Dërgimi i FSK-së në Gaza, Maqedonci kërkon nga deputetët të mbështetet vendimi i Qeverisë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë pro dislokimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza me mision ndërkombëtar.
Derisa e ka paraqitur para deputetëve vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, ai ka treguar pse duhet të mbështet ky vendim.
Sipas tij, dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.
“Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, është shprehur Maqedonci.