150 mijë euro ryshfet, i përfshirë ish-kryeprokurori dhe ish-shef i asamblistëve të VV-së – hulumtimi që tronditi sistemin e drejtësisë - NACIONALE

150 mijë euro ryshfet, i përfshirë ish-kryeprokurori dhe ish-shef i asamblistëve të VV-së – hulumtimi që tronditi sistemin e drejtësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy persona kishin premtuar që do t’ia zgjidhnin një lëndë përmbarimore biznesmenit Sali Dakaj. Për këtë, Dakaj duhet të jepte 300 mijë euro ryshfet. Ato planifikohej t’i shkonin ish-Kryeprokurorit të Apelit. Sekserët ishin Hasan Morina e Liridon Fandaj. Ish-kryeprokurori i Apelit ishte Haxhi Dërguti.

Biznesmeni ka konfirmuar se 150 mijë euro ua kishte dhënë dy sekserëve, dhe të njëjtit i kishin thënë se ato para i ka marrë ish-kryeprokurori tash avokati Haxhi Dërguti. Si pasojë kishin ardhur edhe disa takime të biznesmenit Dakaj me ish-kryeprokurorin, ku ai i premton se do të takohet me gjyqtarë për t’ia zgjidhur lëndën.

Të gjitha këto detaje janë zbardhur në një hulumtim të realizuar nga Kallxo.com, të cilin të plotë mund ta shikoni KËTU.

Si nisi afera e dyshimtë korruptive?

Biznesmeni Sali Dakaj kishte një lëndë përmbarimore në Gjykatën e Prishtinës. Vlera shkonte në 3 milionë euro. Që kjo lëndë të ktheje në favorin e Dakajt, i ishin kërkuar 300 mijë euro fillimisht.

Këtë e kishin bërë Hasan Morina e Liridon Fandaj, ish-shef i asamblistëve të Vetëvendosjes në Suharekë. Atij i ishte paraqitur Fandaj duke i thënë se ka persona që mund t’ia përfundojnë lëndën në favor. Dy sekserët e dyshuar në këtë rast, Morina e Fandaj ishin takuar bashkë me Dakajn.

Aty biznesmenti ia kishin marrë 150 mijë euro, të cilat i kishin thënë se po i dërgojnë te Kryeprokurori i Apelit në atë kohë, Haxhi Dërguti. Ish-kryeprokurori tash avokat, Haxhi Dërguti, e kishte konfirmuar që është takuar disa herë me biznesmenin Dakaj, por asnjëherë që ka marrë para nga ai.

“Me shume se një vit deri sa isha ne përfundim te karrierës ne Prokurorinë e Apelit, me fton ne kafe në restorant Puro miku im Hasan Morina. Aty takova Hasan Morinen dhe dy persona te tjerë te cilët ishin pak te njohur për mua, dhe Hasani me tregoj se ky shoku i tij qe tani është Sali Dakaj dhe një person tjetër qe ma vone mora vesh se ishte Liridon Fandaj po qe ma pare nuk kisha takuar me te. Me treguan se Sali Dakaj e ka një rast ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, nëse ka mundësi me i ndihmua me shpjetu. Unë ju thash ta shohim se nuk njihëm mire me gjyqtarin i cili ishte Latif Xhemajli” – theksoi Dërguti për Kallxo.com në hulumtimin e transmetuar mbrëmë.

Kryeprokurori i Apelit në video-inçizimet e publikuara mbrëmë nga Kallxo.com, e konfirmon se është takuar me gjyqtarët e Përmbarimores, për të tentuar t’ia zgjidhë lëndën biznesmenit. Gjyqtarët e përmendur në hulumtim janë Latif Xhemajli, Murat Paçarada e Ramush Bradiqi.

Megjithatë, lënda e bizesnmenti Dakaj nuk u zgjidhë. Lënda e tij u refuzua në shkallën e parë. Pas kësaj, ai ishte takuar sërish me Kryeprokurorin Dërguti. Ai i kishte premtuar se në Apel kjo lëndë merr fund, pasi që ai ka më shumë ndikim. Edhe në shkallën e dytë, lënda e Sali Dakaj u rrëzua.

Kallxo.com ka publikuar një video-inçizim ku shihet biznesmeni Dakaj duke biseduar me kryeprokurorin Dërguti. Ai asnjëherë nuk e pranon se i ka marrë 150 mijë euro nga Hasan Morina e Liridon Fandaj.

Një pjesë e dytë e këtij hulumtimi do të publikohet sonte dhe gjatë kësaj jave nga Kallxo.com

Sekseri Liridon Fandaj, ish-shef i asamblistëve të Vetëvendosjes

Dakaj ka treguar se e kishte një lëndë në Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi, dhe gjatë kohës sa ka pritur të merrej vendimi, tek ai kishte shkuar Liridon Fandaj, i cili i kishte thënë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në Prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit. Fandaj i kishte thënë Dakajt se nëse pranon t’i japë 300 mijë euro lënda kthehet në favorin e tij, përndryshe do ta humbte lëndën.

Sali Dakaj thotë se nuk e ka idenë se kush i tregoi Liridon Fandajt për lëndën e tij!

Tutje, biznesmeni tregon se u detyrua të gjejë borxh 150 mijë euro, të cilat ia kishte dhënë Hasan Morinës, i cili, sipas rrëfimit të tij, bashkë me Liridon Fandajn ia kishin dërguar në shtëpi atëherë kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti.

Liridon Fandaj ka qenë shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

Fandaj ishte arrestuar javë më parë edhe si i dyshuar për përfshirje në dallavere me subvencione.

Reagon ashpër ministrja Haxhiu

Pas publikimit të emisionit, ka reaguar menjëherë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka kërkuar arrestimin e ish-kryeprokurorit dhe gjyqtarëve që përmenden në këtë emision. Pavarësisht se gjyqtarët e rrëzuan lëndën e biznesmenit Dakaj, për të cilën ai thotë se ka paguar 150 mijë euro te Haxhi Dërguti.

“Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë. Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë. Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para!”, shkruan Haxhiu në facebook.

“Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t'i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët”, thuhet në postim.

Deri në këtë moment, gazeta Nacionale nuk ka pranuar asnjë përgjigje as nga Këshilli i Gjyqësor i Kosovës e as nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, nëse do të marrin ndonjë hetim për këtë rast.

Lajme të ngjashme