Deputeti i VV-së tha se punëson vetëm njerëz të partisë, dikur VV-ja e "gozhdonte" Demaliajn e AAK-së për një deklaratë të tillë
Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur në pushtet me kauzën se do të qeveriste krejt ndryshe nga qeveritë e mëparshme. Por, në këto tri vite e gjysmë Qeveria Kurti është karakterizuar me të gjitha elemente negative me të cilat ishin identifikuar qeveritë e kaluar.
Madje, zyrtarët e partisë në pushtet po i emitojnë edhe praktikat më të pështira të qeverive të kaluar, duke punësuar familjarë dhe militantë partiak.
Ndjekjen e këtyre praktikave deputetët e VV-së po e deklarojnë edhe publikisht nëpër emisione televizive, raporton Nacionale.
Një gjë të tillë mbrëmë e ka bërë edhe deputeti i VV-së, Enver Haliti.
Në emisionin Debat Plus, ai ka thënë se angazhohet që të punësojë vetëm njerëz të VV-së.
“Nëse gjitha qeveritë kanë qenë të partive tjera kanë punësuar njerëz që kanë qenë afër me ta, ne prapë me i punësu ata? Jo more, unë i punësoj njerëzit që janë afër me VV-në se, kur me i ardhë rendi atyre?”, ka thënë Haliti.
Në këtë mënyrë, ai e ka kopjuar deklaratën skandaloze të ish-deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili kishte thënë publikisht se angazhohej të punësonte vetëm njerëz të AAK-së.
Fillimisht, Demaliaj një gjë të tillë e kishte thënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, në muajin mars të vitit 2019.
“Sikur të mundja me i punësuar të gjithë të Aleancës sonte i kisha punësuar. Të gjithë e kanë bërë këtë e pse të mos e bëjmë edhe ne. Me admirim e them se pse të mos jenë të punësuar ata të Aleancës. Nëse janë të barabartë unë e kisha pranuar në punë atë që është me AAK-në. Sa herë që të hapet në konkurs, nëse është një i Aleancës dhe i përshtatet atëherë i them të konkurrojë”, ishte shprehur Demaliaj.
Më pas, deklaratën skandaloze e kishte mbrojtur në muajin prill, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Legjislacion.
Edhe para deputetëve, Demalijaj kishte thënë se nëse do të kishte mundësi do të punësonte vetë njerëz të AAK-së.
Ai kishte thënë se nuk do ta punësonte dikë që do ta kundërshtohen politiken dhe programin e subjektit të tij politik.
“Asnjë njeri tjetër përpos anëtarësinë e Aleancës nuk kisha pas qejf, me i pa të punësuar në Kosovë, këto e kom thonë në kushte të barabarta ligjore, në rrethana të konkursit, se e njoh mirë legjislacionin kam qejf të Aleancës. Pse unë me e ndihmu dikë tjetër se ma ka kundërshtuar politikën dhe programin tim politik”, ka thënë Demalijaj.
Një deklaratë e tillë kishte nxitur reagime dhe ishte kundërshtuar fuqishëm nga VV-ja në atë kohë.
Madje, në mbledhjen në fjalë kishte reaguar edhe Albulena Haxhiu, e cila kryesonte Komisionin për Legjislacion.
Sipas saj, njerëzit nga Kosova po ikun edhe për shkak të kësaj praktike.
“Si pasojë e kësaj mendësie, njerëzit po ikin nga Kosova. Njerëzit që e kanë kryer fakultetin ka aplikuar 30 herë në një vend pune edhe s’ka mujt me marr. Pse se ja ka nxon tezja daja e dikujt tjetër. Sepse ai se ka pas babën ministër, ai se ka pas babën deputet”, kishte thënë Haxhiu.
Duket se tani Albulena Haxhiu, e cila është ministre e Drejtësisë, e ka harruar këtë deklaratë. Tani edhe në Qeverinë Kurti po punësohen motrat, vëllezërit dhe njerëzit e afet të ministrave, deputetëve dhe njerëzve të fuqishëm të VV-së.
Deklarata e Demaliajt ishte kundërshtuar ashpër edhe nga eksponentë tjerë të VV-së. Por, zyrtarët e kësaj partie ende nuk kanë reaguar ndaj deklaratës skandaloze të deputetit Haliti.