Aksioni Brezovica: Arrestohet asamblisti i VV-së në Prishtinë, dhëndri i Liburn Aliut - NACIONALE

Aksioni Brezovica: Arrestohet asamblisti i VV-së në Prishtinë, dhëndri i Liburn Aliut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Po vazhdon aksioni Brezovica 6. Deri më tash shtatë persona janë arrestuar, në mesin e tyre biznesmenë e zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.

Në mesin e pronave që janë bastisur është edhe shtëpia e asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Berat Lahu.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, prokurori i rastit, Rasim Maloku.

“Fakt që është edhe shtëpia e një asamblisti. Më tutje merrni ju informata, por është fakt që po”, ka thënë shkurtimisht Maloku për Nacionalen.

Prokurori Rasim Maloku e ka konfirmuar se Berat Lahu është arrestuar.

Berat Lahu ishte raportuar edhe më herët se ka qenë i dyshuar nga Prokuroria, për rastin Brezovica. Megithatë, ai vetë i kishte mohuar këto pretendime.

Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga Lahu, por ai ka qenë i paqasshëm.

Berat Lahu është dhëndëri i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Jo, unë e kam parë lajmin ashtu siç e keni pa ju, nuk kam aspak informata. Unë nuk gjendem në Kosovë, nuk e di çka mundet me pas ndërtime në Brezovicë me mu unë asnjëherë skam punuar në institucione qendrore as lokale as nuk jam marrë me ndërtimtari. Është e pakuptimtë që mu ndërlidh emri jem me këtë cështje”, kishte thënë Lahu muaj më parë kur ishte pyetur për këtë rast.

Vazhdimin e aksionit Brezovica, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, ka thënë Kelani.

Aksioni i sotëm është zhvilluar në Prishtinë, Podujevë dhe Fushë Kosovë.

Aksionet Brezovica

Për rastin “Brezovica” në muajin mars të këtij viti janë arrestuar shtatë persona, tre ish-zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

Brezovica, Komunën e Shtërpcës. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si "Brezovica".

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Lajme të ngjashme