Dhuna ekonomike e dhuna seksuale ndaj grave. Për çka u protestua sot?
‘’Jo të gjitha gratë të cilat punojnë paguhen’’- ishte një pjesë e fjalimit i cili u mbajt para Qeverisë së Kosovës, për nder të shënimit të 8 marsit ditës ndërkombëtare të gruas. Çka u tha sivjet?
Për disa, fjalia e mësipërme ishte goxha e pa kapshme. Qysh të gjitha gratë që punojnë, pasi që sipas statistikave të ASK-së, mes 14 dhe 18% e grave më të drejtë punë janë të punësuara, pra paguhen për punën që e bëjnë ndërsa pjesa tjetër e grave nuk paguhen për punën e tyre?
Nëse puna e shtëpisë dhe e kujdesit do të paguhej, ajo do t’i kushtonte ekonomisë globale 11 trilion dollarë në vit.

Në deklaratën e kolektivit ‘’Marshojmë S’festojmë’’, thuhet se puna e papaguar e grave vazhdon të mbajë shoqërinë, ekonominë dhe shtetin.
“Puna e papaguar e kujdesit vazhdon ta mbajë shoqërinë, ekonominë dhe shtetin duke i performuar punët të cilat janë esenciale për vazhdimin e jetës dhe riprodhimin shoqëror. Megjithatë, duke iu lënë si punë e grave, ajo vazhdon të mos njihet si punë dhe të vjelët pa pagesë.”- thuhet në deklaratë.

Sipas këtij kolektivi, dhuna ekonomike ndaj grave, fillon aty ku fillon ndarja e gjinizuar e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit.
“Dhuna ekonomike ndaj grave nis pikërisht nga ndarja e gjinizuar e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit. Ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë mes grave dhe burrave, rezulton që shumë pak gra të mund të punojnë për pagë. Edhe kur ato mund të punësohen me pagë, vazhdojnë të keqpaguhen dhe keqtrajtohen në tregun e punës, çka i lë dukshëm më të cenueshme brenda familjeve dhe në shoqëri.”- thuhet më tutje në komunikatë.
Përveç dhunës ekonomike e cila ushtrohet çdo vit ndaj grave, mjaft shqetësuese mbetet edhe dhuna seksuale.

Në raportet e publikuara nga Polica e Kosovës, vetëm në vitin 2022, janë raportuar 88 raste të përdhunimit, 87 raste të ngacmimit seksual si dhe 62 raste të sulmit seksual.
‘’Në Kosovë, dhuna seksuale vazhdon të mbetet epidemike dhe thellësisht e gjinizuar. Ajo vazhdon t’i rrezikojë vajzat dhe gratë në shtëpi, marrëdhënie martesore, shkolla, vende punë, rrugë e hapësira të tjera publike apo private. Rritja e raportimit e evidentuar viteve të fundit në Kosovë, përveç që është duke e treguar përhapjen e gjerë të krimeve seksuale, është duke e vënë në sipërfaqe çdo herë e më shumë kundërshtimin dhe rezistencën e vajzave dhe grave nga dhuna e vazhdueshme ndaj tyre.’’- thuhet në reagimin e kolektivit Marshojmë S’festojmë.

Duke u referuar gjithmonë në raportet zyrtare të Policisë së Kosovës, vetëm në muajin shkurt 2023, janë raportuar 136 raste të dhunës në bazë gjinore ndaj grave.
Përderisa statistikat janë gjithmonë e në rritje, gratë dhe vajzat, sot përmes marshit protestues, kërkuan më shumë siguri për to në hapësira private dhe publike.
Sipas tyre, gratë nuk ndihen më të sigurta as në shtëpitë e tyre.

Një nga protestueset e sotme i tha Nacionales, se sot është duke protestuar jo vetëm për veten por edhe për të gjitha gratë.
Paralelisht më protestën në Prishtinë, janë mbajtur protesta edhe në qytetet e tjera të Kosovës, si Mitrovicë e Prizren.
