Dikur fjalë të mëdha për investime, tash i lë pa rroga: Si po i trajton Kurti minatorët e Trepçës? - NACIONALE

Dikur fjalë të mëdha për investime, tash i lë pa rroga: Si po i trajton Kurti minatorët e Trepçës?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, aktualisht kryeministër i Kosovës, nuk ngurronte që ta theksonte nderimin e tij për minatorët e Trepçës, dikur gjigante ekonomike. Si i majtë në deklarata, Kurti e vlerësonte punën e minatorëve, duke premtuar investime kurdo që Lëvizja Vetëvendosje do ta udhëheqte Kosovën. Përtej premtimeve, ekziston një realitet i qeverisjes së Kurtit dhe VV-së në këta tre vjet e gjysmë.

E vërteta e tanishme është më pak shkëlqyese sesa premtimet e dikurshme të Kurtit. Që dy muaj, minatorët e Trepçës, të cilët Kurti opozitar i çmonte lart, nuk kanë rroga. Pra që gati 60 ditë, minatorët e Trepçës, që hapërojnë në qindra metra thellësi çdo ditë, nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e bërë. Nga fjalë të mëdha për investime nga ana e Kurtit, tash minatorët janë të detyruar të luftojnë për rrogën e tyre!

“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagen e muajit Qershor!” – shkroi dje Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, shkruan Nacionale.

Në një reagim publik, kjo sindikatë i cilësoi fjalët e dhëna për investime nga Qeveria Kurti si “premtime boshe".

Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepca SH.A., janë vetem fjalë boshe dhe asgje tjeter.

Një qasje e till refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njejtit buzë humneres dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetsim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të mënjehershme” – shkruhej në reagimin e kësaj sindikate.

Kurti… që duket se nuk ekziston më

Dikur Kurti, së paku deklarativisht, ishte tepër përkrahës ndaj minatorëve të Trepçës. Në një protestë të vitit 2018, Kurti nuk përtonte që ta shprehte admirimin e tij për punën e minatorit.

“Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një vend pune e minatorit nëntokë i hap katër vende të reja të tjera mbi tokë”kishte thënë dikur Kurti.

Në një takim tjetër në përvjetorin e protestave heroike të minatorëve të Trepçës më 1989, Kurti përkujtonte se minatori “u kthye në figurën qendrore të rezistencës për liri dhe të drejta”. Pas fjalëve superlative për qenien e minatorit, Kurti kishte dhënë tri premtime specifike.

Ajo që mund të them tash është se:

1. Trepça është aset strategjik i Republikës së Kosovës

2. Trepça nuk do të privatizohet dhe

3. Në Trepçë do të investojmë.

Trepça ka nevojë për investime të jashtme e për qasje në tregje të huaja. Do të fillojmë me një plan të fizibilitetit për Trepçën për rritjen e prodhimit duke u mbështetur në alternativën më të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale e mjedisore” – kishte shkruar Kurtin.

Ndërsa një vit më vonë, pak para se t’i fitonte mbi 50 për qind të votave më 14 shkurt 2021, Kurti thoshte se mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës.

“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – kishte deklaruar Albin Kurti.

Edhe gjatë vitit të kaluar, minatorët e “Trepçës” ishin të pakënaqur me kushtet e punës, duke mbajtur për disa ditë një grevë, e cila u shua pas premtimeve të pushtetit.

Lajme të ngjashme