Detaje dhe pamje: Si votuan asamblistët e PDK-së në Vushtrri për kolegët e tyre që s’ishin në seancë
Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, u pa edhe një moment i çuditshëm. Asamblistët e PDK-së atje votuan për disa kolegë të tyre të partisë që nuk ishin fare në seancë. Nacionale sjell pamje dhe detaje.
Pika e fundit e rendit të ditës dje në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë ishte caktimi i lokacionit për ndërtimin e një lapidari për patriotin Adem Voca. Votimi planifikohej të ishte i fshehtë. Megjithatë, disa asamblistë të PDK-së, që është në pushtet atje, nuk ishin të pranishëm.
Në këtë seancën munguan asamblistët e PDK-së, Lorik Maxhuni e Arlind Gogoli. Kur thirreshin me emër të gjithë asamblistët për të votuar, ndërhyn pak edhe nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova. “Qitja plus, voto, voto”- i drejtohet ai asamblistes Nurie Halili.
Kjo e fundit e merr fletëvotimin, e plotëson në emër të asamblistit Gogoli dhe atë në kuti e hedh asamblisti tjetër i PDK-së, Mentor Hasani. Më pas, asamblisti Hasani shkon dhe e plotëson fletëvotimin e vet dhe edhe të vetin e hedh në kuti.
Asamblisti Mentor Hasani, që e hodhi në kuti fletëvotimin e kolegut të tij që mungonte, ka thënë për Nacionalen se ai nuk e ka plotësuar të njëtjin, por vetëm e ka hedhur në kuti.
“Jo, jo, nuk ndodhë ajo punë. Duhet me i këqyr videot (se) a kanë qenë aty apo jo. Mu veç ma kanë dhanë me qit në kuti, nuk e kam marrë unë. Unë veç temin e kam plotësu e nënshkru. Ata veç ma kanë dhanë, nuk e kam mbushë unë. Dy fletëvotime, veç ma dha, tha "qite qata", se kush e la aty, nuk e di”- ka deklaruar Hasani për gazetën Nacionale.
I përfshirë në këtë situatë ishte edhe nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova. Ky i fundit ka thënë për Nacionalen se videoja po nxirret qëllimisht nga konteksti.
“Po e nxjerrin prej kontekstit, sepse unë kam lobuar për të kaluar pika si pikë, sepse është lapidar për dëshmorët e kombit. Lista e njerëzve që kanë qenë prezentë, ështe te kryesuesja e Kuvendit. Shihet qartë që 27 anëtarë kanë qenë prezentë, në mesin e tyre nuk kanë qenë qata dy që po përmenden, ata dy nuk kanë votuar. 8 veta kanë munguar, në mesin e tyre që kanë mungu, janë edhe ata dy që po i përmendni”- tha fillimisht Zhegrova për gazetën Nacionale.
Zhegrova ka thënë se nëse vërtetohet që ka pasur ndonjë problem, atëherë votimi mund të përsëritet.
“Është e drejtë e jona me lobu. Çka kanë dorëzu nuk e di, ata kanë qenë pjesë e Komisionit, nuk mundem me paragjyku çka i jep. Nëse shihet qartë, ky proces nuk është që është bërë e madhe, kthehet në rivotim. Nuk ka presion. Presion pozitiv për t'u ndërtuar lapidari për dëshmorët e kombit. Është miratu”- deklaroi në fund Zhegrova për Nacionalen.
Nacionale ka kontaktuar edhe me kryesuesen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë. Ajo, pasi e ka hapur telefonin, ka thënë se nuk ka rrymë e nuk po dëgjohet. Më pas, e ka fikur telefonin.
Të qasshëm për Nacionalen nuk kanë qenë as dy asamblistët që kanë munguar në këtë seancë, Lorik Maxhuni e Arlind Gogoli.
Opozita me kritika të ashpra
Në njohuri me këtë situatë tashmë janë edhe partitë në opozitë në Komunën e Vushtrrisë.
Sylejman Meholli, kryetar i Qendrës së VV-së në Vushtrri, ka thënë se veprimet e tilla janë të papranueshme.
“Unë kam dalë jashtë, kur janë thirrë jashtë asamblistat me shkronjën A, pasi kam qenë në banjo. Në listë jam gati në fund, sepse thirren me alfabet, nuk kam qëllu prezent. E pashë momentin. Nuk më pëlqeu, nuk është praktikë ligjore. Ata dy në mbledhje kanë qenë, në votim a kanë qenë a jo, nuk i kom pa”- ka deklaruar Meholli.
Ai ka thënë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me rregulloren dhe ligjet e Kosovës. Meholli ka kërkuar veprim nga Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal.
“Unë e kam konsultuar rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për Vetëqeverisje lokale, është obligim i kryesues me i monitoru proceset dhe komisionin përkatës që është themeluar dje me menaxhu atë pikë të rendit të ditës. Është shkelje, të zgjedhurit e popullit, kur veprojnë në këtë mënyrë. E papranueshme. MAPL-ja besoj që duhet me u marrë me këtë çështje. MAPL-ja e ka pa dhe kjo tashmë i kalon edhe instancat e reagimit thjesht opozitar”- përfundoi Meholli për Nacionalen.
Kjo pikë e rendit të ditës ishte miratuar dhe është caktuar zona në fshatin Pasomë për ndërtimin e lapidarit për heroin Adem Voca.

