“Hibrid”-i e quan “lajmin” e RTK-së, ku sulmohej Nacionale, si “përmbajtje e paverifikuar” - NACIONALE

“Hibrid”-i e quan “lajmin” e RTK-së, ku sulmohej Nacionale, si “përmbajtje e paverifikuar”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Që dy ditë, pushteti është duke e sulmuar në vazhdimësi Nacionalen dhe mediumet e tjera në Kosovë. E gjithë kjo pas “lajmit” të Slobodna Bosnës, ku Nacionale akuzohej për transaksione milionëshe me Serbinë, i cili pretendim i rremë u publikua edhe nga RTK-ja. “Hibrid”, platformë e lincencuar për kontrollimin e lajmeve të rreme, e ka quajtur raportimin e RTK-së kundër Nacionales e Periskopit si “përmbajtje e paverifikuar”.

Në shkrimin e tyre, “Hibrid”-i ka treguar krejt situatën me raportimin e paverifikuar të RTK-së.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK), edicioni online, ka publikuar një artikull dje (22 korrik), duke iu referuar mediumit nga Bosnja e Hercegovina, “Slobodna-Bosna.ba”, me pretendimin e pa verifikuar se dy portale (mediume) informative të regjistruara në Kosovë, saktësisht “Periskopi.com” dhe “Nacionale.com”, janë të financuara nga struktura të Serbisë” – ka shkruar fillimisht “Hibrid”.

Tutje, ky projekti i financuar nga amerikanët, e që vepron në Kosovë, e ka shpjeguar se RTK-ja u bazua në një artikull të paverifikuar të Slobodna Bosnës.

“Ky pretendim është bërë në kuadër të një artikulli që pretendon të shtjellojë qëllime të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për gërmime të litiumit në Serbi.

Pretendimi është bërë duke u thirr në informacione të paverifikuara të mediumit nga BeH, “Slobodna Bosna”.

Ky pretendim i publikuar në faqen “rtklive.com” është transmetuar edhe në kuadër të një kronike në edicionin qendror të lajmeve në RTK (22 korrik, shih këtu), por duke mos i përmendur mediumet në fjalë me emër, dhe duke mos ofruar informata që verifikojnë e konfirmojnë informacionin e publikuar” – ka shkruar më tutje “Hibrid”.

Sjellim ndërmend që dje Nacionale ka biseduar edhe Darko Brkan, drejtues i “Raskrinkavanje”, platform më serioze e kontrollit të fakteve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në një prononcim për Nacionalen, Brkan vlerësoi në mënyrë negative “Slobodna Bosnën.

Sipas Brkan, “Slobodna Bosna” prodhon dezinformata e gjëra të paverifikuara, në mënyrë që të mbijetojnë në tregun medial boshnjak.

“Prodhojnë dezinformata...gjëra të paverifikuara...për senzacion...përmbajtje të dyshimtë për nga besueshmëria...thjesht çka t’u bjen në dorë për të mbijetuar”, tha Brkan për Nacionalen pyetur rreth ‘Slobodna Bosna’-s.

Tutje, Brkan nuk hezitoi të tregonte qëndrimin e tij në lidhje me “Slobodna Bosnën”.

“Vlerësimi im do të ishte që ata kryesisht do të kenë artikuj që janë të dyshimta sa i përket besueshmërisë, por më shumë është që duan senzacion duke përdorur burime të pakonfirmuara; dhe kopjojnë burime nga burime tjera, dhe kryesisht publikojnë senzacionalisht për klikime sa më shumë” –tha dje Brkan.

Dje Bordi i RTK-së u mblodh për të shqyrtuar këtë zhvillim, ndërsa e quajti lajmin e publikuar si “lajm kontraverz”.

“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit.

U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së” – ka theksuar Bordi i RTK-së.

Lajme të ngjashme