportimin skandaloz në edicionin qendore të lajmeve të RTK-së dhe në uebsajtin e tyre.
Deri më tani, Bordi i RTK-së nuk ka marrë ndonjë vendim, ndërsa në anën tjetër, drejtori i Televizioni, dikur aktivisti i Vetëvendosjes (partisë në pushtet), nuk ka hequr dorë e as nuk ka kërkuar falje për raportimin e një lajmi të paverifikuar, në të cilin sulmohet direkt Nacionale e Periskopi.
Nacionale po insiston vazhdimisht për të kuptuar se a janë marrë masa ndaj përgjegjësve, por deri më tani nuk kanë konfirmuar asgjë.
Në anën tjetër, procedurat hetimore të paralajmëruar nga Bordit i RTK-së për marrjen e masave, janë parë si tentim për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.
“Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.” – është thënë në një reagim të Organizatave Joqeveritare dhe aktivistëve, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së.
Në një anë premtojnë masa “rigoroze”, ndërsa në anën tjetër, drejtori i RTK-së, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, i ka qëndruar fije për pe lajmit të rremë të “Slobodna Bosna”-s ku akuzohen media Nacionale dhe Periskopi.
Ai nuk u distancua nga lajmi, bile foli fjalë të mira për mediumin boshnjak, që njihen për lajme të rreme.
“Jam i bindur se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe caqet e standareve etike të gazetarisë, duke vendosur në plan të parë të drejtën sipërore të publikut për informim. E mbi të gjitha të drejtën e RTK-së për të qenë në krye në raportimit edhe kur prej tij ka debat shoqëror.” – ka shkruar ai në Facebook.
Gërvalla po ashtu ka gënjyer kur tha se në raportimin nuk janë përmendur emrat e Nacionales e Periskopit. Në këtë vegëz mund të lexoni si gënjeu Gërvalla i RTK-së.
Kritika ndaj RTK-së
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat JoQeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhet në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkohë, vartësit e pushtetit, po vazhdojnë çdo ditë me linçim dhe gjuhë të papërmbajtshme ndaj mediave.
Për të lexuar më shumë nga ky sulm i RTK-së ndaj Nacionales, ftoheni të klikoni KËTU.