Deri kur do të pres Kurti për heqjen e barrikadave? Fjalët e tij janë të prera
Fjalët e kryeministrit Albin Kurti janë mënyra më e mirë për ta kuptuar krizën me barrikadat në veri të Kosovës dhe veprimet që mund të pasojnë nga qeveria e tij. Por, çka na thonë saktësisht këto fjalë?
Barrikadat fatkeqësisht po shtohen derisa kemi hyrë në ditën e 19 prej që dolën në sipërfaqe. Kryeministri foli për to edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
“Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të tolerohen, ato do të largohen. Ne i kemi dhënë kohën e mjaftueshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shkon me shpejtësi,” – u shpreh ai.
Natyrisht, është e vështirë të thuhet nëse sipas Kurtit koha që i ka dhënë KFOR-it ka kaluar tashmë. Ose nëse do të kalojë së shpejti. Megjithatë, ai ka folur edhe tjetërkund për kohën, gjë që zbardh më shumë të menduarit e tij.
“Nëse këtë (heqjen e barrikadave) nuk e bën KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë,” - ka thënë Kurti.
Sidoqoftë, edhe më shumë dritë hedh një takim i Kurtit me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccian.
Kurti e kishte kërkuar këtë takim një ditë para Krishtlindjeve, duke thënë se besonte që aty “do të sqarohej gjithçka”.
KFOR-i kishte qenë i përfshirë në disa deklarata – që nga perspektiva jonë mund të cilësohen të çuditshme – e që kishin zemëruar lidershipin kosovar.
Serbia i kishte çuar kërkesë që t’i kthente ushtarët e saj në Kosovë. E KFOR-i me anë të një deklarate ishte shprehur se “po e analizonte atë kërkesë”. Dhe më pas, në mënyrë të papritur pikërisht komandanti i cili ishte sot në takim me Kurtin do të shprehte qëndrime që ishin cilësuar si të papranueshme: “KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut,”
Kurti me KFOR-in në atë takim ku do të merrnin pjesë edhe liderë tjerë institucionalë do të dilnin – sipas Qeverisë – me një konstatim të përbashkët që thoshte thjesht se rrugët duhej të ishin të lira.
Kur nisi pritja?
Barrikadat kishin nisur kur ishte arrestuar ish-zyrtari policor Dejan Pantiq. Por, tensionet në veri nisën kur Kosova provoi të organizonte zgjedhjet e 18 dhjetorit. Ato më pas ishin shtyrë për në muajin prill nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Pikërisht atëherë, kryeministri i Kosovës do të informonte për herë të parë se ia kishte lënë çështjen e barrikadave KFOR-it në dorë.
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje.” – thoshte kryeministri Albin Kurti, duke zbuluar pak a shumë edhe problemin e tij me pritjen aktuale që po e bën.
Por, sot është dita e 19 që rrugët janë bllokuar. Dhe në vend se të kishte më pak barrikadat, në fakt ka më shumë. Edhe dy ditë futemi në javën e katërt të barrikadave, derisa nuk ka aktualisht shenja për ndonjë veprim operacional që do të hiqte barrikadat nga ana e Policisë së Kosovës apo nga ane e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
KFOR-i në tjetrën anë po ashtu nuk po jep shenja lëvizjeje.
Mirëpo, ishte vetë Kurti ai që dha një deklaratë të çuditshme për rrethanat për gazetën prestigjioze britanike “The Guardian”: “Brenga jonë është që heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktima, dhe prandaj ne duhet të jetmi sa më të kujdesshëm që është e mundshme që të sigurohemi se nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria do të vendosen.”
Për këto deklarata kishin protestuar serbët lokalë duke i interpretuar dashakeqësisht si kërcënim me vrasje.
A do të lëviz Kurti gjatë këtyre ditëve? Nga deklaratat e mësipërme të kryeministrit - folur figurshëm - ai është dashur të veprojë prej dje.


