20 mijë euro gjobë: Kush e dënoi PSD-në dhe pse ky mund të jetë sulm politik nga Qeveria Kurti? - NACIONALE

20 mijë euro gjobë: Kush e dënoi PSD-në dhe pse ky mund të jetë sulm politik nga Qeveria Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Social-Demokrate ka marrë një gjobë prej 20 mijë eurosh nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP). A është ky një dënim politik? Më poshtë janë disa gjëra që duhet t’i dini.

PSD-ja e zhvilloi edhe sot një aksion para zyreve të AIP-it, ku shkruhej mes tjerash edhe parulla “Qeveria urdhëron, Agjencioni përmbaron!”

Çka kishte ndodhur?

Më 6 mars të këtij viti, rreth një javë pas pajtimit me Marrëveshjen e Brukselit mes Kurtit dhe Vuçiqit, PSD-ja do ta mbante një aksion simbolik kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicës). Asociacioni ishte pjesë e kësaj Marrëveshjeje.

PSD do të shtronte para qeverisë nënshkrimet e vëna në një peticion të para disa viteve kundër Asociacionit, duke nënkuptuar se kryeministri Kurti si ish-kryeopozitar i dikurshëm – folur figurshëm – kishte shkelur mbi vullnetet e këtyre njerëzve.

Vendimi i AIP-it

Më 5 prill, saktësisht një javë më parë, AIP-i do të merrte vendim për ta gjobitur me 20 mijë euro Partinë Socialdemokrate.

Aty kërkohej që brenda 30 ditësh të bëhej pagesa e kësaj shume.

Arsyetimi ishte se PSD-ja përmes publikimit të këtyre listave kisthe shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale (LMDhP).

Në këtë vendim ndodhej edhe fjalia e çuditshme si vijon: “Në procesverbal kontrolluesi ka dhënë këtë vërejtje: “Asnjë e dhënë nuk është publikuar nga ky aksion publik e politik.”

Sipas Agjencisë në një përgjigje dërguar Nacionales, dënimi më i lartë për shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Peronale ishin ndaj kompanisë Sigal Uniqa Group Austria me 50 mijë euro, derisa kishte pasur edhe dënime me 30 mijë euro dhe 20 mijë respektivisht.

A është dënimi politik?

Një vit më parë, Nacionale do të publikonte një artikull mbi veteranët e vërtetë që ishin shpallur të rrejshëm, dhe të cilëve po ashtu iu ishin publikuar të dhënat personale.

Për këtë skandal të rëndë deri më tash askush nuk është gjobitur.

Në atë artikull shtrohej edhe rasti i qytetarit Bajram Lani, që e kishte parë emrin e babait të tij në atë listë prej gat 20 mijë emrave nën etiketën e veteranit të rrejshëm.

Muhamet Lani kisthe ndërruar jetë me këtë njollë që i kishte vënë shteti.

“Nëse jo dëmshpërblim për dëmin moral që iu bëri, ky shtet u ka borxh një sqarim veteranëve të vërtetë që ua ka cënuar imazhin dhe dinjitetin, që me futjen në listat e veteranëve të rrejshëm, përveç që ua baltosi kontributin e dhënë në luftë, ua mveshi edhe etiketën si dëmtues të buxhetit të shtetit.” – kishte thënë ai.

Agjencia për Informim dhe Privatësi i kishte thënë Nacionales se nuk kishte pasur mandat më të kufizuar seç e ka tani duke e lëshuar një “interpretim ligjor lidhur me ligjshmërinë” e këtij rasti.

Por, megjithëse ky mund të cilësohet si skandali më i madh me të dhënat personale, askush nuk ishte dënuar.

Komisionerja e AIP-it

Dardan Molliqaj e ka interpretuar dënimin si “sulm ndaj opozitës” duke u shprehur se “presioni direkt” Agjencisë për ta dënuar PSD-në i kishte ardhur nga Hekuran Murati.

Ministri Murati deri tash nuk ka folur në lidhje me këtë akuzë.

Madje, z. Molliqaj akuzon AIP-in tutje se nuk i kishte dënuar kur të njëjtat nënshkrime i kishin dërguar në hyrje të kryeministrisë edhe në qershor të vitit 2022.

Aktivistja Natyra Kuqi në anën tjetër, ka treguar se si burri i komisioneres së kësaj agjencie, Krenare Sogojeva-Dërmakut, është Artan Dërmaku që kishte aderuar në Vetëvendosje në gusht të vitit 2018.

Nol Nushi nga PSD ndërkohë, mohon krejtësisht që ka ndodhur publikimi i të dhënave personale.

“Sulm i pastër politik. Paramendo, na kanë dënu për publikim të të dhënave të peticionit kundër Zajednicës, ndonëse kjo nuk ka ndodhë.”u shpreh z. Nushi.

Marrë parasysh gjithë këto sa u thanë, dënimi i bërë ndaj PSD-së lë hije dyshimi se mund të ketë pasur ndikim politik.

Kujtojmë se PSD është kundërshtuesja më e ashpër e Qeverisë Kurti jashtë parlamentit të Kosovës.

Lajme të ngjashme